D-DAY – Emocion i paprekur në 70-vjetorin e Zbarkimit në Normand

D-DAY – Emocion i paprekur në 70-vjetorin e Zbarkimit në Normand

Homazh për viktimat e bombardimeve, meditim në varrezat e të gjitha kombeve, njerëzit e të cilëve humbën jetën në tokën franceze: ceremonitë me rastin e 70-vjetorit të Zbarkimit në Normandi kanë ngjallur një emocion të madh rreth të mbijetuarve të fundit nga dita më e gjatë.

Nën një diell përvëlues dhe me temperaturë 25 gradë Celsius në hije, presidenti francez, François Hollande priti një nga një përfaqësuesit e 19 vendeve të ftuara në ceremoninë ndërkombëtare, organizuar në plazhin Ouistreham, më shumë në lindje se të gjithë ato plazhe ku aleatët zbarkuan më 6 qershor 1944.

Para një spektakli prej 45 minutash ku u përmendën ngjarje të ditës së Zbarkimit, që nisi me pothuaj një orë vonesë, Hollande nderoi dëshmitarët që jetojnë, për ato që kanë kaluar në vitin 1944 dhe përmendi çdo viktimë të nazizmit duke përfshirë dhe viktimat gjermane.

“Faleminderit që keni qënë atje në verën e vitit 1944”, është shprehur ai për mijëra luftëtarë të Zbarkimit në Normandi të pranishëm në ceremoni. “Ju do të jeni gjithmonë aty me shpirt, mbi këto plazhe të Zbarkimit”, i siguroi ai ata.

Me mbërritjen e tyre në plazhin Ouistreham, shumë i njohur me emrin e tij të luftës “Sword Beach”, presidenti amerikan, Barack Obama dhe mbretëresha Elizabeth II e Anglisë përshëndetën secili këta të mbijetuar. .

Dy drejtuesit kishin drekuar më parë në kështjellën Benouville, një simbol i Rezistencës, në shoqërinë e presidentëve të tjerë. Kjo drekë ishte një mundësi për shkëmbime diplomatike dhe për një shtrëngim duarsh shumë të pritur mes presidentit rus, Vladimir Putin dhe homologut ukrainas, Petro Poroshenko.

- “Një pjesë Europë e lirë” -

Gjatë një ceremonie franko-amerikane në varrezën amerikane të Colleville-sur-Mer, shumë pranë Omaha Beach ku u zhvilluan luftimet më të përgjakshme të “D Day”, Obama përmendi njerëzit që shëmbën ”Murin e Hitlerit” dhe luftuan më shumë se për të ndryshuar rrugën e luftës, për të ndryshuar rrugën e historisë së njerëzimit.

“Në fund të ditës më të gjatë, ky plazh është marrë, humbur, marrë sërish dhe u fitua. Një pjesë e Evopës një herë e çliruar dhe e lirë”, theksoi Obama.

“Omaha Beach, në Normandi, ishte koka e urës së demokracisë”, thejksoi presidenti amerikan, Obama.

Në një moment emocioni, veteranët, përfshirë këtu ata që, më shumë se 90 vjeç, e kanë pasur të vështirë të ecin, janë ngritur , ashtu siç i përgjigjeshin thirrjes së kryekomandantit të tyre që i ka duartrokitur për një kohë të gjatë.

“Kur bota ju bën cinik, ndaluni një sekondë dhe mendoni për këta njerëz”, theksoi Obama disa herë.

- “Kjo luftë ishte gjithashtu edhe e civilëve” -

Franca nuk do të harrojë kurrë se çfarë i detyrohet SHBA-së”, deklaroi presidenti francez, François Hollande, i pranishëm në Colleville përkrah presidentit amerikan, Obama. Ai përshëndeti 6 qershorin, një datë e paharrueshme e historisë tonë ku dy popujt tanë janë bashkuar për të njëjtë luftë, atë të lirisë.

Drejtuesi i ceremonive përkujtimore zhvilluar pëgjatë plazheve normane të Zbarkimit, presidenti francez, François Hollande kishte theksuar më herët rolin dhe martirizimin e civilëve francezë, rreth 20 000 prej të cilëve kanë humbur jetën nga bombardimet dhe luftimet kundër ushtarëve gjermanë më 6 qershor dhe në fund të luftës në Normandi më 22 gusht 1944.

“Kjo luftë ishte gjithashtu edhe e civilëve”, theksoi Hollande duke bërë homazhe për familjet që u përballën me kaosin dhe bombardimet.

Në Bayeux, ku zhvillohej një ceremoni në kujtim të ushtarëve britanikë me pjesëmarrjen e mbretëreshës, Elizabeth, veteranët u përshëndetën nga një turmë që thërriste “Thank you!”, “Merci!”, “Bravo!”


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme