Koment – 100 vjet nga Lufta I Botërore, rëndësia dhe pasojat e saj

Fillimisht më lejoni t’ju them se është shumë e vështirë për të bërë një përmbledhje në lidhje me Luftën I Botërore, apo Luftën e Madhe, për të cilën janë shkruar me mijëra libra dhe artikuj. Mirëpo, po ta shikojmë nga perspektiva 100-vjeçare dhe nga aspekti i historisë së njerëzimit e asaj botërore, mund të nxjerrim në pah disa veçori kritike të kësaj lufte.

Koment – 100 vjet nga Lufta I Botërore, rëndësia dhe pasojat e saj

Thelbësisht, ky konflikt i armatosur mbarëbotëror ka vënë përballë njëra-tjetrës dy fuqi të mëdha; në njërën anë Pakti i Trefishtë (Franca, Britania e Madhe, Rusia-SHBA/1917), i njohur gjerësisht si Forcat e Antantës, ndërsa në anën tjetër Perandoritë Qendrore (Gjermania, Austro-Hungaria, Perandoria Osmane, Bullgaria), që njihen ndryshme dhe si Blloku Qendror. Lufta e Madhe nisi më 28 korrik 1914 dhe përfundoi më 11 nëntor 1918 me fitoren e Paktit të Trefishtë. Edhe pse ka prekur të gjithë botën, kjo luftë kishte të bënte më shumë në mënyrë të drejtpërdrejtë me palën fituese dhe atë humbëse. Pas luftës, fituesit bënë përpjekje për të ndërtuar një rend botëror të ri, ndërsa humbësit pësuan goditje të rënda nga ky rend. Sa i përket hollësive të Luftës I Botërore, ajo ka një mori të tilla multidimensionale dhe shumëdrejtimëshe, por në plan të parë mund të themi se dalin tri aspekte të rëndësishme.

Së pari; Lufta I Botërore shënon kulmin e periudhës së politikave klasike imperialiste. Shtet-kombet evropiane, që u fuqizuan vrullshëm në shekullin e 19-të, pasi përfshinë pjesën më të madhe të botës në sistemet e tyre imperialiste, në fillim të shekullit të 20-të arritën në pikën e luftimit mes tyre. Por kjo luftë nuk është kufizuar vetëm me shtetet imperialiste, ajo ka përthithur në ferr gjithashtu hapësirat gjeografike përreth saj dhe më e rëndësishmja prej tyre ishte Perandoria Osmane.

Së dyti; Lufta I Botërore i ka dhënë fund epokës së perandorive klasike dhe në vend të tyre ka përhapur gjithandej modelin shtet-komb, rrënjët e të cilit shtrihen deri në shekullin e 17-të. Viktimat më të mëdha të këtij procesi ishin Perandoria Otomane dhe ajo Austro-Hungareze. Veçanërisht vendet dhe popujt, që deri asokohe ishin nën sovranitetin osman, u copëtuan dhe ritrajtësuan sipas interesave imperialiste të shteteve fituese. Shembujt më të qartë të këtij ritrajtësimi vërehen sot në formimin dhe evoluimin e shteteve në rajonin e Lindjes së Mesme. Evoluimi gjeopolitik i hapësirës gjeografike, që shtrihet nga Mezopotamia në Afrikën e Veriut dhe nga Azia Qendrore në Ballkan, është i tëri një produkt i Luftës së Madhe.

Së treti; imperialistët megjithatë nuk kanë arritur dot të korrin një sukses të plotë. Shtetet imperialiste s’kanë mundur dot t’i realizojnë të gjitha planet e tyre të Luftës I Botërore dhe pas saj. Shembulli më historik në këtë aspekt është dështimi i projektit për themelimin e shtetit armen, atij kurd dhe një tjetri grek në territoret e Turqisë. Populli turk, aq sa kishte mbetur nga Perandoria Osmane, ka shpalosur një rezistencë të suksesshme kundër imperializmit. Lufta Nacionalçlirimtare e popullit turk nën lidershipin e Mustafa Kemal Ataturkut, me metoda diplomatike dhe ushtarake, jo vetëm që ka shuar ëndrrat armene, kurde dhe greke; por, çka është më e rëndësishmja, ka mundësuar edhe themelimin e Republikës së Turqisë. Në këtë suazë, ia vlen të theksohet edhe Lufta e Çanakalasë (1915-1916), e cila ka përcaktuar fatin e Luftës së Madhe, madje dhe të historisë botërore.

Nga këto tri aspekte, që dalin në plan të parë mes shumë veçorive të tjera të luftës, sot kemi shumë për të mësuar. Mbi të gjitha; ngjarjet e përjetuara përgjatë shekullit të 20-të në Irak, Siri, Palestinë në veçanti dhe në rajonin e Lindjes së Mesme në përgjithësi, tregojnë fare qartë sesa keq janë programuar rezultatet dhe si rrjedhojë pasojat e Luftës I Botërore. Katastrofa e ashtuquajtur ISIS, organizatë terroriste kjo që ka si fushëveprimi Sirinë dhe Irakun, por që nuk mungon edhe në disa vende të tjera; shpalos lakuriqësisht sesa problematike dhe artificiale janë në të vërtetë kufijtë e vizatuar me vizore imperialiste pas Luftës së Madhe. Ngjarjet e këtyre ditëve na bindin se në realitet Lufta I Botërore nuk ka përfunduar dhe po fanitet sot. Në këtë pikë, kushtet e sotme mund t’i vlerësojmë si pasqyrimi në forma të ndryshme i një lufte rajonale shekullore.

Mirëpo kushtet e sotme rajonale janë mjaft më tjetër se 100 vite më parë. Në luftërat e sotme, të paktën po aq sa dhe shtetet e jashtme imperialiste, në front luajnë rol me peshë edhe aktorët e fuqishëm të Lindjes së Mesme. Kjo situatë nga njëra anë mund të shikohet edhe si një zhvillim pozitiv, sepse në fatin e këtij rajoni ka edhe shtete, të cilat e kanë vërtetuar me kohë fuqinë e tyre. Shtetet e fuqishme të rajonit gëzojnë pozicionin prijës në politikën rajonale. Por kjo situatë mbart njëherësh edhe disa anë negative, që faktikisht kanë një të përbashkët të pakundërshtueshme; konfliktin intensiv ndërmjet vendeve të rajonit. Konflikti në fjalë është madje aq i thellë saqë rrezikon seriozisht të shndërrohet në luftëra ndërsektare, apo ndëretnike midis shteteve rajonale. Përplasjet e organizatave si DAESH (ISIS) dhe Hizbullah në Siri bartin në vetvete mundësinë për të qenë shkëndijë e një shpërthimi të madh. Është më se e qartë që konflikti në fjalë nuk do të sjellë asnjë dobi, veçse dëme për popujt e rajonit. Për të kuptuar sesa e vështirë, e rëndë dhe alarmuese është situata në këtë anë të globit, mjafton të kemi parasysh luftërat 25-vjeçare në Irak dhe 5-vjeçare në Siri, si dhe problemin shekullor të Palestinës.

Disa ekspertë e kanë vlerësuar Luftën I Botërore si fundi i të famshmes Kriza Lindore (Çështja e Lindjes) dhe i të gjitha luftërave. Por sot duhet theksuar se këto teza janë krejtësisht të pavlefshme. Sepse nuk është arritur të zgjidhet as Çështja e Lindjes (nëpërmjet saj mendohej se do të zgjidheshin problemet e Lindjes së Mesme otomane), ku problemi vijon ende sot e kësaj dite; dhe as luftërat nuk kanë përfunduar të gjitha (përgjatë shekullit të 20-të, pas Luftës II Botërore, kanë shpërthyer me qindra konflikte të armatosura të tjera).

Pasojat e Luftës I Botërore dhe vet historia mijëravjeçare e luftërave na mësojnë se në të vërtetë luftërat nuk zgjidhin asnjë problem. Sepse, siç teorizon edhe strategu prusian, Carl von Clausewitz, në librin e tij të famshëm “Vom Kriege” (Për Luftën); luftërat janë mjet i politikës. Thënë ndryshe, realisht problemet zgjidhen nga politika dhe politikanët, ndërsa lufta është një mjet. Përndryshe luftërat nuk bëjnë gjë tjetër veçse zhvillojnë akoma më tepër industrinë e armëve të shteteve të fuqishme, teksa varfërojnë më shumë dhe copëtojnë shoqëritë e pafuqishme të përfshira në konflikt, me ose pa dëshirë. Aq më keq nëse një shtet pa kapacitete të mjaftueshme hyn në luftë; kjo do të thotë të luash kumar në kurriz të vendit dhe popullit. Fatkeqësisht, historia është e mbushur me shembuj të tillë dhe, siç pranohet anembanë rruzullit tokësor, kumarxhinjtë përgjithësisht humbasin.

 

Autor: Prof. dr. Ramazan Gozen
Pedagog i degës së Shkencave Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare pranë Universitetit “Marmara” në Stamboll


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme