Koment – Vizita e Merkelit në Stamboll, sinjale të reja?!

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, realizoi një vizitë të ngjeshur njëditore në Stamboll, më datë 18 tetor. Përmbajtja e bisedimeve të ndara, që Merkel zhvilloi me Presidentin Erdogan dhe Kryeministrin Davutoglu, i ngarkuan vizitës një rëndësi kritike.

Koment – Vizita e Merkelit në Stamboll, sinjale të reja?!

Më shumë sesa marrëdhëniet e gjithanshme Turqi-Gjermani dhe anëtarësimi i Turqisë me të drejta të plota në Bashkimin Evropian, pikat kryesore të agjendës ishin problemet aktuale dhe rajonale. Mesazhet, që u pasqyruan në konferencat e përbashkëta të shtypit pas takimeve, ishin pozitive dhe të ngjashme në aspektin e këndvështrimit të liderëve ndaj çështjeve në rend të ditës. Kuptohej lehtësisht se këto nuk ishin takime diplomatike të zakonshme, por të tilla, që u japin start proceseve të reja apo që vendosin për avancimin e proceseve ekzistuese. Disa ekspertë hodhën pretendimin se vizita e Kancelares Merkel në Stamboll mund të jetë fillimi i një periudhe të re. Sigurisht që pikat kryesore të agjendës së vizitës nuk ishin peshimi tërësor i marrëdhënieve historike Turqi-Gjermani ose i procesit mbi 50-vjeçar të anëtarësimit të plotë të Turqisë në BE; por edhe çështjet aktuale ishin kaq të rëndësishme e jetike, saqë kishin të bënin drejtpërsëdrejti me këto dy pika kryesore dhe gjithëpërfshirëse.

Bisedimet e Kancelares Merkel me Presidentin Recep Tayyip Erdogan dhe me Kryeministrin Ahmet Davutoglu u karakterizuan nga 4 pika: 1- Qëndrimi i përbashkët kundër sulmeve terroriste, që po shënjestrojnë Turqinë. 2- Orvatjet për t’i gjetur zgjidhje krizës kronike të refugjatëve, me të cilën po përballen Turqia dhe vendet e Bashkimit Evropian. 3- Hyrja në fuqi e Marrëveshjes së Ripranimit dhe liberalizimi i vizave, që Gjermania dhe anëtaret e tjera të BE-së zbatojnë për qytetarët turq. 4- Hapja e kapitujve të rinj për gjallërimin e negociatave për anëtarësimin e Turqisë në Union.

Vizita e Merkelit në Stamboll ishte shumë domethënëse nga pikëpamja e politikës tradicionale të kancelares gjermane për Turqinë. Kjo për vetë faktin se ajo ka qenë dhe ka vepruar përherë kundër anëtarësimit të Turqisë me të drejta të plota në BE, duke mbrojtur idenë për ta mbajtur Turqinë jashtë Bashkimit Evropian apo për ta vendosur atë në një pozicion të paqartë, si “partneriteti i privilegjuar”. E parë në këtë prizëm, vizita në Stamboll e shefes së Berlinit zyrtar dhe disa deklarata të saj mund të perceptohen si zbutje e opinionit të Merkelit.

Kjo vizitë kritike e kancelares gjermane, çështjet në rend të ditës dhe zbutja e qëndrimit të saj karshi Turqisë, nxjerrin sheshit një të vërtetë: Duan ose jo liderët, Turqia dhe Gjermania apo Turqia dhe Bashkimi Evropian kanë nevojë për njëra-tjetrën në shumë fusha, madje janë të varura nga njëra-tjetra. Kjo nevojë dhe varësi reciproke, edhe pse në mënyra të ndryshme, kanë qenë gjithnjë të pranishme prej shekujsh dhe vijojnë ende sot e kësaj dite.

Sot, situata në fjalë vërehet sidomos tek kriza e refugjatëve. Lufta civile në Siri dhe rezultatet negative të saj tronditin fuqishëm jo vetëm Turqinë fqinje, por njëherësh vendet e BE-së dhe veçanërisht anëtaret me mirëqenie të lartë. Miliona emigrantë dynden vazhdimisht në portat e Turqisë dhe prej aty në dyert e shteteve anëtare të Unionit. Ky problem i përbashkët mund të zgjidhjet vetëm një politikë të përbashkët të Turqisë dhe BE-së. Por politika e përbashkët në fjalë nuk kufizohet vetëm me një mbështetje të caktuar financiare për Turqinë. Ajo nuk mund të limitohet as me liberalizimin e vizave dhe me implementimin, në këmbim të tij, të Marrëveshjes së Ripranimit nga Turqia; dy çështje këto që janë vazhdimisht në rend të ditës gjatë kohëve të fundit. Natyrisht që këto hapa janë të rëndësishme për zgjidhjen e problemeve në lidhje me refugjatët dhe anëtarësimin e Turqisë në BE, por njëherësh edhe të pamjaftueshme. Po ashtu, tepër e rëndësishme është që Gjermania, Bashkimi Evropian dhe bota perëndimore të mbështesin Turqinë në luftën e saj kundër terrorit; por pa u mjaftuar vetëm me një asistencë të kufizuar dhe kalimtare.

Pika, që kërkohet të theksohet me këta dhe një mori shembujsh të tjerë, është kjo: Gjendja e varësisë së ndërsjellë mes Turqisë, Evropës dhe BE-së është e pamundur të menaxhohet veç e veç apo me masa të përkohshme dhe lehtësuese; por edhe nëse është e mundur diçka e tillë, nuk është kurrsesi një metodë e qëndrueshme dhe efikase. Realisht, problemi thelbësor në marrëdhëniet Turqi-BE është implementimi dhe vazhdimi jo i ekuilibruar, i parregullt dhe inefektiv i procesit të anëtarësimit me të drejta të plota. Prej dekadash, procesi i anëtarësimit të Turqisë në Bashkimin Evropian ka vizatuar gjithmonë zigzage periodike. Si pasojë e këtij procesi, që avancon me lëvizje të vazhdueshme para-mbrapa, Turqia ka mbetur pas shteteve, që i kanë nisur negociatat për anëtarësim shumë kohë pas saj.

Rrjedhimisht, realizimi i anëtarësimit të Turqisë në BE është kusht që Gjermania dhe e gjithë Evropa të mos preken nga problemet aktuale dhe ato të së ardhmes. Dakord, por vallë a është vizita e Merkelit në Stamboll një hap në këtë drejtim? Helbete jo. Sepse kancelarja gjermane nuk i ofroi Turqisë mbështetje absolute për hapjen e kapitujve të rinj negociues as gjatë kësaj vizite. Siç është bërë e ditur, në vend të 6 kapitujve të kërkuar nga Ankaraja, ajo ka propozuar hapjen e vetëm 3 kapitujve. Kështu që Angela Merkel ende s’duket e vullnetshme sa i takon përshpejtimit të procesit të anëtarësimit të Turqisë në Bashkimin Evropian. Kuptohet lehtësisht që objektivi real i vizitës së saj në Stamboll ishte sigurimi i mbështetjes urgjente të Turqisë për një zgjidhje emergjente të krizës së refugjatëve.

Mirëpo përparimet dhe ndryshimet e menjëhershme tek liderët dhe proceset politike vërehen shumë pak, për të mos thënë aspak. Të presësh që Merkeli dhe liderë të tjerë të BE-së si ajo do të përkrahin me shpejtësi anëtarësimin e Turqisë në Union nuk është gjë tjetër veçse ëndërr. Megjithatë, problemet dhe zhvillimet praktike ndonjëherë krijojnë rrethana të atilla, që i detyrojnë liderët dhe zyrtarët të pozicionohen sipas kushteve të reja. Nuk do ishte aspak befasi që Gjermania dhe shtetet e tjera anëtare të Bashkimit Evropian, të cilat po hasin vështirësi të mëdha përballë krizës siriane, asaj ukrainase, DAESH-it, operacioneve ushtarake ruse dhe problemeve të tjera ndërkombëtare, të vihen në kërkim të një pozicionimi të ri. Vizita në Stamboll duket sikur i dha disa sinjale në këtë kontekst.

 

Autor: Prof. dr. Ramazan Gozen
Pedagog i Shkencave Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin “Marmara”, Stamboll


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme