Koment – Sulmi ndaj "Charlie Hebdo", vallë 11 shtator i Francës?!

Në sulmin e datës 7 janar ndaj selisë së të përjavshmes satirike “Charlie Hebdo”, në kryeqytetin Paris të Francës, humbën jetën 12 persona dhe u plagosën 11 të tjerë.

Koment – Sulmi ndaj "Charlie Hebdo", vallë 11 shtator i Francës?!

Dy autorët e masakrës u vranë nga policia franceze teksa po kërkonin rrugë për t’u arratisur nga jashtë shtetit. Po atë ditë, një tjetër terrorist mori peng disa civilë në një supermarket dhe ai u vra gjithashtu nga forcat e rendit. Ky akt terrorist, mjaft serioz që në zanafillë, u komplikua edhe më shumë pasi u zbulua se terroristët ishin qytetarë francezë. Sepse mediat ndërkombëtare e cilësuan këtë ngjarje si terror islamik. Madje me anë të një paragjykimi, rrënjët e të cilit janë më të vjetra, masmedia u përpoq t’i pasqyrojë këto ngjarje si 11 shtatori i Francës. Pra bëri një lidhje me sulmet e 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në këtë mënyrë u propagandua për të formuar një perceptim negativ kundrejt myslimanëve, botës dhe fesë islame. Ngjarja u shfrytëzua për të përshkallëzuar islamofobinë në Francë dhe anembanë rruzullit tokësor. Sigurisht që këto qasje duhet me doemos të vihen në pyetje. Rrjedhimisht, cila duhet të jetë qasja ndaj këtyre sulmeve dhe si duhen vlerësuar ato? Mos vallë kjo ngjarje është me të vërtetë 11 shtatori i Francës? Cilat janë rreziqet dhe kanosjet?

Fillimisht duhet theksuar qartë dhe fuqishëm se sulmet dhe masakra në Francë janë akte terrori. Cilido qoftë motivi i tij, ky sulm nuk mund të tolerohet; duhet të përforcohet patjetër bashkëpunimi ndërkombëtar në luftën antiterror. Në këtë aspekt, Turqia dhe shumë vende të tjera i përcollën ngushëllimet e tyre Presidentit François Hollande dhe i propozuan atij ndihmë.

Sakaq, ashtu si duhen dënuar me gjuhë të ashpër sulmi ndaj të përjavshmes satirike dhe terroristët, ashtu dhe duhet kritikuar vakumi i sigurisë franceze, Manuel Vallsqë ka rol në trajtësimin e sulmit, duke u lënë terren të lirë autorëve. Si arritën agresorët ta kryejnë këtë sulm, edhe pse ishin prej një kohe të gjatë nën vëzhgimin e policisë franceze? Përse nuk pati sukses mbrojtja e “Charlie Hebdo”, organ shtypi ky që kërcënohej për shkak të karikaturave të Profetit Muhamed? Dhe përse nuk u kapën të gjallë agresorët? Pyetje si këto janë shqetësuese. Pritej që deficiti i inteligjencës dhe problemet policore, të pohuara nga vet Kryeministri i Francës, Manuel Valls, si dhe dyshimet e krijuara nga pyetjet e sipërcituara, të parandaloheshin nga autoritetet e këtij vendi. Megjithatë, nuk ka sesi këto rreziqe të sigurisë të pranohen si një justifikim për sulmet.

Performanca dhe reagimet e shpalosura nga shteti dhe shoqëria franceze për këto sulme ishte e suksesshme dhe kjo mund të thuhet me dorë në zemër të paktën për disa ditët e para. Deklaratat e Presidentit Hollande, Kryeministrit Valls dhe mesazhet e para të shoqërisë franceze ishin me të vërtetë shpresëdhënëse. Manuel Valls ka theksuar se përgjegjësia e sulmeve nuk mund t’u ngarkohet një feje (islamit) dhe një pjese të shoqërisë (myslimanëve). Mbi të gjitha, është njoftuar se lufta kundër terrorit do të ndiqet në kuadrin e supremacisë së ligjit. Këto qëndrime janë shumë ndryshe nga politika e jashtme agresive e ish-presidentit amerikan, George W. Bush, i cili, menjëherë pas 11 shtatorit 2001, luftën e tij kundër terrorit e emërtoi si “kryqëzatë” dhe sfidoi haptazi me fjalët: “Ose jeni me ne, ose kundër nesh!” Kjo situatë tregon se krahasimi “11 shtatori i Francës” është i gabuar.

Edhe më të rëndësishme ishin manifestimet e unitetit kundër terrorit, që u organizuan më 11 janar në Paris dhe në mjaft qytete të tjera. Marshimi Republikan në Paris u bë skenë e një pjesëmarrjeje të jashtëzakonshme: Kryeministri Ahmet Davutoglu në ParisTë paktën 40 liderë botërorë dhe mbi 1 milion civilë. Krahas liderëve perëndimorë, si François Hollande dhe David Cameron, shumë e kuptimtë ishte pjesëmarrja e qytetarëve myslimanë dhe liderëve të vendeve myslimane, si Kryeministri turk Ahmet Davuoglu dhe Presidenti i Palestinës Mahmud Abbas. Ajo që spikati më tepër në këto manifestime ishte mesazhi i fuqishëm se lufta antiterror nuk do të shndërrohet në një konflikt ndërmjet kulturave dhe besimeve fetare të ndryshme. Pikërisht kjo qasje është krejtësisht e ndryshme nga 11 shtatori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Megjithatë, sulmi i 7 janarit është kandidat për të nisur një periudhë shumë të mundimshme për Evropën përgjithësisht dhe Francën veçanërisht. Në thelbin e kësaj periudhe të mundimshme dhe plot dhimbje qëndron rreziku i përhapjes dhe thellimit të mëtejshëm të islamofobisë, një problem ky që ekziston prej disa vitesh në Evropë, madje në nivele shqetësuese. Kritikat e grupeve raciste dhe kundërshtare të islamit në Francë dhe shtete të tjera evropiane kanë filluar të ngrihen që tani. Është e lartë mundësia që sulmi i 7 janarit 2015 të shfrytëzohet nga këto grupe si propagandë për të rritur dozën e racizmit të tyre. Nëse propagandat në fjalë japin rezultat, atëherë mund të themi padyshim se islamofobia në Evropë do të marrë përmasa shumë më të frikshme, jashtëzakonisht të rrezikshme.

Ky përfundim do të vështirësojë pa masë kushtet e myslimanëve, fillimisht të atyre në Francë dhe më pas anembanë globit. islamofobiaEdhe pse nuk kanë asnjë lidhje me këtë sulm, madje dhe pse kanë reaguar kundër tij, miliona myslimanëve mund t’iu shkelen të drejtat themelore. Dhe problemi mund të mos marrë fund me kaq. Sepse, në rast se islamofobia përhapet më gjerë, mund të shtohen edhe më shumë kundërvajtjet e vlerave universale si sundimi i ligjit, parimi i individualitetit të krimeve, multikulturalizmi dhe të drejtat e njeriut. Këto lloj shkeljesh nënkuptojnë venitjen e idealeve të sigurisë dhe paqes shoqërore e ndërkombëtare, që Bashkimi Evropian përpiqet të ndërtojë prej 70 vjetësh. Rrjedhimisht, në rast të shkeljes së vlerave universale për shkak të islamofobisë, do të jetë e vështirë të flitet për BE-në. Si pasojë, nuk duhet anashkaluar kurrsesi rreziku i shpërbërjes së Unionit.

Ja pra, pikërisht për këto arsye, i tërë opinioni publik evropian dhe të gjithë liderët e Evropës, me në krye Francën, duhet të këmbëngulin, të rezistojnë me të gjitha forcat, në mënyrë që sulmi i 7 janarit të mos shndërrohet në 11 shtatorin francez. Ndërkaq, edhe vendet islame duhet që ta mbështesin këtë me sa të mundin. Sigurisht që të gjithë duhet të luftojnë kundër terrorit, por ky proces nuk duhet të transformohet në luftë kundër njerëzve të pafajshëm.

 

Autor: Prof. dr. Ramazan Gozen

Pedagog i degës së Shkencave Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare pranë Universitetit “Marmara” në Stamboll


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme