Koment – Doktrina fetare në luftën e Turqisë kundër DAESH-it

Autoriteti turk i Çështjeve Fetare (Diyanet) ka miratuar një raport, ku pranohet një hartë rrugore për zbatimin e mjeteve, metodave dhe mendimeve fetare në luftën kundër DAESH-it.

Koment – Doktrina fetare në luftën e Turqisë kundër DAESH-it

Lufta e Turqisë kundër organizatës terroriste DAESH është intensifikuar dhe përhapur vazhdimisht gjatë javëve të fundit. Politika e Ankarasë për DAESH-in, që ajo e ka shpallur organizatë terroriste në muajin tetor 2013, është vënë në veprim në varësi të zhvillimeve në Siri. Sulmi terrorist i datës 20 korrik 2015 në qytezën Suruç të provincës juglindore turke, Sanliurfa, ka rezultuar një pikë thyerjeje serioze. Në kuadër të marrëveshjes së arritur me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Turqia nisi të godasë nga ajri pozicionet dhe terroristët e DAESH-it, por njëherësh edhe të arrestojë anëtarët e kësaj organizate nëpërmjet masave policore. Megjithatë lufta e Turqisë kundër terrorit të DAESH-it nuk kufizohet vetëm me masa sigurie ushtarako-policore.

E parë nga ana teorike, lufta kundër organizatës terroriste DAESH nuk mund të rezultojë fort e suksesshme vetëm me anë të masave të sigurisë. Krahas tyre, duhet që të neutralizohet edhe mentaliteti i DAESH-it. Sepse rreziku i vërtetë i këtij grupi terrorist është propaganda, që ai bën për njerëzit në përgjithësi dhe të rinjtë në veçanti, duke përdorur fenë islame. Rekrutimi i luftëtarëve të rinj nuk mund të frenohet pa u shpalosur botërisht pavlefshmëria e kësaj propagande dhe pa u parandaluar pjesëmarrjet në këtë organizatë terroriste nuk mund të arrihet një rezultat i qëndrueshëm nëpërmjet masave ushtarako-policore të sigurisë.

Në kontekstin e kësaj teorie, Turqia ka bërë një manovër shumë të zgjuar me qëllim luftën kundër DAESH-it. Autoriteti turk i Çështjeve Fetare (Diyanet) ka miratuar një raport, ku pranohet një hartë rrugore për zbatimin e mjeteve, metodave dhe mendimeve fetare në luftën kundër DAESH-it. Sipas raportit në fjalë, Autoriteti i Çështjeve Fetare do të shtrijë në të gjithë territorin e Turqisë punimet për zhvlerësimin e propagandës fetare të DAESH-it. Nëpër xhamitë, kurset, njësitë e tjera të Diyanet-it dhe media do të shpalosen gabimet dhe shtrembërimet e nocioneve dhe argumenteve fetare, që shfrytëzohen nga organizata terroriste DAESH. Do të bëhen përpjekje të fuqishme që populli dhe në veçanti rinia të marrin njohuri islame të sakta në këtë drejtim.

Çështjet dhe mesazhet themeltare, tek të cilat do të ketë një përqendrim të posaçëm në këtë kontekst, janë: Xhihad (luftë në rrugën e Zotit) nuk do të thotë të presësh koka e të bësh masakra. Agresiviteti i botëkuptimit fetar selefist përkundrejt simboleve nuk është i drejtë. Rruga për në xhenet nuk kalon nga vrasja e njerëzve. Dallimet sektare dhe fetare nuk nënkuptojnë takfirin (apostazi), pra daljen e të tjerëve nga feja. Vrasja e njerëzve me botëkuptime fetare të ndryshme s’është gjë tjetër veçse terrorizëm. Prandaj do të shpjegohet se asnjë nga këto nuk është në përshtatje me konceptin islam.

Një pikë e rëndësishme, që nënvizohet në raportin e Autoritetit turk të Çështjeve Fetare, është fakti që aktet e DAESH-it nuk godasin, dëmtojnë dhe denigrojnë vetëm viktimat e tyre; por njëherësh të gjithë myslimanët dhe islamin. Raporti i Diyanet-it është gjithashtu një apel, drejtuar të gjithë dijetarëve islamë dhe vendeve myslimane, për bashkëpunim të ngushtë në luftën kundër DAESH-it. Sepse ndër arsyet e përhapjes së kësaj organizate terroriste renditen pjesërisht botëkuptimet dhe mësimdhëniet fetare të gabuara në vendet islame e pjesërisht mungesa e dialogut dhe konsensusit mbi këtë çështje ndërmjet shteteve.

Sigurisht që fanitja e DAESH-it është provokuar gjithashtu nga problemet politiko-ushtarake në vendet islame dhe Lindjen e Mesme. Këto probleme politike keqpërdoren nga organizatat terroriste, si DAESH-i dhe Al-Kaeda. Shumë jetik është edhe kontributi negativ, që veçanërisht buron nga vende me sisteme pjesërisht imperialiste dhe pjesërisht diktatoriale, si Iraku e Siria. Fare e qartë është edhe se politikat e gabuara ndërkombëtare përgatisin terren të përshtatshëm për organizata terroriste si DAESH-i. Por, cilado qofshin problemet politike apo ndërkombëtare, duhet penguar me çdo kusht që vlerat e shquara, hyjnore dhe fisnike të islamit të bëhen mjet për këto probleme. Vendet dhe autoritetet e interesuara duhet të bashkëpunojnë me doemos.

Mes aktorëve të interesuar, një grup i rëndësishëm përbëhet nga institucionet fetare dhe politike në vendet perëndimore, por edhe nga drejtuesit e tyre. Siç dihet, një pjesë e konsiderueshme e burimeve njerëzore të DAESH-it sigurohet nga vendet evropiane dhe SHBA-të. Nëse do të ketë një luftë doktrinore kundër DAESH-it, atëherë duhen penguar gjithashtu institucionet fetare në vendet perëndimore, si xhami apo kurse; si dhe ato politike, të cilat në një farë mënyre bëjnë lëshime dhe ndoshta i mbështesin ato.

Tjetër problem me peshë kolosale në këtë aspekt përbëjnë shtrembërimet islamofobike dhe problemet arsimore në lidhje me fenë islame dhe rininë myslimane në shtetet perëndimore. Pikërisht këtu duhen shtruar disa pyetje: Si dhe përse të rinjtë myslimanë, që jetojnë në vendet perëndimore dhe shkollohen në institucionet e zhvilluara arsimore të perëndimit, arrijnë deri në atë pikë sa t’i bashkohen DAESH-it? Cili është roli i sistemit arsimor perëndimor në burimin e problemeve të rinisë myslimane, që bëhet pjesë e DAESH-it? A mos janë të pamjaftueshme kurrikulat arsimore të vendeve perëndimore për edukimin e të rinjve myslimanë? Apo mos vallë problemi qëndron tek familjet, rinia dhe shoqëritë myslimane, të cilat nuk arrijnë të përfitojnë sa duhet nga ky arsim? Ç’është më e rëndësishmja; si mund të eliminohen këto probleme dhe rrjedhimisht si mund të parandalohen pjesëmarrjet në organizata terroriste të llojit të DAESH-it?

Pyetjet dhe problemet e sipërcituara nuk vlejnë vetëm për vendet myslimane dhe ato perëndimore, por njëkohësisht për të gjithë sistemin dhe shoqërinë globale. Në thelb, DAESH-i është një problem gjithëbotëror. Prandaj i tërë njerëzimi duhet të mësojë drejt mesazhin e islamit dhe anembanë rruzullit tokësor duhet shpjeguar se një mysliman i drejtarsimuar nuk do t’i bashkohej kurrë organizatave si DAESH. Edhe diçka tjetër; bota perëndimore në veçanti dhe shtetet aleate rajonale e globale në përgjithësi, duhet të rishikojnë politikat e tyre të gabuara në lidhje me botën islame dhe vendet e Lindjes së Mesme në mënyrë që DAESH-it mos t’i shërbehen materiale abuzive. Mbi të gjitha, problemeve të brendshme dhe të jashtme, shkaktare të luftërave në vende si Iraku dhe Siria, u duhen gjetur patjetër zgjidhje të drejta dhe të qëndrueshme.

 

Autor: Prof. dr. Ramazan Gozen
Pedagog i degës së Shkencave Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare pranë Universitetit “Marmara” në Stamboll


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme