Ballkani, strukturat në ndryshim dhe problemet në vazhdim

Me përfundimin e Luftës së Ftohtë vendet e Ballkanit, të cilat administroheshin me sistemin qendror, kaluan nëpër procese të tranzicionit në dimensione të ndryshme shoqërore.

Ballkani, strukturat në ndryshim dhe problemet në vazhdim

Me përfundimin e Luftës së Ftohtë vendet e Ballkanit, të cilat administroheshin me sistemin qendror, kaluan nëpër procese të tranzicionit në dimensione të ndryshme shoqërore, si në ekonomi, politikë, siguri dhe kulturë. Ndryshimet shoqërore, politike dhe ekonomike që një qytetar i vendeve perëndimore i përjeton gjatë tërë jetës së tij, banorët e vendeve të Ballkanit u detyruan ti përjetojnë brenda disa viteve. Edhe pse me reforma të bëra gjatë viteve të 90-ta kanë ndryshuar shumë gjëra, në rajonin e Ballkanit vazhdon ekzistenca e disa probleme themelore.

Vendet e Ballkanit tranzicionin e tyre ekonomik e filluan me fat të keq. Për shkak të luftërave të jetuara gjatë procesit të shpërbërjes së Jugosllavisë së Titos, disa vende të rajonit vonuan procesin e tyre të tranzicionit ekonomik dhe u detyruan ti shërojnë plagët e luftës. Edhe pse Shqipëria, Bullgaria dhe Rumania nuk ishin të përfshira në këto luftëra, kushtet fillestare të këtyre vendeve ishin tejet të vështira. Shqipëria nga periudha e sistemit qendror doli me një varfëri të rëndë. Bullgaria deri në fund të periudhës qendrore ishte shumë e varur nga Bashkimi Sovjetik nga aspekti i tregtisë së jashtme. Ndërkaq përpjekja e ish-liderit komunist, Nikolaj Çavushesku për të formuar një ekonomi të pavarur kombëtare shkaktoi dobësi serioze ekonomike dhe sociale në Rumani.

Rajoni i Ballkanit, krahas vështirësive të përmendura, kaloi nëpër një periudhë të ndryshimeve të mëdha gjatë këtyre 25 viteve të fundit. Janë hedhur hapa të rëndësishme që Ballkani të kthehet në një rajon të qëndrueshëm ku sundon ligji, ku është rrënjosur botëkuptimi i demokracisë, ku garantohen të drejtat e njeriut dhe ku është e vlefshme ekonomia e tregut. Ashtu siç janë realizuar përmirësimet në fushën e demokracisë, ashtu u shënua progres edhe në procesin e pajtimit me përkrahjen e shoqërisë ndërkombëtare, ndërkaq vendet e rajonit pothuajse u shtynë në një lëmsh të bashkëpunimit rajonal. Përveç kësaj vendet e rajonit kanë shënuar progres domethënës në proceset e tyre të integrimit në institucionet evro-atlantike. Vetëm para 25 vitesh as qytetarët e Bullgarisë e as ata të Rumanisë nuk besonin se nga një shoqëri e mbyllur do të kthehen në një shoqëri demokratike dhe të lirë, nuk besonin se do të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Më pas Kroacia dhe Shqipëria u pranuan në NATO, ndërkaq Kroacia arriti të bëhet edhe anëtarja e 28-të e BE-së. Ndërsa vendet tjera të Ballkanit Perëndimor bëjnë përpjekje për të hedhur hapa të vendosura në drejtim të integrimit në Bashkimin Evropian. Anëtarësimin në NATO vendet e Ballkanit e perceptojnë si një hap paraprak për anëtarësim në BE. Ndërkaq besohet se me zgjerimin e NATO-s në Ballkan do të përhapet edhe më shumë demokracia evropiane dhe stabiliteti në këtë rajon. Mund të themi se mundësia që në Ballkan të përjetohen sërish ngjarjet e dhunës në përmasa të luftës është shumë e ulët për shkak të gjitha këtyre arsyeve.

Siç dihet pakicat në Ballkan janë përdorur si një shkëndijë për fillimin e konflikteve gjatë viteve të 90-ta. Ndërsa objektivi i integrimit në institucionet evropiane dhe atlantike që zë vend në themelet e politikave të jashtme të vendeve të Ballkanit, ka ndikuar në bërjen e rregullimeve në statusin ligjor dhe politik të pakicave në vendet e rajonit. Edhe pse në vendet e Ballkanit në pakica nuk shikohet me syrin e pasurisë kulturore, mundësia për të nxitur konfliktet e brendshme përmes pakicave ose për të sulmuar vendet fqinje është zhdukur.

Disa zhvillime pozitive në këtë drejtim që u jetuan në Ballkan viteve të fundit, nuk do të thotë se janë zgjidhur në tërësi problemet në rajon. Në të vërtet në territoret e ish-Jugosllavisë vetëm Sllovenia dhe Kroacia arritën në një shkallë të caktuar të stabilitetit. Ndërsa në Kosovë, Serbi, Bosnje-Hercegovinë dhe Maqedoni tensionet e vjetra vazhdojnë në një masë të caktuar. Ndërkaq disa zhvillime që u jetuan në Bosnje-Hercegovinë dhe Kosovë rikrijuan nevojën për politika të menaxhimit të krizave.

Në përgjithësi në rajon vazhdojnë në një masë të caktuar politikat e bazuara në nacionalizmin dhe identitetin etnik. Herë pas here rifillojnë debatet mbi problemet e bazuara në identitetin etnik. Në anën tjetër niveli i ulët i mirëqenies nxitë tendencat e ekstremit të krahut të djathtë. Sipas parashikimeve të FMN-së niveli i prodhimit të brendshëm bruto (PBB) i Turqisë, i llogaritur në bazë të paritetit të fuqisë blerëse në vitin 2014, ka qenë 95% të PBB-së të përgjithshme të 10 vendeve të Ballkanit. Vetëm ky përcaktim është tregues i zhvlerësimit të mirëqenies në vendet e Ballkanit. Ndoshta edhe në të ardhmen disa grupe margjinale që dalin kundër bashkëjetesës së grupeve të ndryshme etnike, do të vazhdojnë të krijojnë mosbesim mes banorëve të Ballkanit. Mirëpo duke u nisur nga kushtet rajonale dhe ndërkombëtare, të cilat janë në interes të Ballkanit, mund të themi se ata që përkrahin copëtimin e mëtutjeshëm të rajonit do të dështojnë.

Autor: Dr. Erhan Turbedar


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme