Koment - Operacioni në Jemen dhe polarizimi i Lindjes së Mesme

Më datë 25 mars 2015, Lindja e Mesme u bë skenë e një prej ngjarjeve më kritike dhe të jashtëzakonshme të kohëve të fundit.

Koment - Operacioni në Jemen dhe polarizimi i Lindjes së Mesme

Plot 100 avionë luftarakë të Forcave Ajrore të Arabisë Saudite ndërmorën një operacion ajror me bombardime intensive mbi kryeqytetin Sana të Jemenit. Ndërhyrja ushtarake në fjalë, që vijon ende dhe nuk dihet se kur do të përfundojë, fitoi menjëherë mbështetje të gjerë ndërkombëtare. Tetë shtete (Bahrejni, Kuvajti, Katari, Emiratet e Bashkuara Arabe, Maroku, Sudani, Jordania dhe Egjipti) ofruan menjëherë mbështetje ushtarake; ndërsa tetë të tjera (Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Turqia, Pakistani, Britania e Madhe, Franca, Palestina, Libia dhe Mauritania) shprehën publikisht mbështetjen e tyre politike. Mirëpo gjashtë shtete të tjera (Rusia, Kina, Irani, Siria, Iraku dhe Algjeria) deklaruan se janë kundër operacionit në fjalë. Prandaj, mjafton të hedhësh një shikim të përgjithshëm mbi grupimet e shteteve dhe do të kuptohet fare lehtë se operacioni në fjalë bazohet mbi më shumë se një arsye.

Por arsyeja e parë dhe zyrtare është ndalimi i avancimit të lëvizjes Huthi, e cila po lufton për të marrë në dorë dhe shtrirë sa më tepër kontrollin në Jemen, duke përfituar nga destabiliteti në vend. Pasuese e Zaidizmit, një degë e shiizmit, lëvizja Huthi është themeluar në vitin 1992 nga kleriku Hussein Badreddin al-Huthi, ndërsa në vitin 2004 ajo ka marrë një nuancë politike dhe është shndërruar në rrymë opozitare. Në vitin 2011, huthitët janë përhapur anembanë kryeqytetit Sana. Në shkurt të 2014-s, ata kanë internuar Presidentin legjitim, Abd Rabbo Mansour Hadi dhe kanë marrë kontrollin e Parlamentit. Për më tepër, huthitët janë afruar gjithnjë e më shumë me Iranin dhe kanë fituar mbështetjen e tij. Kjo çështje ka ndezur alarmin e Arabisë Saudite dhe vendeve të tjera sunite. Mbretëria Saudite ka deklaruar zyrtarisht se objektivi i operacionit është Irani, i cili mbështet lëvizjen Huthi, ndërsa vendet aleate të Riadit e kanë konfirmuar këtë gjë.

Gjithsesi, analizimi dhe konceptimi i këtij operacioni vetëm në këtë prizëm është i pamjaftueshëm, sepse përtej tij qëndrojnë tri arsye madhore.

Së pari; mbështetja ndërkombëtare për sulmet ajrore në fjalë ka të bëjë direkt me garantimin e sigurisë botërore të naftës, për vet faktin se Ngushtica Bab el-Mandeb, një zonë kjo që rebelët huthi po përpiqen ta kontrollojnë me çdo kusht, është pikërisht kanali nga ku kalon rreth 30 për qind e transportit global të naftës. Ashtu si në shekullin e 19-të dhe atë të 20-të, Ngushtica Bab el-Mandeb edhe sot është një nga pikat më strategjike të rruzullit. Në këtë pikë, po të merret parasysh edhe Ngushtica e Hormuzit, kontrollimi i kësaj ngushtice nga huthitët e influencuar nga Irani do të nënkuptonte hyrjen e rrjedhës botërore të naftës pothuajse krejtësisht nën ndikimin e Teheranit. Prandaj, as që mund të pritej që Arabia Saudite, e cila është një nga prodhueset më të mëdha të naftës në botë; vendet e tjera të Gjirit dhe bota perëndimore të bënin njërin vesh të shurdhër dhe njërin sy qorr përballë kësaj situate. Si rezultat, edhe pse ka disa probleme nga aspekti i të drejtës ndërkombëtare, nuk është për t’u çuditur pse operacioni në Jemen ka fituar një mbështetje ndërkombëtare kaq të gjerë dhe të fuqishme.

Së dyti; operacioni është një çështje në lidhje me stabilitetin dhe të ardhmen e rajonit të Lindjes së Mesme, ku ekziston një rend dhe statukuo e vendosur pas Luftës I dhe Luftës II Botërore. Një proces për ndryshimin e kësaj statukuoje nisi falë Pranverës Arabe, mirëpo ky proces tranzicioni shkaktoi destabilitet fillimisht në Libi dhe më pas veçanërisht në Siri. Destabiliteti në fjalë po shqetëson prej kohësh mbretëritë dhe regjimet e rajonit. Me sa duket kjo është edhe arsyeja e aktivizimit më të vrullshëm të gupeve shiite simpatizante të Iranit. Sepse gati në gjitha vendet e qeverisura nga sunitët ka edhe popullsi shiite. Në rast se edhe këto grupe revoltohen ashtu si huthitët në Jemen dhe marrin mbështetjen e Teheranit, atëherë në të gjithë rajonin mund të realizohen ndryshime radikale të regjimeve. Operacioni në Jemen mund të vlerësohet fare natyrshëm si një hap i parë për të parandaluar këtë gjasë.

Së treti; operacioni ajror në fjalë është tregues i aktivizimit të bllokut sunit, për themelimin e të cilit punohej prej kohësh. Mbreti saudit, Salman bin Abbulaziz, i cili zuri vendin e pararendësit të ndjerë Abdullah bin Abdulaziz al-Saud, pak kohë më parë organizoi një mbledhje gjithëpërfshirëse me vendet e rajonit dhe u shpreh publikisht në lidhje me bllokun sunit. Sipas deklaratës së sovranit saudit, do të formohej një bllok sunit kundër Gjysmëhënës Shiite të influencuar nga Irani. Pa e zgjatur shumë, Operacioni në Jemen mund të pranohet si një sinjal i këtij organizimi.

Zhvillimet pas operacionit në Jemen demonstrojnë se blloku në fjalë ka nisur të shndërrohet në një forcë të armatosur. Vendet anëtare të Ligës Arabe, në takimin e mbajtur në Sharm el-Sheikh të Egjiptit menjëherë pas operacionit, vendosën për themelimin e ushtrisë arabe. Edhe sikur të lihet mënjanë çështja nëse do të formohet, ose jo, një ushtri e përbashkët e vendeve arabe; mjafton vendimi në fjalë për të nxjerrë në pah shpejtësinë e polarizimit të theksuar në Lindjen e mesme: Në njërën anë blloku i shteteve dhe popujve shiitë nën udhëheqjen e Iranit, ndërsa në anën tjetër blloku sunit nën lidershipin e Arabisë Saudite.

Edhe pse mund të jetë i dobishëm për krijimin e një kundërpeshe, nuk duhet harruar që polarizimi në Lindjen e Mesme sjell me vete edhe rreziqe serioze. Nëse zhvillohet një proces i pakontrolluar, atëherë është e thjeshtë të parashikohen menjëherë dy rreziqe.

I pari është probabiliteti i shpërthimit të luftërave civile dhe destabilizimit të regjimeve në të gjithë rajonin si pasojë e përçarjes shiito-sunite. Kaosi, që vijon ende në Libi, Siri, Irak dhe tani në Jemen; mund të përhapet edhe në vendet e tjera.

Rreziku i dytë ka të bëjë me mundësinë e shpërthimit të një lufte rajonale të madhe ndërmjet dy blloqeve. Në këtë pikë, s’ka nevojë të flasim për dëmet dhe shkatërrimin e paimagjinueshëm të një lufte të armatosur shiito-sunite, pasi vetëm përmendja e kësaj mundësie mjafton për të na kallur datën. Lufta I Botërore, 100-vjetori i të cilës ka nisur të evokohet gjatë këtyre ditëve, përbën një shembull të mjaftueshëm për të nxjerrë mësime në lidhje me këtë çështje; sepse është vërtetuar shkencërisht që shkaku kryesor i Luftës I Botërore ishte pikërisht një polarizim i ngjashëm.

Si përfundim, cilido qoftë risku, operacioni në Jemen dhe zhvillimet pas tij tregojnë se Lindja e Mesme ka hyrë në një vorbull të frikshme dhe jashtëzakonisht të rrezikshme.

 

Autor: Prof. dr. Ramazan Gozen
Pedagog i degës së Shkencave Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare pranë Universitetit “Marmara” në Stamboll



Lajme të ngjashme