G7: Stop varësisë energjetike nga Rusia

"Kriza në Ukrainë nxjerr në pah faktin se siguria energjetike duhet të jetë në qendër të agjendës sonë kolektive, ndërkohë që kërkohet ndryshim i qëndrimit në qasjen për diversifikimin e burimeve të energjisë."

84762
G7: Stop varësisë energjetike nga Rusia

Ky mesazh i G7-s nuk mund të ishte më i qartë: Përballë krizës më të rëndë botërore që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë, Evropës dhe partnerëve të saj nuk u lejohet më të varen nga Rusia dhe gazi i saj. Kështu që duhen filluar menjëherë lëvizjet e duhura, mbështetur mbi rregullat e vendosura që në takimin e ministrave të Energjetikës të G7, në Romë.

Liderët e G7-s vendosën të përkrahin dhe t’u qëndrojnë pranë përpjekjeve të Komisionit Evropian për zhvillimin e planeve të emergjencës për dimrin e viteve 2014 dhe 2015 në nivel rajonal. Brukseli në fakt ka paraqitur planin e tij për sigurinë energjetike, për të cilin Presidenti Zhoze Manuel Barrozo ka ftuar vendet e Bashkimit Evropian për të dhënë dakortësinë e tyre në takimin, që do të zhvillohet në fund të qershorit.

Sipas vendimit, do të ndihmohet Ukraina dhe vendet e Unionit që do të duan të zhvillojnë burimet e tyre vetjake, përfshirë edhe energjinë e rinovueshme. Më tej, do të bëhet edhe vlerësimi i sigurisë energjetike duke bashkuar përpjekjet mbi infrastrukturën, burimet, rrugët dhe transportin dhe më pas duke i kërkuar Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë për të paraqitur, deri në fund të vitit, në bashkëpunim të ngushtë me Komisionin Evropian, opsionet për aksione individuale dhe kolektive të G7-s, që garantojnë parashikimet për nevojat për gaz. Pastaj duhet parë mundësia mbi teknologjitë e ashtuquajtura ”low carbon” dhe një treg më i integruar i gazit të lëngshëm.

Por kjo nuk mjafton. “Politika energjetike duhet të jetë përparësia e Komisionit Evropian të ardhshëm”, nënvizon Presidenti francez, Fransua Holland. Shumatorja gjeopolitike në lojë është më shumë se e qartë: ”Evropa mund dhe duhet të jetë pala tjetër përballë Putinit”, paralajmëron komisioneri i Bashkimit Evropian për Energjinë, Gynter Ëtinger.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme