Koment – Strategjia e re e Turqisë pas sulmit terrorist në Suruç

Pas sulmit terrorist të 20 korrikut në Suruç, ku humbën jetën 32 persona, Turqia po bëhet skenë e zhvillimeve historike.

Koment – Strategjia e re e Turqisë pas sulmit terrorist në Suruç

Fillimisht erdhën sulmet e njëkohshme terroriste të PKK-së, organizatë kjo që martirizoi disa efektiva të ushtrisë e policisë turke, por edhe u preu rrugën e u dogji makinat shumë civilëve në Adiyaman, Ceylanpinari, Diyarbakir dhe në provinca të tjera të vendit. Kështu, përshkallëzimi i terrorit ndryshoi papritmas edhe agjendën sociopolitike të Turqisë. Teksa nga aspekti social është krijuar një ndjenjë shqetësimi në popull, nga këndvështrimi politik qeveria e përkohshme e Partisë AK bëri një manovër ushtarake shumë të madhe. Avionët luftarakë turq goditën pozicionet e DAESH-it në Siri dhe ato të PKK-së në Irak. Siç bëjnë të ditur burime të ndryshme, operacionet me objektiva të parapërcaktuara, që ushtria turke realizon gati çdo ditë, po shkaktojnë dëme serioze në radhët e terroristëve të DAESH-it dhe PKK-së. Në këtë mënyrë, Republika e Turqisë ka riaktivizuar, për herë të parë pas 3-4 vitesh, politikën e sigurisë ushtarake kundër terrorit.

Një zhvillim i rëndësishëm, që ka spikatur menjëherë në këtë proces, ka të bëjë me aleatët e NATO-s, të cilët dënuan fuqishëm sulmet terroriste kundër Turqisë dhe reaguan pozitivisht karshi operacioneve ajrore të saj. Të gjitha vendet aleate demonstruan një qëndrim të ngjashëm, me në krye Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pas kësaj, duke iu referuar nenit 4 të Traktatit të Aleancës së Atlantikut Verior, që i mundëson një prej anëtarëve të kërkojë bisedime, kur ai vlerëson se një kërcënim po i kanoset integritetit territorial, pavarësisë politike apo sigurisë së tij; Turqia thirri në mbledhje urgjente Këshillin e NATO-s dhe mori përgjigje pozitive. Ndërsa në fund Ankaraja informoi edhe OKB-në për operacionet ushtarake, duke marrë kështu mbështetjen e të drejtës dhe ligjshmërisë ndërkombëtare.

Këto zhvillime nuk janë një situatë e rëndomtë dhe e zakonshme; përkundrazi, ato përmbajnë dimensione shumë kritike për politikën e Turqisë në përgjithësi dhe politikën e jashtme të saj në veçanti, për Lindjen e Mesdhe dhe për të gjithë botën. Nëse do të ishte e përshtatshme një shprehje e tillë, pas sulmit terrorist në Suruç po përjetohet një pikë thyerjeje historike. Megjithatë, ndër përmasat e shumta kritike të zhvillimeve të lartpërmendura, tre janë ato më të rëndësishmet:

Së pari; politika antiterror e Turqisë ka fituar një vrull dhe një zgjerim të fuqishëm. Teksa riaktivizoi operacionet ajrore kundër PKK-së për herë të parë pas 4 vitesh, Turqia filloi njëkohësisht edhe një luftë ushtarake me DAESH-in. Duke bërë një hap të madhe përpara, Turqia nisi të kryejë sulme ajrore kundër terroristëve të DAESH-it, ashtu si dhe aleati i saj më i madh, SHBA-të. Krahas operacioneve ajrore, forcat turke të sigurisë arrestuan një numër të madh pjesëtarësh e simpatizantësh të DAESH-it. Edhe pse lufta e dyfishtë e Turqisë kundër PKK-së dhe DAESH-it mund të duket si zgjerim i objektivave, në të vërtetë kuptohet që kjo është një strategji e re.

Dimensioni i dytë në këtë suazë është pikërisht fillimi i një strategjie të re në luftën antiterror. Me sa duket Turqia do të likuidojë plotësisht organizatën terroriste PKK, kundër të cilës lufton prej 30 vjetësh, për t’u përqendruar tek lufta me DAESH-in. Është e qartë që kjo strategji mbështetet edhe nga vendet e tjera anëtare të NATO-s. Mesazhet e ardhura nga anëtarët e Aleancës tregojnë se sot është koha për likuidimin tërësor të PKK-së në mënyrë që Turqia të mund të luftojë kundër DAESH-it, i cili është një problem global dhe më parësor. Kjo strategji do t’i mundësojë Turqisë dhe të gjithë aleatëve të saj në NATO një përqendrim më të madh kundër DAESH-it. Situata në fjalë gjithashtu do të bëjë më të dukshëm rolin e Turqisë brenda Aleancës dhe në rajon.

Në këtë pikë del në pah edhe përmasa e tretë, e cila ka të bëjë me rrugën, që Turqia do të ndjekë gjatë periudhës në vijim lidhur me Procesin e Zgjidhjes/Paqes dhe luftën kundër organizatës terroriste DAESH. Tashmë është e parashikueshme që Procesi i Zgjidhjes, i cili mbart rëndësi shumë të madhe për demokracinë dhe sigurinë e Turqisë, nuk do të ketë më ecurinë e mëparshme dhe do të zhvillohet në një dimension tjetër. Por koha do të tregojë sesi do të realizohet kjo. Nga ana tjetër, disi e paqartë është për momentin edhe metoda, me të cilën Turqia do të luftojë kundër radikalizmit dhe terrorizmit të DAESH-it; por në lidhje me këtë pikë, sipas mendimit tim, nuk do të duhet shumë kohë për të kuptuar rrugën, që do të ndiqet.

Megjithatë është ashiqare se metoda e luftimit me të dyja organizatat terroriste nuk do të jetë ose nuk duhet të jetë vetëm nëpërmjet operacioneve ushtarake. Sepse asnjë organizatë terroriste nuk mund të zhduket plotësisht vetëm nëpërmjet operacioneve ushtarake. Terrori është si ato insektet e dëmshme dhe mushkonjat e moçaleve. Ato nuk mund të eliminohen plotësisht pa u tharë këneta. Pra, vetëm asgjësimi i terroristëve nuk mund të jetë zgjidhje definitive për aq kohë sa nuk sheshohen faktet dhe shkaqet e terrorizmit, i cili është moçali i terrorit. Prandaj Turqia, aleatët e saj në NATO, madje e gjithë Lindja e Mesme dhe shoqëria botërore duhet të ndjekin njëkohësisht metoda dhe politika civile të gjithanshme e integruese për një luftë të suksesshme kundër DAESH-it. Në këtë kontekst, fillimi më i mbarë dhe më i rëndësishëm duhet të jetë neutralizimi i ideologjisë, që ushqen veçanërisht terrorin e DAESH-it. Me siguri që mjeti më efikas për këtë është shfuqizimi apo kalbja e retorizmit, propagandave dhe bindjeve të paqena, që shfrytëzohen nga kjo organizatë terroriste.

Si hap i parë në këtë aspekt duhet të shpalosen drejtësisht nocionet, parimet dhe reflektimet e fesë islame, të cilat DAESH-i i shtrembëron dhe shfrytëzon qëllimisht në mënyrë të gabuar për të përfituar qëllimet e tij terroriste. Për këtë duhet që të shpjegohet dhe zbatohet mesazhi i drejtë i islamit, si dhe t’u tregohet të gjithë njerëzve se DAESH-i nuk përfaqëson islamin. Pikërisht këtu mund të dalë më në pah roli dhe rëndësia e Turqisë. Sepse zbatimi dhe koncepti islam i demonstruar nga Turqia, roli ndërmjetësues mes islamit e botës perëndimore, si dhe pozicioni i saj historik e gjeokulturor mund të jenë me dobi për këtë rol. Sigurisht që lufta kundër DAESH-it dhe terrorit të çdollojshëm mund të ketë kosto tepër serioze. Mirëllogaritja e të gjitha kostove të parashikueshme dhe paparashikueshme është një nevojë primare. Por akoma më e rëndësishme është ndarja e përbashkët e këtyre kostove dhe kontributi pozitiv i të gjithë aleatëve për zgjidhjen e çështjes.

 

Autor: Prof. dr. Ramazan Gozen
Pedagog i degës së Shkencave Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare pranë Universitetit “Marmara” në Stamboll


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme