Koment - Pseudoxhihadistët ballkanas në Siri dhe Irak

Sipas një raporti të CIA-s, organizatës terroriste ISIS në Irak dhe Siri i janë bashkuar 350 persona nga Bosnjë-Hercegovina, 150 nga Kosova, 140 nga Shqipëria dhe 20 nga Maqedonia.

Koment - Pseudoxhihadistët ballkanas në Siri dhe Irak

Pjesëmarrja e luftëtarëve të huaj nga vendet evropiane në organizatën terroriste ISIS pritet me shqetësim në opinionin publik të Evropës. Forcat e sigurisë të qeverive të vendeve evropiane përveç se përndjekin të kthyerit nga Iraku dhe Siria, janë duke bërë përpjekje për të zbuluar edhe ata të cilët planifikojnë të shkojnë në këto vende. Ashtu si në vendet e Evropës edhe në vendet e Ballkanit kjo dukuri ka filluar të perceptohet si problemi kryesor i sigurisë. Në raportet e ndryshme thuhet se shtetasit e vendeve të Ballkanit marrin pjesë në radhët e organizatave terroriste si ISIS dhe Al-Nusra. Besohet se ata të cilët kanë luftuar në Irak dhe Siri pas kthimit në vendlindjet e tyre do të paraqesin rrezik jo vetëm për vendet e tyre por edhe për rajonin. Për këtë arsye rregullimet ligjore që parashikojnë ndëshkime të larta për pjesëmarrje në konfliktet e huaja të luftëtarëve nga vendet e Ballkanit u janë dorëzuar parlamenteve të vendeve përkatëse për miratim.

Sipas raportit të Agjencisë Qendrore Amerikane të Inteligjencës (CIA), të publikuar në shtator të këtij viti, nga vendet e Ballkanit si luftëtarë të huaj në Irak dhe Siri nga Bosnje-Hercegovina kanë shkuar 350, nga Kosova 150, Shqipëria 140 dhe Maqedonia 20 persona. Ndërkaq sipas një raporti të publikuar nga Qendra Angleze për Luftën Kundër Terrorit për periudhën janar 2013-qershor 2014, prej mesit të vitit 2012 e deri në ditët e sotme në luftën e Sirisë kanë marrë pjesë 218-654 persona nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Në mesin e tyre janë vrarë 38-51 persona, ndërsa në vendlindjet e tyre janë kthyer 69-93 persona të tjerë. Në raport gjithashtu thuhet se 83% të të ardhurve nga vendet e Ballkanit u janë bashkëngjitur organizatës Al-Nusra, ndërsa 10% prej tyre në organizatën ISIS, mirëpo tërhiqet vëmendja në rritjen e numrit të atyre të cilët iu bashkëngjitën ISIS-it.

Zakonisht në raportet e huaja thuhet se Bosnjë-Hercegovina është vendi Ballkanik, i cili dha më së shumti pseudoxhihadistë. Mirëpo nga deklaratat e zyrtarëve të Bosnjë-Hercegovinës kuptohet se situata është më ndryshe. Dubravko Çampara, njëri prej prokurorëve të Bosnjë-Hercegovinës në një deklaratë të bërë në nëntor të këtij viti, ka thënë se në Siri dhe Irak ndodhen rreth 150 luftëtarë qytetarë të Bosnjës prej të cilëve 30 prej tyre kanë humbur jetën në luftime. Përveç kësaj Bosnjë-Hercegovina është e vendosur të vazhdoj me operacione kundër qytetarëve të saj të cilët kanë marr pjesë në luftimet në Irak dhe Siri. Kështu lideri i vehabive pro-ISIS-it në Bosnjë-Hercegovinë, Bilal Bosniç, është arrestuar më datë 3 shtator 2014 së bashku me 15 persona të tjerë për nxitjen e shkuarjes në luftën e Sirisë. Në valën e dytë të arrestimeve të organizuar më 13 nëntor 2014 janë arrestuar edhe 11 pjesëtarë të vehabive nën dyshimin e të qenit anëtarë të organizatave ISIS dhe Al-Nusra.

Pjesa më e madhe e luftëtarëve nga Ballkani të shkuar në Siri fillimisht janë inkuadruar në grupin Jeish Muhammad, më pas një pjesë e tyre u janë bashkëngjitur grupit Al-Nusra dhe pjesa tjetër grupit të ISIS-it.

Qendra angleze për Studimin e Konflikteve dhe Armatimit (www.conflictarm.com) ka publikuar një raport në lidhje me prejardhjen e armatimit të ISIS-it. Sipas këtij raporti në duart e ISIS-it ndodhen raketat e forta anti-tanke të prodhimit të ish-Jugosllavisë, gjithashtu edhe snajperët dhe revolet të prodhimit kroat. Një pjesë e këtyre raketave anti-tanke të prodhimit jugosllav i janë shitur Irakut gjatë periudhës së ish-Jugosllavisë. Ekspertët qëndrojnë mbi çështjes se një pjesë e armatimit të prodhimit jugosllav mund të kenë kaluar në Lindjen e Mesme nëpërmjet entiteteve të Bosnjë-Hercegovinës para 2005-ës.

Ndërsa kur bëhet fjalë për armët me prejardhje kroate të cilat ndodhen në duart e ISIS-it, besohet se një pjesë e armatimit që Kroacia i shiti Jordanisë në fund të vitit 2012 dhe në fillim të vitit 2013 kanë rënë në duart e ISIS-it. Përveç kësaj Kroacia me vendimin e qeverisë së saj ka dhënë ndihma në armë kurdëve të Irakut. Besohet se dhe një pjesë e këtij armatimi ka kaluar në duart e ISIS-it.

Pritet që çështja e luftëtarëve të huaj të mbetet ende në rendin e ditës të vendeve të Ballkanit. Tani ka filluar edhe bashkëpunimi mes këtyre vendeve për marrjen e masave preventive në nivel rajonal. Kështu që në mbledhjet e ndryshme të organizuara në nivel ministror vazhdojnë të dalin edhe mesazhet në lidhje me masat e përbashkëta që do të merren kundër luftëtarëve të huaj.

 

Dr. Erhan TURBEDAR - Specialist për Rajonin e Ballkanit


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme