Koment – Politika e jashtme e administratës Obama

A është e suksesshme apo dështake politika e jashtme e Obamas? Cilat janë hapat e mëdha, që Obama ka bërë që nga zgjedhja e tij President i SHBA-ve në vitin 2009 dhe çfarë rezultatesh kanë sjellë ato?

Koment – Politika e jashtme e administratës Obama

Edhe pse mandati presidencial i Barack Obamas në Shtetet e Bashkuara të Amerikës përfundon pas më shumë se një viti, politikat e tij kanë nisur të debatohen që tani. Në krye të këtyre renditet performanca e politikës së jashtme. Në rend të ditës qëndrojnë pyetjet: A është e suksesshme apo dështake politika e jashtme e Obamas? Cilat janë hapat e mëdha, që Obama ka bërë që nga zgjedhja e tij President i SHBA-ve në vitin 2009 dhe çfarë rezultatesh kanë sjellë ato? Për t’iu përgjigjur sa më saktë këtyre pyetjeve duhet më parë të përqendrohemi edhe tek shembujt konkretë nga sfondi i përgjithshëm.

E parë nga një këndvështrim i gjithanshëm, politika e jashtme e administratës Obama është tepër ndryshe nga ajo e pararendëses dhe bazohet në parimin e shumanësisë. Krahasuar me periudhën 2000-2008 të administratës Bush, i cili ishte dhe kreu paraardhës i Shtëpisë së Bardhë, Presidenti Barack Hussein Obama II ka zgjedhur metodën e bashkëpunimit me aktorët rajonalë e globalë për zgjidhjen e problemeve ndërkombëtare. Shembulli më i rëndësishëm në këtë kuadër është procesi i bisedimeve bërthamore me Iranin, zhvilluar bashkë me grupin P5+1. Përveç kësaj çështjeje, bashkëpunimi me fuqitë globale ka qenë i vlefshëm kryesisht edhe në krizën ekonomike ndërkombëtare, problemet në Ukrainë e Afganistan, ristrukturimin e NATO-s dhe në problemet mjedisore me interes botëror. Edhe pse mund të mos kenë prodhuar përfundime aq të suksesshme sa procesi i bisedimeve bërthamore me Iranin, secili prej këtyre bashkëpunimeve ka kontribuuar sadopak në krijimin e një klime më të butë dhe të moderuar në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Një tjetër dallim i përgjithshëm i Presidentit Obama është ndryshimi i politikës së Bushit për luftën antiterror. Ai ka bërë të mundur vrasjen e liderit të Al-Kaedës, Osama bin Laden; si dhe ka ndryshuar qasjen e luftës kundër terrorit në Afganistan, Irak dhe vende të tjera. Nga ana tjetër, Obama është përpjekur që të thyejë paragjykimin e përgjithshëm në SHBA, ku Lindja e Mesme dhe vendet islame shikohen si vatra terrori. Mirëpo në këtë pikë është vështirë të flasim për sukses; sepse disa organizata terroriste, veçanërisht DAESH/ISIS-i në Siri dhe Irak, e kanë detyruar Obaman që të bëjë hapa serioze prapa.

Ana tjetër e spikatur e performancës së politikës së jashtme të Obamas ka të bëjë me hapat radikalë në drejtim të zgjidhjes së krizave dhe problemeve historike. Në këtë suazë ia vlen të përmenden tri shembuj mjaft të rëndësishëm, secili prej të cilëve do të lërë gjurmë të thella, ndoshta të përhershme, në politikën e jashtme dhe historinë e SHBA-ve, por edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare. I pari ka të bëjë me marrëveshjen bërthamore ndërmjet grupit P5+1 dhe Iranit, një zhvillim ky që i dha zgjidhje krizës gati 35-vjeçare Uashington-Teheran. I dyti është në lidhje me heqjen e embargove të SHBA-ve ndaj Kubës dhe rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike, hap ky që solli fundin e një problemi afro gjysmëshekullor mes dy vendeve. I treti llogaritet roli dhe kontributi amerikan në përpjekjet për demokratizimin e një sistemi rajonal pothuajse shekullor, duke ndezur fitilin e Pranverës Arabe. Sakaq, në agjendën e Presidentit Obama ka edhe një pikë të katërt, por që deri tani ka qenë e pamundur të vihej në zbatim. E kemi fjalën për zgjidhjen e problemit palestinez. Hapat e bëra nga kreu i Shtëpisë së Bardhë në këtë drejtim kanë ngjallur shpresat për themelimin e shtetit palestinez, por pa rezultat. Edhe pse mund të rendisim ende disa shembuj të tjerë, asnjëri prej tyre nuk ka qenë në nivelin e të sipërcituarve nga aspekti i politikës së jashtme të Obamas.

Ndërkaq, nuk janë të paktë as shembujt, të cilët kanë hyrë që tani në histori si dështime të politikës së jashtme të Presidentit Obama. Në krye të tyre qëndrojnë politikat mbi Egjiptin dhe Sirinë. Pavarësisht se luajti një rol pozitiv në fillimin e Pranverës Arabe, Barack Obama nuk arriti të parandalojë përmbysjen e këtij procesi. Shembuj të rëndësishëm të dështimit të politikës së jashtme të administratës Obama janë paefektshmëria e vullnetshme ose e pavullnetshme kundër puçit ushtarak të Sisit në Egjipt, ndaj agresivitetit dhe barbarisë së regjimit të Esadit në Siri, si dhe për zgjidhjen e problemeve në Libi, Jemen e Irak. Por më i rëndësishmi mes shembujve dështakë të politikës së jashtme të Obamas rezulton pamundësia për ndalur krijimin, zgjerimin dhe avancimin e organizatës terroriste DAESH. Administrata Obama, e cila nuk qe në gjendje të parashikojë dhe parandalojë fanitjen e kësaj organizate terroriste, në muajin gusht 2014 hartoi një strategji 4-fazore për të luftuar kundër DAESH-it. Në këtë kontekst, Uashingtoni kërkoi operacione ajrore, bashkëpunim me fuqitë rajonale, bllokimin e burimeve financiare dhe garantimin e kontrolleve kufitare kundër kësaj organizate terroriste. Mirëpo nëse i hedhim një shikim situatës së sotme, do të vërejmë fare lehtë se lufta kundër DAESH-it nuk ka dhënë ende ndonjë rezultat serioz. Ky grup vazhdon të jetë mjaft aktiv në Irak e Siri. Sigurisht që e gjithë pesha e dështimit në lidhje me këtë çështje nuk mund t’i ngarkohet Uashingtonit, pasi aty kanë pjesën e tyre edhe vendet e tjera anëtare të koalicionit, por dobësia dhe paaftësia e administratës Obama për të operuar me efikasitet strategjinë e koalicionit është e paneglizhueshme.

Megjithatë duket se të gjitha këto probleme dhe shumë të tjera kanë mbetur nën hijen e marrëveshjes bërthamore me Teheranin. Madje, në rast se akordi në fjalë zbatohet plotësisht me sukses, parashikohet se ndryshime pozitive mund të ketë edhe në problemet e tjera. I drejtë mund të jetë edhe pretendimi se marrëveshja bërthamore, përveçse do të zhvillojë marrëdhëniet SHBA-Iran, do të ketë pasqyrime të dobishme edhe në çështjet e tjera rajonale. Sipas parashikimeve, përmirësimi dhe përparimi i marrëdhënieve Uashington-Teheran do të krijojë shanse mjaft serioze për zgjidhjen e problemeve të tjera; gjë kjo që do të ketë padyshim reflektime pozitive në performancën e politikës së jashtme amerikane.

Që këto shanse të krijohen dhe më pas të rezultojnë të suksesshme, duhet megjithatë që procesi të mbështetet edhe nga vendet e rajonit. Mjaft shtete të këtij rajoni të botës, si Turqia dhe Iraku, e kanë mbështetur pa rezerva procesin e marrëveshjes. Por krahas tyre, duhet që në këtë proces të marrin pjesë dhe ta mbështesin gjithashtu Arabia Saudite, vendet e Gjirit Persik dhe në veçanti Izraeli. Për t’i dhënë marrëveshjes me Iranin shansin për të prodhuar rezultate pozitive, pritet që ajo të përhapet në shkallë rajonale dhe globale.

Shembulli i fundit, që do të trajtësojë dëftesën e politikës së jashtme të Obamas, do të jetë performanca në lidhje me luftën civile në Siri. Presidenti aktual i Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të lakohet gjithnjë në varësi të ecurisë së zgjidhjes së krizës siriane. Nga ana tjetër, qëndrimi i vendosur i Obamas kundër organizatave terroriste, si DAESH-i dhe PKK-ja, do të fuqizojë patjetër imazhin e tij në rajon. Apogjeu i politikës së jashtme të administratës Obama, pas manovrave të suksesshme në lidhje me Iranin dhe Kubën, do të ishte vendosja e një paqeje pa Esadin në Siri.

 

Autor: Prof. dr. Ramazan Gozen
Pedagog i degës së Shkencave Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare pranë Universitetit “Marmara” në Stamboll


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme