Shtohet numri i azilkërkuesve nga Serbia dhe Shqipëria

Liberalizimi i vizave ka bëre që nga Ballkani Perëndimor të ketë më shumë azilkërkues, kryesisht nga Serbia dhe Shqipëria.

Shtohet numri i azilkërkuesve nga Serbia dhe Shqipëria

Liberalizimi i vizave, përkatësisht udhëtimi i lirë pa vizë dhe qëndrimi deri në 90 ditë (çdo gjashtë muaj) në vendet e zonës Shengen, ka bërë që të rritet numri i azilkërkuesve nga vendet e Ballkanit Perëndimor.

Numri më i madh i qytetarëve që kërkojnë azil në vendet e BE-së për këtë vit vjen nga Serbia dhe Shqipëria, ndërsa në Malin e Zi ky numër është më i vogël. Këtë e ka konfirmuar për agjencinë e lajmeve AA, Bakir Dautbashiç, kreu i ekipit monitorues të Bosnjës dhe Hercegovinës për liberalizimin e vizave dhe Sekretari i Ministrisë së Sigurisë në Qeverinë e BeH.

- Më shumë azilkërkues nga Serbia, më pak nga Mali i Zi -

Dautbashiç duke folur për numrin e azilkërkuesve nga rajoni i Ballkanit Perëndimor theksoi se nga Republika e Maqedonisë këtë vit janë identifikuar 4.000 azilkërkues. Po ashtu numri i azilkërkuesve nga Bosnja dhe Hercegovina këtë vit arriti numrin 4.000, që paraqet një rritje në krahasim me vitin e kaluar, por se gjendja, siç thotë Dautbashiç, për këto dy vende nuk është alarmante.

Ai thekson se numri i azilkërkuesve të Republikës së Shqipërisë është shumë më i madh dhe se ka tejkaluar 5.000, ndërsa nga Republika e Serbisë këtë vit azil në vendet e BE-së kanë kërkuar mbi 6.000 qytetarë. Si vendi më i vogël për nga aspekti i popullsisë në rajon, nga Mali i Zi, thotë Dautbashiç, janë regjistruat vetëm disa qindra azilkërkues në vendet e Bashkimit Evropian.

- Gjermania, destinacioni më tërheqës për azilkërkuesit -

Është interesante, shtoi Dautbashiç, se numri më i madh i azilkërkuesve janë ata që kërkesat e tilla i kanë paraqitur në Gjermani. "Është e mundshme që deri te rritja erdhi pasi që disa qytetarë tentuan të kërkojnë azil para ndryshimit të legjislacionit në Gjermani. Legjislacioni i ri sipas së cilit vendet e Ballkanit Perëndimor -. Bosnja dhe Hercegovina, Serbia, Maqedonia, Mali i Zi dhe Shqipëria trajtohen si vendet e sigurta hyri në fuqi dhe tani ne do të shohim se çfarë do të jenë rezultatet", tha Dautbashiç.

- Qëndrimi në Gjermani në vend për disa muaj, nga tani i mundshëm vetëm për disa ditë -

Kreu i ekipit monitorues të Bosnjës dhe Hercegovinës për liberalizimin e vizave dhe Sekretari i Ministrisë së Sigurisë së BeH theksoi se legjislacioni i ri në Gjermani qëndrimin e mundshëm të azilantëve për disa muaj e ka shkurtuar në disa ditë.

"Vendet e Ballkanit Perëndimor janë përshkruar si vende të cilat nuk kërcënohen nga luftërat, tortura dhe veprime të tjera për të cilat do të ishte e mundur të kërkohet azili. Deri tani, arsyet më të shpeshta për azil të qytetarëve ishin për shkak të ngacmimit të supozuar, mohimit të lirisë seksuale...", tha Dautbashiç duke shtuar se këto vende kanë përmbushur të drejtat themelore të qytetarëve të tyre, kështu që këta azilkërkues nuk kanë mundësi të kërkojnë lloje të tilla të mbrojtjes, posaçërisht në Gjermani pas ndryshimit të legjislacionit", vlerësoi Dautbashiç.

Qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor të cilave u është hequr regjimi i vizave për të udhëtuar në zonën Schengen duhet të posedojnë dokument udhëtimi (pasaportë) të vlefshëm për të paktën tre muaj nga data e qëndrimit në vendet anëtare të BE-së apo nënshkruese të Marrëveshjes së Schengenit.

Maqedonia, Serbia dhe Mali i Zi përfituan nga regjimi i lëvizjes së lirë (pa viza) në dhjetor të vitit 2009, ndërsa Shqipëria dhe Bosnja përfituan 1 vit më vonë, në dhjetor 2010. Qytetarët e këtyre vendeve me pasaportë biometrike kanë mundësi të udhëtojnë në Austri, Belgjikë, Bullgari, Republikën Çeke, Danimarkë, Estoni, Finlandë, Francë, Greqi, Holandë, Islandë, Itali, Qipro, Lituani, Letoni, Luksemburg, Hungari, Norvegji, Maltë, Gjermani, Poloni, Portugali, Rumani, Sllovaki, Slloveni, Spanjë, Suedi dhe në Zvicër.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme