Operacioni “Burimi i Paqes”

Qëllimi ynë është paqja
objektivi është terrorizmi

Evropë e hapur apo Evropë kështjellë, debati i vështirë evropian

Evropë e hapur apo Evropë kështjellë, ky këndvështrim mbi çështjet e imigracionit do të jetë njëra nga pikat kryesore të zgjedhjeve evropiane, por debatet mbi këtë çështje janë të rralla dhe të vështira në prag të këtyre zgjedhjeve.

Evropë e hapur apo Evropë kështjellë, debati i vështirë evropian

Partitë e ekstremit të djathtë kryesojnë në shumë vende duke dënuar “emigracionin mbytës” (Fronti Kombëtar francez), një “fatkeqësi” (UKIP britanik) dhe kontrollimin e kufijve nga çdo vend dhe jo “nëpëmjet monstrës së Brukselit” (Partia për Lirinë e Holandës).

Për disa kandidatë të tjerë, këto anije dhe mijëra të vdekur janë simbol që tregojnë një Evropë kështjellë ku imigrantët janë gati të marrin përsipër çdolloj rreziku në përpjekje për të hyrë.

Këto dy vizione të papajtueshme ngjallin vazhdimisht përballje të forta. Të hënën në mbrëmje, shefja e ekstremit të djathtë në Francë, Marine le Pen, u përball me shefin e Partisë Socialiste, Jean Christophe Cambadelis, i cili e ftonte që të rikorigjonte shifrat mbi imigracionin.

“Politika mbi imigracionin është bërë subjekti më i nxehtë dhe rezultatet e votimeve evropiane varen gjerësisht nga kjo temë”, thekson ish-zevendëspresidentja e Parlamentit Evropian, Catherine Lalumière, gjatë një debati televiziv.

“Në mënyrë paradoksale, çështja mbi migrimin është pika e vdekur e kësaj fushate elektorale evropiane”, theksonte organizatori i debatit Pierre Henry, drejtor i përgjithshëm i shoqatës Franca Tokë Azili.

Për Pierre Henry, “këto shifra përgënjeshtrojnë idenë e pushtimit nga imigrantët. Në vitin 2013 Evropa, që ka 507 milionë banorë, ka mundësuar 1,7 milionë të huaj që të jetojnë në territorin e saj. Për të bër një krahasim, SHBA-ja me 330 milionë banorë ka shpërndarë 1,1 milionë viza afat gjata në vitin 2011″.

- Një pikë konvergjence -

Për më tepër, Evropa ka pritur rreth 380 mijë azilkërkues, një shifër në rritje, por që mbetet e vogël në raport me 2,5 milionë refugjatët sirianë.

Duke dalë nga polemika e flukseve, kandidatët evropianë, me përjashtim të euroskeptikëve, bien dakort në një pikë, Evropa vuan kryesisht nga mungesa e solidaritetit mes shteteve anëtare.

“Ne kemi të paktën një pikë konvergjence, kemi nevojë për një koordinim evropian”, deklaroi një kandidat i së djathtës franceze, Geoffroy Didier, pas një debati të fuqishëm me një konkurrent socialist, Pervenche Beres.

Sikurse BE-ja miratoi një monedhë të përbashkët por pa federuar politikat e saj ekonomike, ajo në fakt ka vendosur disa rregulla mbi imigracionin por pa harmonizuar politikat kombëtare.

Që nga viti 1985, marrëveshja Shengen vendosi një hapësirë të qarkullimit të lirë, pa kufij të brendshëm, por me një kufi të përbashkët të jashtëm. Ndonëse ende nuk ekzistojnë politika të përbashkëta mbi vizat dhe kontrollin e kufirit të jashtëm me afat të gjatë, për momentin kjo i ka mbetur në dorë vendeve anëtare.

Për më tepër, për të eleminuar përsëritjen e procedurave, konventa e Dublinit në vitin 1990 vendosi si parim që kërkesat për azil të shqyrtohen vetëm në vendet hyrëse në BE, çka përbën shumë probleme për vendet e jugut.

Shtimi i mbytjeve në Mesdhe ka risjellë këtë temë mbi tavolinë, ndonëse Italia nuk po pushon së kërkuari ndihmë. Në tetor pas vdekjes së 360 imigrantëve në brigjet e Lampeduzës, kreu i shtetit dhe i qeverisë premtoi se do të përforcojë solidaritetin.

Por u preferua që të shtyhen këto vendime konkrete në qershor të 2014, pas zgjedhjeve evropiane, për të mos i ngacmuar më shumë opinionet e nxehta mbi këtë çështje.

(Nga Charlotte Plantive)


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme