Prioritetet e kryesisë shqiptare të ‪‎SEECP

Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, kryesoi Këshillin e Ministrave të Punëve te Jashtme të vendeve anëtare të Procesit të Bashkëpunimit të Vendeve të Evropës Jug-lindore (SEECP).

Prioritetet e kryesisë shqiptare të ‪‎SEECP

Takimi i 26 shtatorit, ku morën pjesë ministrat e Jashtëm të 13 vendeve anëtare, Komisioneri për Zgjerimin në BE, Stefan Fyle,përfaqësues të Presidencës italiane të BE-së dhe të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC) si edhe për herë të parë një delegacion i Republikës së Kosovës, përben një moment të veçantë, pasi shënoi fillimin e kryesimit shqiptar të SEECP-së, forumit më të lartë të bashkëpunimit për vendet e Evropës Jug-lindore.

Në takim u shpallën prioritetet e Kryesisë shqiptare 2014 – 2015 të cilat janë: forcimi i rolit rajonal të SEECP-së, promovimi i dialogut mes vendeve anëtare si një mjet për funksionimin e SEECP-së, si dhe konsolidimi i sektorëve jetikë të SEECP. Gjatë takimit u miratua dhe kalendari i aktiviteteve që do të zhvillohen përgjatë kryesisë shqiptare.

Kryesia shqiptare e SEECP-së përbën një angazhim të rëndësishëm politiko-diplomatik, në funksion të promovimit të mëtejshëm të rolit e të politikës së vendit tonë në rajon e më gjerë.

Gjatë kryesisë së Shqipërisë, në Tiranë do të zhvillohen disa takime të nivelit të lartë, ku do të marrin pjesë kryetarë shtetesh/qeverish, kryetarë parlamentesh, ministra të jashtëm dhe ministra të tjerë, sipas prioriteteve të presidencës sonë.

Gjithashtu, janë parashikuar një sërë aktivitetesh rajonale në nivel ekspertësh, përfaqësuesish së shoqërisë civile, botës akademike dhe komunitetit të biznesit.

Prioritetet e kryesisë së Shqipërisë të SEECP

Gjatë Kryesisë së Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), Republika e Shqipërisë do të kontribuojë për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit midis të gjithë pjesëmarrësve në këtë organizatë. Shtimi i bashkëpunimit është çelësi për tejkalimin e çështjeve madhore bilaterale dhe të brendshme, gjë që do të kontribuojë në mënyrën se si SEECP dhe pjesëmarrësit në këtë organizatë do të përballen me sfidat e stabilitetit dhe sigurisë në rajon.

Kryesia Shqiptare e SEECP-së do të punojë ngushtë me BE-në dhe vendet anëtare në të për të mbajtur gjallë procesin e integrimit evropian për ato vende të SEECP-së që aspirojnë për tu bërë anëtarë të BE-së. Shqipëria do të mbështesë dhe zhvillojmë më tej projektet e përbashkëta rajonale, disa prej të cilave u identifikuan së fundi në Konferencën e Berlinit mbi Ballkanin Perëndimor në 28 gusht 2014.

Kryesia Shqiptare do të udhëhiqet nga parimet e mishëruara në Kartën e SEECP-së, Deklaratat e Samiteve të SEECP-së, si dhe vendimet e marra nga Ministrat e SEECP-së dhe do të ndjekë programet dhe aktivitetet e Presidencave të mëparshme duke bashkëpunuar ngushtësisht me Trojkën e SEECP-së, Sekretariatin e RCC si dhe me të gjithë vendet pjesëmarrëse të SEEC-së.

Gjatë kryesimit, prioritet e Shqipërisë do të fokusohen në tre shtylla:

Forcimi i rolit rajonal të SEECP-së

Promovimi i parimit të fqinjësisë së mirë përmes intensifikimit të bashkëpunimit rajonal në fushat politike, të sigurisë, tregtisë, kulturës dhe arsimit.

Konsolidimi i parimit të gjithëpërfshirjes në bashkëpunimin rajonal, me qëllim sigurimin e kontributit aktiv dhe të plotë të të gjithë pjesëmarrësve në SEECP, në të gjitha nivelet dhe në terma të barabartë, kështu që, duke ndjekur Deklaratën e Samitit të SEECP-së të Bukureshtit, të mirëpresim Kosovën si anëtare të organizatës.

Kryesia Shqiptare është e gatshme të ofrojë kontributin e saj në forcimin e bashkëpunimit për krijimin dhe inkurajimin e klimës si dhe duke përdorur indikacionin pozitiv të fqinjësisë së mirë për zgjidhjen e çështjeve dypalëshe dhe kalimin e vështirësive të brendshme sa më shpejt të jetë e mundur. Siç edhe u ra dakord nga të gjithë pjesëmarrësit në Konferencën e Berlinit, gjithashtu të gjithë ne duhet të ndihmojmë përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar për zgjidhjen e çështjeve dypalëshe në rajonin tonë.

Forcimi i dialogut institucional me Komisionin Evropian dhe institucione të tjera të BE-së për të promovuar perspektivën Evropiane të vendeve anëtare të SEECP, që ende nuk janë anëtare të BE. Ne presim mbështetjen e plotë të të gjithë vendeve të BE-së brenda organizatës sonë në këtë drejtim. Konferenca e Berlinit duhet të vë në lëvizje politikat e zgjerimit nëpërmjet përpjekjeve të përforcuara për progres në reforma dhe në pajtim nga ana jonë, si dhe nëpërmjet një kursi të besueshëm dhe të parashikueshëm nga ana e BE-së. Ka shumë rëndësi që BE ruaj fokusin në procesin e integrimit. Ne riafirmojmë rëndësinë e zgjerimit të BE-së për suksesin e procesit të reformave në vendet tona dhe për sigurinë dhe prosperitetin e BE-së në tërësi.

Shqipëria si Kryesi e SEECP-së do të punojë ngushtë me formatet e tjera të bashkëpunimit rajonal, veçanërisht në kuadër të Ballkanit Perëndimor.

Kryesia shqiptare do të inkurajojë të gjithë vendet pjesëmarrëse të SEECP-së që të punojnë ngushtë me BE-në në të gjithë fushat me interes të përbashkët si dhe të bashkërendohet me BE-në mbi çështje të politikës së jashtme.

Shqipëria do të vazhdojë të promovojë SEECP-në në nivel kombëtar dhe në nivel ndërkombëtar, si një zë unik i rajonit dhe partner i besueshëm i komunitetit ndërkombëtar.

Kalendari i aktiviteteve ka parashikuar tre takime të Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare, një Samit të Kryetarëve të shteteveqeverive, takime të Asamblesë Parlamentare të SEECP-së, disa takime të Drejtorëve Politikë dhe të Trojkës.

Promovimi i dialogut ndërmjet vendeve anëtare për përmirësimin e funksionimit të SEECP-së

Diskutimet në proces për forcimin e rolit të SEECP-së janë shenja të qarta të përgjegjësisë dhe pronësisë rajonale.

Shqipëria do të koordinojë dhe lehtësojë, së bashku me RCC-në, takimet e Grupit Ad-Hoc të Punës, të krijuar për përmirësimin e funksionimit të SEECP-së, në mënyrë që të kemi një dokument gjithëpërfshirës, me qëllim që ta miratojmë në fund të Kryesisë.

Gjatë Kryesisë Shqiptare, duke qenë se mandati i Sekretarit të Përgjithshëm të RCC-së mbaron, do të mbahen dhe përmbyllen procedurat e zgjedhjes së Sekretarit të Përgjithshëm të RCC-së.

Konsolidimi i rëndësisë sektoriale të SEECP-së

Axhenda sektoriale e Kryesisë Shqiptare do të synojë promovimin e fushave me interes të përbashkët të vendeve anëtare, duke mbajtur parasysh dhe duke u bazuar në “Strategjinë e Evropës Juglindore 2020” (SEE 2020) dhe veçanërisht fushat e bashkëpunimit të diskutuara në Konferencën e Berlinit.

Gjatë Kryesisë Shqiptare, kalendari i aktiviteteve do të përfshijë këto fusha kryesore bashkëpunimi:

Promovimi i bashkëpunimit në sigurinë e energjisë në hapësirën ekonomike të SEECP-së, me qëllim përmirësimin e sigurisë së furnizimit me energji, diversifikimin e burimeve energjitike, si dhe zhvillimin e infrastrukturës energjitike dhe rritjen ndërlidhjes; mbështetje për TAP-in dhe IAP-in; zhvillimi i mëtejshëm i Komunitetit Energjitik dhe tejkalimi i mangësive në implementim.

Mbështetje ndaj përpjekjeve rajonale për përmirësimin e ndërlidhjes në rajon, veçanërisht për zhvillimin dhe modernizimin e infrastrukturës, si autostrada Adriatioko-Joniane ose ndërtimi qendrave të logjistikës për porte multi-modale.

Përkrahje e zhvillimit ekonomik, tregtisë dhe promovimi i investimeve në bashkëpunim të ngushtë, ndërkohë që kihet ndërmend Strategjia e Evropës Juglindore 2020.

Promovimi i bashkëpunimit rajonal në turizëm dhe inkurajimi i ofertave të përbashkëta.

Bashkëpunim i zgjeruar në agrikulturë, transferim dijesh dhe teknologjie nga vende më të përparuara të rajonit dhe BE-së.

Mbështetje trashëgimisë kulturore dhe promovimi i harmonisë fetare.

Inkurajimi i kërkimit dhe inovacionit shkencor.

Zgjerimi i bashkëpunimit të instituteve të statistikave, transferim dijesh dhe ekspertize, veçanërisht në kornizën EJ 2020 monitorimi dhe mbledhja e të dhënave.

Promovimi i bashkëpunimit parlamentar për institucionalizimin e mëtejshëm, si një Asamble Parlamentare e SEECP-së.

Promovimi i bashkëpunimit rajonal të Trupave Rregullator të Pavarur (Independet Regulatory Bodies), me vëmendje të veçantë Institucionet e Ombudsmanëve në rajon.

Promovimi i bashkëpunimit në fushat e drejtësisë dhe punëve të brendshme në rajon, veçanërisht në fushën e luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Kalendari i aktiviteteve parashikon 2-3 ministeriale të nivelit të lartë dhe më shumë se 10 aktivitete në nivel ekspertësh. Aktivitetet do të organizohen në bashkëpunim të ngushtë me RCC-në si krahu operativ i SEECP-së.

 


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme