Koment - Të kuptosh Ataturkun në 76-vjetorin e vdekjes

Të rilexosh dhe kuptosh Ataturkun është e dobishme ta bësh edhe sot në kuadër të frymës së kohës dhe duke mos qenë anakronik.

Koment - Të kuptosh Ataturkun në 76-vjetorin e vdekjes

Lideri themelues i Republikës së Turqisë, Mustafa Qemal Ataturku ka vdekur më 10 nëntor 1938. Ashtu si të gjithë liderët e mëdhenj patjetër që edhe Ataturku arriti një sërë suksesesh. Në krye të këtyre sukseseve renditet zgjedhja dhe vendosja e regjimit të Republikës në udhëheqjen e shtetit, pra në sistemin shtetëror të vendit. Regjimi i Republikës, që sivjet festoi 91-vjetorin, është krijuar pas rrëzimit të Shtetit Osman me një të kaluar rreth 600-vjeçare. Procesi i uestërnizimit që kishte filluar në periudhën osmane, më saktësisht në shekullin e 19-të, u kurorëzua me regjimin e Republikës, sistem që kishte lindur sërish në Perëndim. Po ta shikojmë këtë gjë në aspektin e historisë politike kemi të bëjmë me një përfundim, i cili erdhi pjesërisht nga ideali i Ataturkut për uestërnizim, ku ai mbështeti mënyrën e jetesës dhe karrierën e tij politike, dhe pjesërisht nga mundja e Shtetit Osman në Luftën e Parë Botërore.

Ashtu siç ndodh tek të gjithë liderët pararojë, edhe zbatimet e Ataturkut e kanë pasur burimin jo vetëm tek personaliteti i tij prej lideri, por edhe tek kushtet e rrethanat e kohës kur jetoi. Liderët janë politikanë vizionarë që e lexojnë dhe kuptojnë shumë mirë frymën e kohës dhe bëjnë atë që duhet për vendin dhe shoqërinë e tyre. Liderë të tillë idealet e tyre i përputhin në një formë të drejtë dhe efektive me kushtet e kohës. Por ka edhe një të vërtetë tjetër, përballë ndryshimeve që ndodhin në frymën e kohës, praktikat që janë bërë në një periudhë të caktuar kanë nevojë për rinovim dhe konsolidim. E njëjta gjë vlen edhe për Republikën e Turqisë.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme