Koment – Koha të rishikohet zgjidhja paqësore për krizën siriane

Lufta civile në Siri po hyn dalëngadalë në vitin e 5-të dhe situata po përkeqësohet çdo ditë e më shumë, ndërsa shoqëria ndërkombëtare vijon përpjekjet për një zgjidhje të qëndrueshme.

Koment – Koha të rishikohet zgjidhja paqësore për krizën siriane

Në rend të ditës është një proces bisedimesh, që nisi me iniciativë të Rusisë, u mbështet pjesërisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe më pas u vu në jetë me përfshirjen e përfaqësuesit të posaçëm të OKB-së, Staffan de Mistura. Nga negociatat në Moskë, ku morën pjesë disa përfaqësues të opozitës siriane dhe të regjimit të Esadit, nuk doli ndonjë përfundim konkret. Kurse nismat në Damask të përfaqësuesit special, De Mistura, nuk dihet ende se çfarë do të prodhojnë. Ajo çfarë pritet nga kjo konferencë është marrja e vendimit për organizimin e takimit të 3-të në Gjenevë.

Gjatë periudhës së përfaqësuesve specialë të mëparshëm të OKB-së, në Gjenevë janë mbajtur dy konferenca. Por vendimet e marra në Gjeneva I, në kohën e Kofi Annan dhe në Gjeneva II, gjatë periudhës së Lahdar Brahimi, nuk janë implementuar dot në terren. Arsyeja kryesore e dështimit të këtyre nismave ishte mosmarrëveshja e thellë për sa i takon largimit të Esadit dhe regjimit të tij për t’i dhënë fund luftës civile në Siri. Ndërkohë që SHBA-të, Bashkimi Evropian, Arabia Saudite, Katari, Turqia dhe opozitarët paraqisnin si parakusht largimin e Esadit; Rusia, Irani dhe Damasku zyrtar këmbëngulnin për qëndrimin e Esadit në pushtet. Me pak fjalë, mund të thuhet se lufta civile siriane vijon të mbetet e pazgjidhur thjesht për shkak të kësaj mosmarrëveshjeje.

Faktikisht, problemi i Sirisë nuk ka të bëjë vetëm me Esadin, por njëherësh edhe me regjimin Baath dhe aleancat e tij në politikën e jashtme. Megjithatë, është e qartë se gurkyçi i krizës siriane ka të bëjë me pushtetin e Esadit. Po ashtu, nuk duhet harruar se forca, që e mban në këmbë këtë sistem, është Esadi dhe struktura oligarkike. Ndërkohë që për shumë sirianë Shteti i Sirisë është i barasvlershëm me Esadin dhe regjimin e tij, për pjesën tjetër të qytetarëve të këtij vendi barasvlera në fjalë nuk është veçse diktaturë dhe tirani. Në të vërtetë, kjo situatë ekziston pothuajse në të gjithë Lindjen e Mesme dhe në shumë vende të tjera. Ka mjaft vende, ku qytetarët e konsiderojnë shtetin e tyre të barasvlershëm me një person dhe një ideologji. Edhe pse nuk është e drejtë, këtu s’ka asgjë për t’u çuditur; sepse në Lindjen e Mesme shtetet janë themeluar përgjithësisht mbi simbole dhe identitete të tilla. Modeli, që ishte gjerësisht i përhapur gjatë periudhës së mbretërive dhe feudalizmit në Evropën mesjetare, tani vërehet në shtetet pak të zhvilluara diktatoriale; një prej të cilave është dhe Siria.

Ç’është më e keqja, ky model i shtetit diktatorial/totalitar, siç vërtetohet nga shumë shembuj, i imponon popullit të tij një jetë shtypëse dhe plot kufizime, ku qytetarëve u limitohen, apo mohohen krejtësisht të drejtat, liritë, identiteti dhe aktivitetet. Nëse qytetarët nuk u përmbahen këtyre kufizimeve, atëherë ata ndëshkohen; në rast se populli rebelohet me të drejtë kundër zbatimeve totalitare në fjalë, atëherë përdoret dhuna dhe të gjitha metodat e tjera represive. Fatkeqësisht, në shtetet diktatoriale/totalitare, potenciali për të ushtruar dhunë dhe bërë masakra kundër popullatës civile ekziston, madje është dhe i lartë; por, siç duket qartazi dhe në rastin e Sirisë, ndonjëherë ky potencial mund të përshkallëzohet deri në luftë civile.

S’ka asnjë pikë dyshimi që të gjitha modelet dhe zbatimet e shtetit autoritar/totalitar duhen kritikuar ashpër dhe për më tepër, duhen ndalur me doemos. Një kusht i rëndësishëm për zhvillimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut është lufta e domosdoshme ndaj diktatorëve dhe regjimeve autoritare. Kundër tiranëve, që nuk respektojnë të drejtat universale të njeriut, duhet bashkëpunuar në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Faktikisht, procesi i quajtur “Pranvera Arabe” në thelb kishte pikërisht këtë qëllim. Pritej që në Tunizi, Egjipt, Libi dhe vendet e tjera të hapësirës gjeografike arabe të realizoheshin reforma dhe tranzicione demokratike. Mirëpo ky proces, fillimisht në Libi dhe pastaj në Siri e madje në Egjipt, jo vetëm që nuk diti të ndalet, por edhe vazhdoi duke u përkeqësuar.

Përballë kësaj situate, duhet ngritur pyetja “Përse diktaturat nuk janë të afta të transformohen?”, si dhe duhet studiuar me hollësi rruga për t’u ndjekur. Së pari; duhet pranuar se ndryshimi nuk është i lehtë për të gjitha regjimet politike dhe duhet vepruar me kujdes në lidhje me administrimin e procesit. Së dyti; ashtu si për të gjitha problemet e tjera, edhe ndryshimi i regjimeve autoritare duhet të bëhet me metoda civile, demokratike, negociuese dhe, nëse nevojitet, me mjete globale.

Si shembull për këtë mund të paraqitet metoda e fuqisë së butë (soft power), e cila propozon zgjidhjen e problemeve dhe transformimin e diktaturave me përpjekje politike, në vend të përdorimit të konfliktit ushtarak. Sepse metodat dhe strategjitë ushtarake, siç duket dhe në Siri e Libi, prodhojnë përfundime shumë të dhimbshme; ndërsa metodat dhe strategjitë e fuqisë së butë, siç rezulton në vendet e Evropës Lindore (Polonia dhe Hungaria në vitet 1990) dhe në Turqi (Procesi i Zgjidhjes që prej 2012-s), japin përfundime shumë pozitive. Mendojmë se mund të jetë me dobi të përmendim disa prej tyre:

   • Gjuha e armëve shkakton luftime, kaos, masakra dhe vdekje; ndërsa metoda civile-politike prodhon një proces dialogu pa gjakderdhje dhe vdekje.

   • Gjuha e armëve trondit strukturën ekonomike dhe financiare të vendit si pasojë e shpenzimeve për armatime, kurse metoda civile-politike mundëson transferimin e kursimeve ekonomike në fusha si shëndetësia dhe arsimi, duke i hapur rrugë rimëkëmbjes dhe zhvillimit të vendit.

   • Gjuha e armëve, herët a vonë, përshkallëzohet në luftë civile dhe rrit rrezikun e copëtimit të vendit; nga ana tjetër, metoda civile-politike sjell një integrim më të plotë të shtetit me grupet shoqërore dhe garanton konsolidimin social.

   • Gjuha e armëve bëhet shkak që burimet e vendit dhe botës të derdhen në xhepat e prodhuesve të armëve, pra pasuron këta të fundit dhe varfëron gjithnjë e më tepër palët luftuese; ndërsa metoda civile-politike udhëheq drejt shfrytëzimit të burimeve vendore dhe botërore për rritjen e mirëqenies së popujve dhe gjithë njerëzimit.

   • Gjuha e armëve krijon çdo ditë e më shumë varësi të vendeve luftuese ndaj superfuqive botërore, kurse metoda civile-politike u mundëson vendeve në fjalë që të kenë një zë më kumbues në botë dhe një ekzistencë më të fuqishme në arenën ndërkombëtare.

Këto dhe pika të tjera, që mund të renditen përkrah tyre, japin një ide më të qartë në lidhje me sesinë e mbërritjes së krizës siriane në këtë stad, si dhe për rrugën, që duhet ndjekur në vijim, për zgjidhjen paqësore të saj. Besojmë se do të jetë e dobishme që shoqëria ndërkombëtare të marrë parasysh këtë ide, në mënyrë që nismat paqësore, të cilat kanë filluar në vitin 2015, të japin rezultate të suksesshme.

 

Autor: Prof. dr. Ramazan Gozen
Pedagog i degës së Shkencave Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare pranë Universitetit “Marmara” në Stamboll


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme