Kush është Isa Mustafa?

Më poshtë vijon biografia e Kryeministrit të ri të Kosovës, Isa Mustafa;

140931
Kush është Isa Mustafa?

Isa Mustafa është Kryeministri i ri i Kosovës i nominuar nga koalicioni PDK-LDK, pas nënshkrimit të marrëveshjes sot në 8 dhjetor.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka një karrierë të pasur politike.

Më poshtë vijon biografia e Kryeministrit të ri të Kosovës, Isa Mustafa;

Isa Mustafa u lind më 15 maj 1951 në Prapashticë, Komuna e Prishtinës. Ai jeton në Prishtinë, ku ka kryer shkollimin fillor, atë të mesëm dhe Fakultetin Ekonomik.

Ai ka studiuar në shkencat organizative – Menaxhmenti Financiar dhe ka doktoraturë në ekonomi, në fushën e Lidershipit të bizneseve. Është profesor në Universitetin e Prishtinës, në modulet e Mikroekonomisë dhe Menaxhmentit Financiar dhe në Universitetin AAB&Riinvest . Pas luftës është angazhuar kryesisht në punën shkencore dhe hulumtuese në Institutin Riinvest dhe në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës. Ai ka qenë kryetar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës “Dardania”, anëtar i Këshillit Drejtues të Bankës së Re të Kosovës, anëtar i Këshillit Drejtues të Universitetit të Kosovës, anëtar i Këshillit Drejtues të Universitetit Amerikan në Prishtinë dhe anëtar i Këshillit Drejtues të Bankës Qëndrore të Kosovës. Mustafa ka qenë edhe Këshilltar i Lartë i Presidentit të Republikës së Kosovës.

Mustafa, ka qenë drejtues i lartë edhe gjatë kohës së regjimit komunist në ish-Jugosllavinë e atëhershme.. Ai kishte Kryetar i Këshillit Ekzekutiv të kryeqytetit prej vitit 1984-88. Më pas, ishte pjesë e Qeverisë së drejtuar nga Jusuf Zejnullahu, 1989-1990. Më pas u emërua ministër i Financave në qeverinë e Bujar Bukoshit në Ekzil. Pas luftës në Kosovë, Mustafa kishte mbajtur pozita nëpër borde të ndryshme, duke përfshirë edhe atë të Universitetit të Prishtinës. Mirëpo, ai doli në skenën politike, duke qëndruar afër Fatmir Sejdiut. Ky i fundit kishte vendosur ta kandidonte për Kryetar të Prishtinës më 2007, ku kishte fituar përballë Fatmir Limajt të PDK- së.

Edhe në vitin 2009, Mustafa kishte fituar lehtësisht në raundin e parë, duke pasur kundërshtarë Astrit Salihun, e Vegim Gashin. Po në vitin 2009, Mustafa ngjitet në krye të Lidhjes Demokratike të Kosovës, pasi kishte fituar garën me Fatmir Sejdiun, të cilin e kishte këshilluar në cilësinë e ekspertit të ekonomisë.

Duke qenë Kryetar i LDK-së, Mustafa drejtoi edhe Prishtinën, deri në vitin 2013, kur humbi garën e drejtpërdrejtë me Shpend Ahmetin e Vetëvendosjes.

Pas kësaj humbje disa zyrtarë i kërkuan edhe dorëheqjen, por ai refuzoi duke thënë se do të fitonte Kosovën. LDK dhe Isa Mustafa pësuan edhe një humbje përballë PDK-së këtë vit. Dolën për herë të tretë pas Hashim Thaçit, i cili fitoi më 2007, më 2010 dhe tani më 2014.

Pas zgjedhjeve të 8 Qershorit Mustafa përsëri trokiti në derën e Ramush Haradinajt dhe Fatmir Limajt.

Mirëpo, pas më shumë se pesë muaj, e prishi paktin me Ramush Haradinajn, të cilin fillimisht e kishte nominuar për Kryeministër. Ai mori bekimin e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së për të biseduar me të gjitha partitë, përfshirë PDK-në, për të bërë marrëveshje me kusht që atij t’i takonte pozita e Kryeministrit. Mustafa do të jetë kryeministri i Gjashtë i Kosovës, pas Hashim Thaçit, Agim Çekut, Bajram Kosumit, Ramush Haradinajt e Bajram Rexhepit.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme