Diyanet-i i Turqisë: Apel botës islame për maturi!

Presidenti i Departamentit të Kryeministrisë së Republikës së Turqisë për Çështjet Fetare (Diyanet), Mehmet Gormez, bëri thirrje për maturi dhe gjakftohtësi pas përshkallëzimit të konflikteve ndërsektare në nivele kërcënuese për botën islame.

Diyanet-i i Turqisë: Apel botës islame për maturi!

Teksti origjinal i shkruar nga Mehmet Gormezi në gjuhën turke, u përkthye dhe publikua fillimisht në arabisht, persisht, anglisht, frëngjisht, gjermanisht, rusisht dhe në dialektet kurmangi dhe sorani të gjuhës kurde, ndërsa më pas edhe në shumë gjuhë të tjera të botës. Kreu i Diyanet-it, Gormez, e ka lexuar apelin në arabisht, në një video të regjistruar.

Në thirrjen e tij, Gormez tha se kriza, tensionet politike dhe ushtarake, që po përjetohen në botën islame, konfliktet e bazuara në sektarizëm, kanë arritur përmasa, që kërcënojnë botën islame dhe shtoi se klima e kaosit, që po përjetohet në zonën e Mosulit, ka përshkallëzuar më tej tensionet në Irak dhe Siri.

Më poshtë vijon teksti i plotë i apelit:

Apel shumëgjuhësh botës islame për “paqe dhe vëllazëri”!

Krizat shoqërore, që po përjetohen në botën islame, tensionet politike dhe ushtarake, përpjekjet dhe për t'i bazuar konfliktet në sekte dhe temperament, kanë arritur përmasa serioze, të cilat kërcënojnë jo vetëm rajonin, por të gjithë botën islame, me pasoja që mund të jenë të pariparueshme. Klima kaotike, që është duke u përjetuar në aksin e Irakut dhe Sirisë, i ka ngritur tensionet në nivele të reja me ngjarjet e reja të nxitura nga situata në Mosul. Deklaratat reciproke me përmbajtje dhune, shpalljet e xhihadit, kërcënimet për shkatërrimin e vendeve të shenjta, rrëmbimet dhe vrasjet, duhet të konsiderohen të gjitha si paragoditje të fatkeqësive masive, që po afrohen. Nëse ngjarjet vazhdojnë të përshkallëzohen pa u pakësuar, bota islame do të vuajë në mënyrë të pashmangshme përçarje permanente humane, sociale, fetare dhe sektare.

Në këtë kuadër, ne ftojmë të gjithë të lëvizin së bashku për zgjidhjen e problemit dhe të veprojë në përputhje me pikat e mëposhtme.

1. Identiteti mysliman qëndron mbi të gjitha konsideratat sektare, temperamentale, zakonore dhe politike. Asnjë strukturë nuk duhet të lejohet të prishë vëllazërinë dhe unitetin islamik. Sipas Kuranit dhe Sunetit (mësimet dhe sjelljet e Profetit Muhamed a.s.) jeta, gjaku, pasuria dhe nderi i njerëzve janë të paprekshme. Nga aspekti fetar, vrasja pa të drejtë e një njeriu konsiderohet si krimi më i madh.

2. Nuk ka asnjë mënyrë për ta drejtuar një komunitet me një strukturë të bazuar në themele fetare, sektare dhe etnike, sidomos kur ky komunitet ka ekzistuar për 1400 vjet me të gjitha dallimet e tij. Askush ose asnjë grup nuk mund të shpall luftë kundër besimeve, vlerave dhe mendimeve të të tjerëve. Të gjithë duhet të kenë të drejtën për të jetuar të lirë në tokat, që ata jetojnë në përputhje me akumulimin e tyre historik. Çdo veprim dhe qëndrim në kundërshtim me këtë duhet të konsiderohen si elemente, që përpiqen për të krijuar trazira në këto toka, të cilat janë atdhe i paqes dhe sigurisë.

3. Vlerësimi i traditave të Ehli Bejtit dhe Ehli Sunetit, të cilat janë shfaqur gjatë rrjedhës së historisë, si kundërshtare të njëra-tjetrës dhe hyrja në luftë për pushtet duke u bazuar në to, duhen parë si një provokacion i madh. Të dyja, si Ehli Bejti dhe Ehli Suneti, janë të Profetit Muhamed a.s. Mbështetja e pikëpamjeve se këta dy komponentë janë në konflikt me njëri-tjetrin, është absolutisht e papranueshme.

4. Asnjë grup mysliman, fraksion apo komunitet nuk mund ta pranojë konceptin e tij fetar si të vërtetë të pakundërshtueshme dhe të armiqësohet me qasjet e tjera fetare, apo t’i shpallë ato jobesimtare dhe t'i dënojë me vdekje. Kjo nuk mund të pranohet kurrsesi. Asnjë qasje, perceptim dhe këndvështrim, që do të përligjnin këto lloj pikëpamjesh, nuk mund të gjejnë mbështetje në islam.

5. Çdokush, që e quan veten mysliman, qëndron në rrethin islam. Askush nuk ka kompetencë për t'i gjykuar të tjerët si jomyslimanë. Përgjatë historisë, strukturat, që shpallin të tjerët si jobesimtarë, janë dënuar nga ndërgjegjja kolektive e myslimanëve. Ashtu dhe sot, është e qartë se pikëpamje të tilla, që shfaqen befasishëm, do të refuzohen nga ndërgjegjja kolektive e shoqërisë myslimane. Çdo mysliman i matur dhe i ndërgjegjshëm, me largpamësi dhe mendjemprehtësi, nuk do ta lejojë rrënjosjen e strukturave të tilla.

6. Një strukturë, që është duke u ndërtuar mbi asgjësimin e njerëzve, fëmijëve, grave dhe të moshuarve të pambrojtur, të cilët janë viktima të konflikteve të interesave; por edhe mbi dëbimin e njerëzve nga shtëpitë dhe katanditë e tyre, nuk mund ta identifikojë veten me islamin.

7. Deklaratat e disa rretheve, me përmbajtje kërcënuese për shkatërrimin e varreve të disa personaliteteve shpirtërore dhe të parëve të Ehli Bejtit, në Naxhaf dhe Qerbela, si Hz. Aliu, Hz. Hyseini dhe Abul Fadl Abasi, janë katërçipërisht të papranueshme. Kjo për arsye se vende të veçanta si Naxhafi dhe Qerbelaja; të parët e Ehli Bejtit si Hz. Aliu, Hz. Hyseini dhe Abul Fadl Abasi; nuk janë vlera të shiitëve dhe sunitëve, por vlera të përbashkëta dhe madhore të të gjithë ymetit islam.

8. Po ashtu, e papranueshme është dhe shpallja e xhihadit nga disa rrethe kundër të tjerave. Sepse Kurani dhe Suneti nuk kanë urdhëruar kurrë një xhihad, që lejon gjakderdhjen ndërmjet myslimanëve. Xhihadi më i madh, që myslimanët mund të shpallin sot të gjithë së bashku, është ai kundër fanatizmit, varfërisë, injorancës, provokimeve dhe përçarjes. Askush nuk mund të justifikojë mizori të tjera në emër të xhihadit kundër shtypjes.

9. Fetvatë individuale të studiuesve dhe institucioneve fetare gjatë këtij procesi janë maksimalisht shqetësuese. Sot, detyra më e madhe bie mbi supet e dijetarëve, në vend që të japin fetva, të cilat shërbejnë vetëm për të krijuar ndasi në mes të shoqërive myslimane; duhet të jetë rindërtimi i moralit dhe të drejtës së bashkëjetesës në harmoni e paqe, duke i konsideruar shumëllojshmëritë e botës islame si bekim, hijeshi dhe pasuri. Ashtu siç nuk kanë aspak vlerë fetvatë, që çojnë në gjakderdhje, sot s’kanë asnjë kuptim as fjalët, që nuk arrijnë t’u japin fund konflikteve ndërsektare dhe gjakderdhjes. Në të kundërt, e gjithë bota islame do të shndërrohet në arenë krimi, ndërsa të gjithë dijetarët islamë do të bëhen bashkëfajtorë. Nuk mjafton t’i ndjekësh të gjitha këto zhvillime me shqetësim të thellë. Të gjithë liderët dhe dijetarët fetarë duhet të bashkërendohen me vendosmëri të jashtëzakonshme për të penguar një konflikt, që do të prodhojë rezultate të dhimbshme. Kjo është detyrë fetare, morale dhe ndërgjegjësore e të gjithëve.

10. Përfaqësuesit e institucioneve dhe organizatave fetare në rajonet e konflikteve të nxehta duhet të mblidhen dhe të ndërmarrin nisma për zgjidhje me baza fetare e morale në lidhje me vendet e konflikteve, ku në krye renditen Iraku dhe Siria. Një delegacion, i përbërë nga opinionistë të botës islame në fushën e fesë dhe moralit, duhet të marrë iniciativë për të eliminuar polarizimet me bazë sektarizmin. Institucionet dhe organizatat myslimane me cilësi ndërkombëtare duhet të sipërmarrin përgjegjësi në këtë drejtim. Departamenti i Çështjeve Fetare të Turqisë (Diyanet) do të jetë i lumtur për të marrë detyrë mbi këtë çështje.

Me respekt për opinionin publik!


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme