Rama përshëndet epokën e re të bashkëpunimit me Kinën

Shqipëria nënshkroi një memorandum me Kinën për ndërtimin e Rrugës së Arbrit të hënën në mbrëmje duke synuar një epokë të re bashkëpunimi midis dy vendeve që rigjejnë lidhjet e vjetra, shkruan nga Tirana agjencia kineze e lajmeve Xinhua.

Rama përshëndet epokën e re të bashkëpunimit me Kinën

Marrëveshja u nënshkrua nga ministrat shqiptarë të Financave dhe Transporteve dhe bankës kineze Exim, “duke u bërë projekti i parë që hap një epokë të re bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe Kinës, tha kryeministri shqiptar Edi Rama me një postim në Facebook.

Projektet, që do të financohen nga banka kineze Exim, janë të parat në më shumë se tre dekada dhe sinjalizojnë përfshirjen e Kinës si dhe nevojën e Shqipërisë për investime të huaja ndërsa ekonomia e saj po lufton me borxhin në rritje.

Duke folur nga Beogradi ku po merr pjesë në takimin e tretë të kryeministrave të Kinës dhe vendeve të Europës Qendrore eh Lindore, Rama postoi foto nga ceremonia e nënshkrimit, duke nënvizuar se ajo “do të hapë një faqe të re të projekteve shqiptare me financimin e Kinës”.

Marrëveshja është përshëndetur nga shtypi shqiptar me komentatorin Arben Rrozhani që e quan Kinën “luanin për të cilin ka nevojë Shqipëria “.

Ai shpreh keqardhje që qeveritë shqiptare janë fokusuar tek integrimi evropian, duke neglizhuar “ndihmën e paçmuar logjike ekonomike dhe historike që vendi do të kishte marrë përgjatë këtyre dy dekadave nga investimet e pandalshme kineze.”

“Shqipëria ua mbylli dyert investuesve të fuqishëm ndërsa mijëra vende ia hapën investuesit të tretë më të madh të botës. Tani fqinjët tanë po nxitojnë për të tërhequr investimet kineze,” shtoi Rrozhani, redaktor i të përditshmes Shekulli, në pronësi të një ligjvënësi të Partisë Socialiste të Ramës.

Studiuesja Valbona Zeneli, nga Qendra George C. Marshall e Studimeve Europiane të Sigurisë, tha se Kina po ndërtonte asete dhe po blinte aksione largpamëse në një rajon të lidhur fort me Evropën Perëndimore.

Alqi Koçiko, një gazetar shqiptar që ka vizituar Kinën, thotë se është koha që Shqipëria të konsideronte seriozisht shanset që vijnë nga investimet kineze, për të garantuar që nuk do të humbte ndihmën ashtu siç e humbi nga Gjermania Perëndimore në fund të viteve 1980.

Kryeministri Rama ka marrë mbështetje të fortë edhe në faqen e tij në Facebook nga komentuesit. “Të lumtë, Kina është shumë e fuqishme,” shkruan në faqen e tij komentuesja Ana Maria.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme