Koment - Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut

Sot është data 10 Dhjetor, Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut.

Koment - Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut

Liria e mbledhjes dhe bashkimit paqësor; liria për të formuar shoqatë; për t’u martuar dhe vënë pasuri, vetë dhe në bashkësi me të tjerët; liria për të punuar dhe zgjedhur punën; liria e mendimit, ndërgjegjes dhe besimit, e drejtë kjo që përfshin lirinë e ndërrimit të fesë a të bindjeve dhe lirinë që njeriu, qoftë vetë ose në bashkësi me të tjerët, të shfaqë publikisht ose privatisht fenë a bindjen e tij nëpërmjet arsimit, praktikës, kryerjes së kultit dhe riteve fetare, përbëjnë themelet e Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut.

Ndërkaq, Neni 30. i saj përmban një vendim dhe njëherësh sqarim akoma më interesant: “Asnjë dispozitë e kësaj deklarate nuk mund të interpretohet si e drejtë e një shteti, grupi, apo personi, për të zhvilluar çfarëdo veprimtarie, ose për të kryer një akt, që synon shkeljen e të drejtave dhe lirive të përmbledhura e të shpallura në këtë deklaratë.”

Me pak fjalë, teksa përdoren këto të drejta e rëndësishme është të respektohen edhe të drejtat e të tjerëve.

Pavarësisht se dispozitat e Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut janë miratuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, për fat të keq, nga të katër anët e planetit tonë mbërrijnë lajme në lidhje me shkeljet e të drejtave të njeriut. Ngjarjet në Siri, një shtet ky fqinj me Turqinë, janë dëshmi të gjalla të dhimbjeve të mëdha që mund të përjetojnë njerëzit gjatë një lufte civile, të cilat mbushin përditë buletinet e lajmeve.

Rajonet e trazuara nga luftërat, përleshjet e ashpra dhe kryengritjet, fatkeqësisht, bëhen skenë e tragjedive njerëzore të mëdha pa bërë dallim në gra, fëmijë, të rinj apo të moshuar. Mijëra njerëz të pafajshëm mund të viktimizohen nga konflikte apo luftime, me të cilat nuk kanë as lidhjen më të vogël. Disa i japin lamtumirën jetës ende pa i hapur sytë në këtë botë, kurse disa të tjerë që në moshë të mitur.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme