Edhe danezët gati për të pranuar pavarësinë e Palestinës

Shumë media daneze raportojnë se vendi i tyre mund të marrë të njëjtin vendim me fqinjin, Suedinë, për ta njohur Palestinën si shtet të pavarur.

Edhe danezët gati për të pranuar pavarësinë e Palestinës

Është e njohur, po ashtu, se Aleanca daneze Kuq e Gjelbër (Enhedslisten) përkrahës i madh i Palestinës së pavarur e cila do të ekzistojë pranë Izraelit të pavarur.

Kryeministri i sapo zgjedhur i Suedisë Stefan Lofven në një fjalim në Parlamentin e Suedisë disa ditë më parë deklaroi se Suedia do ta njohë Palestinën si shtet. Në këtë rast Suedia do të ishte vendi i parë në Bashkimin Evropian (BE) që e ka njohur këtë shtet. "Konflikti midis Izraelit dhe Palestinës mund të zgjidhet vetëm mes të dy vendeve, në bazë të marrëveshjes dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare," tha Lofven.

"Kjo zgjidhje kërkon njohjen dhe vullnetin e përbashkët për bashkëjetesë. Prandaj, Suedia do të njohë shtetin e pavarur të Palestinës," shtoi ai. Disa vende evropiane, duke përfshirë Hungarinë, Poloninë dhe Sllovakinë tashmë e kanë njohur Palestinën si shtet, por para se të hynë në BE.

Në fund të vitit 2012 Palestina e ka fituar statusin e vëzhgueses në OKB.

Konflikti izraelito-palestinez daton që nga viti 1917, ndërkohë që Izraeli në vitin 1967 ka pushtuar Jerusalemin Lindor dhe Bregun Perëndimor. Pas luftës arabo-izraelite në vitin 1948, me marrëveshjen e vitit 1949 midis Izraelit dhe shteteve arabe është eliminuar Palestina si një njësi territoriale. Me njohjen e Izraelit, territoret e tjera palestineze janë ndarë mes Egjiptit, Sirisë dhe Jordanit.

Palestinezët në vitet e fundit me vendosmëri të fuqishme kërkojnë krijimin e një shteti të pavarur në Rripin e Gazës dhe Bregun Perëndimor. Organizata Çlirimtare e Palestinës (PLO) në Tunis në vitin 1988 ka shpallur pavarësinë e Palestinës të cilën deri më tani e kanë pranuar 132 shtete.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme