Operacioni “Burimi i Paqes”

Qëllimi ynë është paqja
objektivi është terrorizmi

Instrumenti i përqasjes së Ballkanit në zhvillim dhe BE

Vendet e Ballkanit Perëndimor vazhdojnë të hedhin hapa të rëndësishme në procesin e integrimit në BE.

Instrumenti i përqasjes së Ballkanit në zhvillim dhe BE

Zgjerimi vazhdon të jetë njëra prej politikave kyçe e Bashkimit Evropian. Krahas vështirësive të ndryshme vendet e Ballkanit Perëndimor vazhdojnë të hedhin hapa të rëndësishme në procesin e integrimit në BE. Qysh prej fillimit të procesit mekanizmi i zhvillimit i Bashkimit Evropian ndihmoi në reformimin e shtetit dhe ekonomisë, përmirësimin e cilësisë së demokracisë dhe rritjen e efikasitetit të institucioneve publike në Ballkan. Në pikën e arritur vendet e Ballkanit Perëndimor duke hedhur edhe hapa shtesë në nivel rajonal, përpiqen për ti zhvilluar ekonomitë e tyre dhe për të përshpejtuar procesin e integrimit në BE.

Kohëve të fundit në bashkëpunimin rajonal mes vendeve të Ballkanit ka filluar të dominojnë çështjet ekonomike si përmirësimi i kushteve të jetesës, konkurrencës dhe zhvillimit. Edhe sondazhet e zhvilluara tregojnë se banorët e këtij rajoni papunësinë dhe gjendjen e përgjithshme ekonomike e perceptojnë si problem themelor të rajonit.

Vendet e Ballkanit me vite të tëra nuk arrin të renditen në mesin e vendeve me ekonomi në rritje. Kështu që pjesa e vendeve të Ballkanit në Prodhimin e Brendshëm Bruto botërore në vitin 1980 ishte 0,38%, ndërsa në vitin 2008 kjo shifër stagnoi në 0,18%. Pas këtij viti, problemet aktuale socio-ekonomike të vendeve të Ballkanit u thelluan edhe më shumë edhe me ndikimin e krizës ekonomike globale. Të ardhurat për kokë në vendet e Ballkanit Perëndimor në ditët e sotme janë afërsisht 38% e të ardhurave për kokë në vendet e BE-së.

Sipas raportit të publikuar me titull “Barometri i Ballkanit 2015”, 28% e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor nuk janë në gjendje për ti paguar qiratë dhe faturat, 20% prej tyre nuk ia dalin të ngrohen në mënyrë të mjaftueshme gjatë dimrit, 40% e tyre janë të shqetësuar se mund të bien në skamje, ndërsa 36% e tyre janë të shqetësuar se do të mund të humbasin punën. Në anën tjetër edhe bota e biznesit ka probleme të ndryshme. Vitin e kaluar 40% të kompanive të Ballkanit Perëndimor u detyruan ti gjejnë zgjidhje pagesave të vonuara. Shumica e këtyre kompanive pati probleme edhe me qasjen në financa.

Për shkak të bazës së ngushtë të sektorit privat, vendet e Ballkanit Perëndimor ndjejnë nevojën e rrjedhës së vazhdueshme të investimeve të huaja për të rritur fuqinë konkurruese dhe për tu rritur nga aspekti ekonomik. Me vetëdijen se nuk mund ti kapërcejnë lehtë vetë këto lloj sfidash vendet e Ballkanit Perëndimor kërkojnë rrugëdalje me hedhjen e hapave në nivel rajonal, bashkëveprim me vende tjera, sigurimin e interesave të përbashkëta dhe në përqasjen sa më të afërt me Bashkimin Evropian.

Samiti i Vendeve të Ballkanit Perëndimor, i mbajtur në Vjenë më 27 gusht 2015, ku u shqyrtuan projektet për përmirësimin e lidhjeve të transportit dhe energjisë në rajon, ishte ngjarja më e rëndësishme rajonale e vitit. Krahas samitit të Vjenës edhe samiti i Berlinit, i mbajtur vitin e kaluar dhe samitet e Parisit dhe Romës që do të mbahen gjatë
dy viteve të ardhshme japin impulse pozitive për reformat që duhen zbatuar në rrugën drejt integrimit në BE.

Niveli në të cilin ka arritur bashkëpunimi rajonal në Ballkanin Perëndimor bëri që të ndjehet nevoja edhe për përkrahje të fortë parlamentare. Kështu që disa forume parlamentare të realizuara në rajon lehtësojnë komunikimin rajonal ndërsa kontribuojnë edhe në qasjen rajonale dhe në procesin e integrimit në BE. Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, (RCC) me seli në Sarajevë është institucioni më i rëndësishëm, i cili bashkon vendet e Ballkanit në interesat e përbashkëta. Ky institucion jep kontribute të rëndësishme në zhvillimin e bashkëpunimit rajonal, gjithashtu përkrahë edhe reforma politike, ekonomike, sociale dhe institucionale në vendet e rajonit. Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, i cili është edhe një degë operacionale e Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP), kohëve të fundit përpiqet të hedh hapa edhe në drejtim të përmirësimit të kushteve të rritjes, punësimit dhe konkurrencës në rajonin e Ballkanit.

Me përkrahjen e këtyre institucioneve dhe aktiviteteve të realizuara në nivel rajonal, vendet e Ballkanit mundohen të krijojnë një këndvështrim të ri për veten e tyre. Ata duan që rajoni i Ballkanit të mos perceptohet si një rajon i paqëndrueshëm, por si një rajon që lufton me skamjen, që forcon institucionet shtetërore, që përpiqet të tërheq investimet e huaja dhe që interesohet me kushtet e jetesës së qytetarëve të saj. Mirëpo vendet e Ballkanit duhen të hedhin edhe më shumë hapa në lidhje me këto çështje. Ndërsa për të përshpejtuar procesin e integrimit në BE, vendet përkatëse të rajonit do të duhen të hedhin hapa më të vendosura edhe në nivel kombëtar edhe në atë ndërkombëtar në drejtim të zhvillimit të shtetit ligjor, qeverisjes ekonomike dhe kapaciteteve të tyre administrative.

Autor: Dr. Erhan Turbedar

Shqipëroi: Ercan MUHARREMI


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme