PDK-ja, fituese e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë gjatë natës ka shpallur rezultatet preliminare që bazohen në 94.23 për qind të numrit total të votave të numëruara.
Ndryshe, partitë opozitare shumë shpejtë do të përballen me kërkesën nga fituesi i këtyre zgjedhjeve të 8 qershorit, PDK-së për të qenë partner qeveritar.
Rezultatet e zgjedhjeve si duket nuk e kanë kënaqur partinë kryesore opozitare LDK-në, e cila as mbrëmë, e as sot gjatë ditës nuk ka dalë me ndonjë konferencë për media, sic ndodhë zakonisht pas përfundimit të zgjedhjeve.
Konferencë kanë mbajtur Lëvizja VV e cila u shpreh e kënaqur me rritjen e përqindjes së votave, kurse arsyen pse ka fituar sërish PDK-ja sipas VV-së është dalja e ultë në zgjedhje dhe dobësia e LDK-së si opozitë.
Nga ana tjetër Partia e re, Nisma për Kosovën e cila mezi po e kalon pragun zgjedhor prej 5% ka lënë të hapur mundësinë për koalicion me PDK-në, pa marrë parasysh se drejtuesit e kësaj partie nga pakënaqësia janë ndarë nga PDK-ja për të krijuar subjektin e ri politik.
Prej matematikës së koalicioneve, sigurisht se do të vetëpërjashtohet Lëvizja Vetëvendosja, e cila është e prerë se nuk do të bëjë koalicion me PDK-në. Sipas analistëve kalkulimet flasin për një koalcion mes PDK-së, Nismës dhe AAK-së, ose PDK-së dhe LDK-së.