Koment – Konceptimi i drejtë i sulmit të 7 janarit në Paris

Sulmi i organizuar më datë 7 janar 2015 në Paris dhe zhvillimet pas tij kanë ndezur debate të reja në Turqi dhe anembanë rruzullit tokësor.

Koment – Konceptimi i drejtë i sulmit të 7 janarit në Paris

Në këto debate rreth islamofobisë dhe myslimanëve spikasin dy opinione. Disa janë të mendimit se shkaku i problemit është imperializmi perëndimor, ndërsa të tjerë pretendojnë se myslimanët kanë probleme. Grupi i parë kritikon gabimet e vendeve perëndimore, kurse grupi i dytë ato të myslimanëve.

Edhe pse ndoshta nuk janë të gabuara, të dyja këto opinione janë të mangëta. Sepse që të dyja e shikojnë problemin bardhezi, i kategorizojnë palët dhe i fajësojnë ato në mënyrë të përgjithshme, si dhe demonstrojnë një këndvështrim të njëanshëm. Por, në të vërtetë, problemet sociale janë kryesisht ngjyrë gri dhe çdo shoqëri, apo kulturë është heterogjene. Meqenëse marrëdhëniet shoqërore dhe ndërkombëtare trajtësohen me anë të ndërveprimit reciprok, ato janë kolektive edhe në përgjithësi. Prandaj, për të kuptuar siç duhet faktet, duhen analizuar mirë të gjitha përmasat dhe shkaqet e tyre. Kjo është mënyra më e saktë dhe më e drejtë për t’iu afruar ngjarjeve. Duke u nisur pikërisht nga ky parim, për të qenë i saktë dhe i drejtë në lidhje me probleme të rëndësishme si islamofobia dhe terrori, duhen vlerësuar me kujdes të gjitha dimensionet e ngjarjes.

Gabimi më i madh, që bëhet teksa analizohen islamofobia dhe terrori, është shikimi i myslimanëve, apo i perëndimorëve, si të ishin një masë e formuar nga një ngjyrë e vetme dhe pranimi i tyre në tërësi si fajtorë. Realisht, të gabuara janë të gjitha sentencat akuzuese, ose lëvduese, që fillojnë me fjalët “myslimanët”, apo “perëndimorët”. Sepse myslimanët nënkuptojnë rreth 1,7 miliardë njerëz, ndërsa perëndimorët afro 1 miliard dhe midis tyre ka njerëz shumë të mirë, sikurse dhe shumë të këqij; kjo vlen për të dyja palët. Në Perëndim, ekzistojnë grupe që i vendosin myslimanët në të njëjtën peshore me terrorin; por edhe të tjerë që i konsiderojnë ata paqësorë. Po ashtu, në vendet islame, ka shumë njerëz që i urrejnë perëndimorët, por edhe shumë të tjerë që mbrojnë idenë e integrimit me Perëndimin. Cilido të jetë shembulli i paraqitur, ai nuk vlen për të gjithë masën. Norma e individualitetit të krimeve, që është një nga parimet themelore të juridiksionit universal, e refuzon kategorikisht lidhjen në fjalë.

Asnjë opinion, apo akt individual nuk përfaqëson tërësinë e një shoqërie. Sepse as vlerat perëndimore nuk janë kuptuar, interpretuar e zbatuar saktësisht nga të gjithë njerëzit perëndimorë dhe as vlerat islame nuk kuptohen, interpretohen dhe zbatohen drejtë nga të gjithë myslimanët. Aktet e kryera nga një individ mysliman, duke përdorur Kuranin Famëlartë dhe hadithet, nuk pasqyrojnë kurrsesi Kuranin dhe Profetin Muhamed (a.s.); ashtu si dhe aktet e kryera nga një individ i krishterë, apo hebre, duke shfrytëzuar Biblën, apo Teuratin, nuk reflektojnë Profetin Isa (Jesui), ose Profetin Musa (Moisiu).

Prandaj, sikurse akti terrorist i vëllezërve Said dhe Sharif Kuashi në Paris nuk reflekton Kuranin Fisnik dhe të Dërguarin e Allahut, Muhamed (a.s.); ashtu dhe akti i Anders Behring Breivik -autor i sulmit me pasojë vdekjen e 77 personave në Norvegji- apo masakrat e Izraelit, nuk pasqyrojnë respektivisht profetët Isa (a.s.) dhe Musa (a.s.). Akti individual mbetet i tillë; kjo nuk do të thotë se tekstet dhe vlerat e shenjta kanë gabime. Të gjithë myslimanët, të krishterët dhe hebraikët nuk mund të akuzohen në bazë të akteve të kryera nga vëllezërit Said dhe Sharif Kuashi, Anders Behring Breivik dhe Izraeli.

Sepse kundërvënia ndaj abuzimit, fyerjes dhe përqeshjes së çfarëdollojshme të vlerave fetare dhe të shenjta është në interesin e përbashkët të gjithë njerëzimit. Blasfemia (sharjet kundër Zotit, fesë dhe besimeve të shenjta) është e ndaluar jo vetëm në kulturën perëndimore, por edhe në islam. Respektimi i kësaj norme, sa universale dhe humane, është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Padyshim që mjaft të rëndësishme janë gjithashtu liria e mendimit dhe liria e shprehjes. Por, parimi universal i lirisë së shprehjes nuk përfshin sulmin ndaj të shenjtave. Ekziston veçanërisht një konsensus i gjerë se liria e shprehjes nuk duhet të përdoret në mënyrë të atillë, që të nxisë kaos kombëtar, ose ndërkombëtar.

Një tjetër dimension i rëndësishëm në lidhje me zhvillimet pas sulmeve në Paris është mospërfillja e faktit se problemi në të vërtetë është një çështje kolektive. Realisht, në vetvete, sulmet në Paris nuk mund të vlerësohen si një ngjarje e pavarur nga seria e gabimeve, apo fajeve, që janë kryer dhe përjetuar gjatë 2 shekujve të fundit në marrëdhëniet ndërmjet botës perëndimore dhe asaj islame. Duke menduar rreth sulmeve në Paris, veçanërisht që prej fillimit të viteve 1800, nuk mund të mënjanohet pushtimi i vendeve islame nga Franca dhe imperializmi i këtij vendi në Algjeri. Ndërsa gjatë kohëve të fundit, i pamohueshëm është shfrytëzimi i pushtimit të Irakut nga SHBA-të, të Palestinës nga Izraeli, luftës civile në Siri dhe i mjaft shembujve të tjerë nga organizata të tilla si Al-Kaida. Natyrisht që këta shembuj nuk mund të justifikojnë terrorin, por ata tregojnë qartë se problemet janë të thella dhe kolektive.

E parë nga ky prizëm, një situatë më të rëndësishme formojnë bashkëpunimet dhe partneritetet ndërkombëtare ndërmjet shteteve perëndimore dhe disa vendeve, apo grupeve myslimane. Projekti i Brezit të Gjelbër (Green Belt) të aplikuar gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë dhe veçanërisht mbështetja e muxhahidinëve (luftëtarëve myslimanë) kundër Bashkimit Sovjetik në Afganistan, janë rrënjët kolektive të problemeve të sotme. Këto bashkëpunime kanë mbetur në fletët e pluhurosura të historisë, mirëpo roli i organizatave si Al-Kaida dhe ISIS-i, të cilat janë produkt i problemeve në Afganistan, Irak dhe Siri, është katërçipërisht i painjorueshëm.

Tjetër pikë për t’u theksuar është edhe fakti që persona si vëllezërit Said dhe Sharif Kuashi janë shtetas të vendeve perëndimore. Pjesëmarrjet e qytetarëve të Gjermanisë, Francës dhe Britanisë së Madhe në Al-Kaida dhe ISIS e bëjnë të domosdoshëm një ekzaminim të sistemit arsimor, strukturës sociologjike, madje dhe të politikave të brendshme të këtyre vendeve. Natyrisht që kjo nuk do të thotë se vendet në fjalë janë burim terrori. Megjithatë nxjerr në pah nevojën për të vënë në pyetje sesinë e shfaqjes së individëve të tillë. Ky problem bën të detyrueshme autokritikën jo vetëm për myslimanët, por njëherësh edhe për perëndimorët. Në këtë mënyrë, nga njëra anë mund të shmangen akuzat masive dhe kategorike, kurse nga ana tjetër mund të kuptohet më lehtë se problemet janë në të vërtetë një produkt i ndërveprimeve reciproke. E pra, problemeve të përbashkëta mund t’u gjenden zgjidhje të përbashkëta vetëm nëpërmjet një pozicionimi dhe qëndrimi të tillë.

 

Autor: Prof. dr. Ramazan Gozen

Pedagog i degës së Shkencave Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare pranë Universitetit “Marmara” në Stamboll


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme