Operacioni “Burimi i Paqes”

Qëllimi ynë është paqja
objektivi është terrorizmi

Koment – Problemet thelbësore të kaosit në Lindjen e Mesme

Lindja e Mesme është përfshirë viteve të fundit në një proces kaosi dhe anarkie të thellë. Por është shumë e vështirë të përcaktohet data apo ngjarja fillestare e këtij procesi.

Koment – Problemet thelbësore të kaosit në Lindjen e Mesme

Koha dhe ndodhia, që kanë nisur kaosin e anarkinë në Lindjen e Mesme janë të diskutueshme. Ndoshta së pari mund të hidhet një shikim mbi të kaluarën e afërt dhe mbi shembujt e rrënimit pas Pranverës Arabe të 2011-s. Mirëpo edhe në këtë rast ngrihet pyetja: Përse nisi dhe përfundoi Pranvera Arabe? Kjo pyetje e bën të pashmangshëm një shikim më të hershëm në retrospektivë. Sipas një këndvështrimi, pika fillestare e procesit në fjalë përbëhet nga pushtimi i Kuvajtit nga Iraku në 1990-n dhe më pas nga pushtimi i Irakut nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 2003. Ndërsa sipas një tjetër pikëpamjeje, shkaktar është revolucioni i 1979-s në Iran dhe lufta 8-vjeçare Iran-Irak, që filloi menjëherë pas tij. Megjithatë, bazuar në një aspekt më tërësor, pikënisja e procesit të kaosit në Lindjen e Mesme lidhet ngushtë me shpërbërjen e Perandorisë Osmane në fund të Luftës I Botërore (1914-1918) dhe rrjedhimisht me strukturimin e keq pas saj.

Realisht, problemi thelbësor i kaosit të sotëm në Lindjen e Mesme daton rreth një shekull më parë, kur vendet perëndimore e trajtësuan rajonin sipas interesave të tyre. Lindja e Mesme është një rezultat i shteteve, kufijve dhe politikave të formuara nën kontrollin e perëndimorëve. Aktorët kozmopolitë, heterogjenë dhe shoqërorë të rajonit u vunë nën tutelën dhe mbikëqyrjen e shteteve autoritare. Diktatorët dhe ideologjitë u orvatën që të homogjenizojnë shoqëritë e rajonit për të krijuar kombe të reja. U kërkua me doemos që grupet e shumta etnike, ideologjike, fetare dhe sektare, me veçori katërçipërisht të ndryshme, të njëtrajtësohen (standardizohen) sipas ngjyrës së ideologjisë shtetërore.

Diktatorët e rajonit, ndërkohë që në politikën e brendshme bënë përpjekje për të vendosur rendin nëpërmjet metodave represive, në politikën e jashtme zhvilluan bashkëpunime dhe aleanca me aktorët ndërkombëtarë, që i mbështesnin më tepër. I ndërtuar në këtë mënyrë, sistemi i shteteve të Lindjes së Mesme ka pësuar ndryshime të pjesshme deri në periudhën e Luftës së Ftohtë, por në esencë ka mbetur gjithnjë i njëjtë. Procesi ka avancuar nën ndikimin e diktatorëve dhe fuqive të mëdha ndërkombëtare përkrahëse së tyre. Popujt, organizatat e shoqërisë civile dhe individët kanë qenë të paefektshëm ose nuk kanë luajtur dot role përcaktuese. Sigurisht që kjo nuk do të thotë se shoqëria civile s’ka ekzistuar fare. Përkundrazi, përgjatë shekullit të 20-të në të gjithë rajonin ka pasur lëvizje popullore të fuqishme dhe gjerësisht të përhapura. Shembujt më konkretë janë lëvizjet islame, si Vëllazëria Myslimane, por edhe partitë apo grupet opozitare të majta dhe liberale. Megjithatë, kjo opozitë nuk ka marrë dot pjesë aktive në politikë, duke mos pasur ndikim në shtet. Arsyet e kësaj janë të shumta, por si më të rëndësishme mes tyre mund të rendisim organizimin dhe forcën e pamjaftueshme të opozitës, që për pasojë e bënte të pambrojtur ndaj presioneve kombëtare dhe ndërkombëtare.

Tashmë kësaj gjeopolitike të Lindjes së Mesme i ka kaluar koha, ajo nuk është më e përshtatshme për të sotmen. Mbarimi i Luftës së Ftohtë, vala e globalizimit dhe së fundmi Pranvera Arabe, i kanë tronditur fuqishëm themelet e statuskuosë në rajon, duke shembur këtë rend të shekullit të 20-të. Kjo do të thotë se rendi dhe struktura e ndërtuar në qindvjeçarin e shkuar ka dështuar në arritjen e objektivave. Zhvillimet në Irak, Liban, Palestinë, Egjipt, Libi, Jemen dhe Siri janë provë e qartë dhe e pakundërshtueshme për sa më sipër. Krahas tyre, nuk do të ishte një opinion i gabuar as përfshirja gjithashtu e Turqisë, Iranit, Arabisë Saudite dhe vendeve të tjera. Vetëm se këto të fundit, duke qenë se gëzojnë disa veçori dhe aftësi tipike, janë shumë më pozitive dhe me avantazh sesa vendet e tjera të rajonit. Si shembull për situatën në fjalë mund të paraqiten Turqia me Iranin për eksperiencat dhe avantazhet e fuqishme historike, por edhe Arabia Saudite për mbështetjen gati të pakursyer, që merr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe koniunktura ndërkombëtare. Në këto vende, dora e shtetit vazhdon të jetë e fuqishme.

Megjithatë, avantazhet e lartpërmendura nuk nënkuptojnë se Turqia, Irani dhe Arabia Saudite janë imune ndaj transformimeve dhe destabilitetit në vendet e tjera të rajonit. Shembulli më konkret për këtë rast është kaosi në Irak, Liban dhe Siri, që padyshim ka një ndikim të thellë edhe në tri shtetet më të fuqishme rajonale. Të gjitha zhvillimet në rajon tërheqin brenda vorbullës kaotike edhe këto vende. Cilado qoftë arsyeja, Turqia, Irani dhe Arabia Saudite pozicionohen në qendër të Lindjes së Mesme të sotme, ku shembulli më aktual dhe tipik është Siria.

Kohëve të fundit, rendi i ditës vërtitet rreth sesisë së themelimit e zhvillimit të balancave dhe politikave të reja në Lindjen e Mesme, rajon ky që po ndërtohet, përkufizohet dhe trajtësohet nga e para, ashtu si dhe në fillim të shekullit të 20-të. Mirëpo ky proces i ri po zhvillohet sipas kritereve, rrethanave dhe standardeve të ndryshme nga ato të qindvjeçarit të shkuar, tri prej të cilave janë shumë të rëndësishme:

Së pari; Lindja e Mesme e ditëve të sotme po formohet brenda sistemit global. Rolin e Britanisë së Madhe dhe Francës në skenë e kanë marrë përsipër fuqi globale si SHBA-të, Rusia dhe Kina. Aktorët në fjalë nuk veprojnë sipas kokës së tyre, por në bashkëpunim ose rivalitet me aktorët e tjerë globalë dhe rajonalë.

Së dyti; në formacionet e reja të rajonit nuk po dalin në plan të parë shtetet autoritare, siç ndodhte në shekullin e 20-të, por dinamika shoqërore: Revoltat sociale të Pranverës Arabe; aleancat etnike dhe sektare në Irak, Siri dhe Liban; organizatat terroriste DAESH, Al-Kaida dhe PKK; apo lëvizjet demokratike civile si ato në Turqi... Të gjithë këta aktorë heterogjenë janë faktikisht shkaqet e vuajtjeve dhe torturave të sotme.

Së treti; është shfaqur nevoja për qeveri dhe regjime të tipit demokratik dhe ende nuk është qartësuar sesi do të formohen ato. Por jashtëzakonisht e qartë është se regjimet e bazuara tek modeli i shtet-kombit autoritar, si ato të shekujve të 19-të dhe 20-të, tashmë nuk do të kenë më vlerë. Në vend të tyre, sot nevojiten mekanizma dhe arsyetime gjithëpërfshirëse, ku grupe të ndryshme të mund të bashkëjetojnë në harmoni përkrah njëri-tjetrit. Ndërtimi i vlerave dhe i institucioneve të afta që të mbajnë të bashkuara të gjitha grupet është bërë i pashmangshëm. Vlerat dhe institucionet në fjalë, krahas parimeve të demokracisë dhe të lirisë, duhet të përfshijnë gjithashtu parimet kulturore dhe fetare autentike të rajonit. Shkurtimisht, që Lindja e Mesme e shekullit të 21-të të shpëtojë nga kaosi dhe anarkia nevojiten me doemos modele të reja.

 

Autor: Prof. dr. Ramazan Gozen
Pedagog i Shkencave Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin “Marmara”, Stamboll


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme