Ekspertë britanikë vlerësojnë Turqinë për shpëtimin e pengjeve

Ekspertët britanikë të sigurisë dhe mbrojtjes vlerësojnë Turqinë për shpëtimin e pengjeve, që ishin rrëmbyer nga ISID-i në Mosul të Irakut.

Ekspertë britanikë vlerësojnë Turqinë për shpëtimin e pengjeve

Ekspertë të mbrojtjes dhe sigurisë në Mbretërinë e Bashkuar kanë vlerësuar si sukses të madh diplomatik shpëtimin e 49 pengjeve turke, që ishin personel i Konsullatës së Përgjithshme të Turqisë në Mosul, të marrë peng nga ISID-i dhe se perëndimi në këtë drejtim mund të marrë ndihmë nga Turqia.

Margaret Xhilmor, eksperte për luftën kundër terrorizmit dhe sigurinë e brendshme pranë Institutit Mbretëror për Shërbimet e Bashkuara (RUSI) me qendër në Londër, në një deklaratë për Agjencinë e lajmeve Anadolli (AA) ka deklaruar se "shpëtimi i 49 pengjeve turke është një diçka e mrekullueshme".

Xhilmor theksoi se pas shpëtimit të pengjeve ka një lehtësim të madh në të gjithë botën, sepse këta njerëz gjendeshin atje vetëm për të bërë detyrën e tyre dhe se ISID-i duhet të lirojë të gjithë pengjet, veçanërisht ata që kanë shkuar në Irak dhe Siri për ndihma humanitare.

Duke theksuar se aktualisht po shqyrtohet mundësia për një ndryshim ose jo të strategjisë së Britanisë së Madhe ndaj ISID-it, Xhilmor tha: “Nuk duhet të nënvlerësojmë negociatat dhe përpjekjet diplomatike të autoriteteve turke, që mundësuan lirimin e pengjeve. Shpëtimi i pengjeve nuk u mundësua nga ISID-i, por falë aftësive dhe negociatave diplomatike të Turqisë. E rëndësishme është që pengjet u shpëtuan dhe për këtë duhen falënderuar autoritetet turke.”

ISID-i NUK KA NEVOJË PËR PARA

Specialistja e RUSI-t theksoi se Turqia është një faktor madhor në arenën ndërkombëtare dhe forca e dytë ushtarake në NATO. Duke qenë kështu, Britania ka nevojë për ndihmën e Turqisë në lidhje me pengjet britanike, që janë në duart e ISID-it. Po ashtu, ajo është e mendimit se shërbimet sekrete britanike do të mbajnë kontakte të vazhdueshme me Turqinë për shpëtimin e pengjeve nga Britania e Madhe.

Sakaq, Xhilmor vuri në pah gjithashtu se të gjithë janë kureshtarë të dinë sesi i shpëtoi Turqia pengjet. “Me sa duket, është negociuar dhe nuk është dhënë asnjë shpërblim për lirimin e tyre. Megjithatë, një gjë është e vërtetë: Turqia ia doli mbanë shumë mirë. Edhe fakti që nuk ka paguar është i mundshëm, sepse ISID-i nuk ka më nevojë për para”, sqaroi ajo.

SHANSET JANË TË ULËTA PËR TË SHPËTUAR PENGJET PERËNDIMORE

Zija Meral, një studiues në Qendrën për Politikë të Jashtme në Universitetin e Kembrixhit, ka thënë se shpëtimi i pengjeve turke është një sukses i madh.

“Shpëtimi i 49 pengjeve shëndoshë e mirë dhe pa asnjë ndërhyrje ushtarake nga një organizatë, që i vret pengjet nëpër ekrane, me të vërtetë që është një sukses”, u shpreh ai.

Meral theksoi gjithashtu se asnjë vend nuk tregon detajet e operacioneve të shërbimeve sekrete. Kjo bëhet për arsye që mos të krijohen situata të tjera për shpërblime dhe që të mos demonstrohen mënyrat operative.

Nga ana tjetër, Zija Meral tërhoqi vëmendjen se Turqia është një nga shtetet më të mëdha myslimane në rajon, prandaj, mbajtja peng e diplomatëve turq dhe mbajtja peng e perëndimorëve janë dinamika të ndryshme; sepse në rast se ISID-i do të kishte vrarë diplomatët turq, atëherë kjo organizatë do të përballej me një reagim të ashpër nga bota islame dhe do të ishte dëmtuar shumë nga kjo. Sipas tij, shanset për shpëtimin e pengjeve perëndimore janë më të pakta në krahasim me ato të pengjeve turke.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme