Statusi i kandidatit në BE, do të përmirëson klimën politike

Statusi i kandidatit në BE, do të përmirëson klimën politike

Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati, i cili po merr pjesë këto ditë në një konferencë për NATO-n dhe Bashkimin Evropian të organizuar nga Këshilli i Atlantikut, një organizatë jo-qeveritare në Uashington u shpreh në një intervistë për mediat, se statusi i kandidatit në BE, do të përmirësonte klimën politike në Shqipëri.

Lidhur me marrjen e statusit të vendit kandidat në BE nga Shqipëria në qershor, Bushati u shpreh se, “Jam realist që Shqipëria po ecën me hapa të sigurt drejt kandidaturës në BE. Besoj që Këshilli, në qershor, do t’i japë Shqipërisë statusin e vendit kandidat. Është një vendim tashmë i vonuar kur vjen puna tek Shqipëria, sepse është një proces në të cilin vendi ka katër vjet që endet dhe që është pjesë përbërëse e tij. Por besoj që akordimi i statusit të vendit kandidat është vetëm një moment, i cili nënkupton hapjen e një kapitulli të ri, të vërtetë, në marrëdhëniet e Shqipërisë me Bashkimin Evropian, por edhe në procesin e shtet-ndërtimit demokratik të Shqipërisë. Besoj se akordimi i statusit të vendit kandidat për Shqipërinë, sikurse ishte anëtarësimi në NATO pesë vite më parë, do të jetë një ogur i mirë, jo thjesht për zhvillimet e brendshme politike në Shqipëri, por do të projektohet në mënyrë pozitive edhe për pjesën tjetër të rajonit: më konkretisht, e kam fjalën për atë pjesë ku banojnë shqiptarë apo ku faktori politik shqiptar është pjesë e vendimmarrjes në proceset demokratike. Jemi duke punuar si në aspektin e brendshëm – me reforma në fushën e sundimit të ligjit, të cilat janë të dhimbshme e jolehtësisht të arritshme, por është e rëndësishme që kurba të jetë pozitive – sikundër jemi duke punuar dhe me vendet anëtare kyçe të Bashkimit Evropian, në mënyrë që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat. Jo më pak e rëndësishme është dhe mbështetja e SHBA-së në këtë proces, sepse dihet që përfshirja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Evropë ishte vendimtare për atë që sot është arkitektura e BE-së. Gjithashtu, përfshirja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Ballkan, dhe posaçërisht për Shqipërinë, do të jetë vendimtare dhe për avancimin e Shqipërisë në rrjedhat evropiane”.

Ndërsa përsa i përket klimës politike në vend dhe ndikimit që mund të ketë marrja e statusit, Bushati theksoi se, “Unë uroj, shpresoj dhe besoj që pas vendimit të BE-së në qershor klima politike në Shqipëri do të jetë më e paqtë e më mirëkuptuese, sidomos në lidhje me reformat kryesore shtet-ndërtuese, për të cilat ka nevojë për një proces mirëkuptimi, dialogu dhe gjithpërfshirjeje. Besoj gjithashtu që marrja e statusit të vendit kandidat do të vendoste në qoshe dhe do të izolonte disa fenomene politike në Shqipëri të papëlqyeshme. Vjet ne kishim një moment jashtëzakonisht pozitiv, kur në prag të vendimmarrjes për statusin e vendit kandidat, Kuvendi i Shqipërisë, njëzëri, pra të gjithë deputetët pavarësisht bindjeve politike, iu drejtuan BE-së nëpërmjet një rezolute ku shprehnin kërkesën për mbështje për statusin e vendit kandidat. Besoj se klasa politike shqiptare, pas qershorit, do të ketë detyra të tjera edhe më të vështira, për t’u përballur jo thjesht me BE-në dhe me kërkesat impenjative që burojnë nga procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian, por mbi të gjitha për t’iu përgjigjur kërkesave që vijnë nga qytetarët shqiptarë”.

Duke folur për krizën në Ukrainë, Bushati u shpreh se, “Kriza e Ukrainës ka sjellë efektet e saj edhe në rajonin tonë. Më lejoni të theksoj që sot për sot rajoni duket sikur është i ndarë në dy kategori: në kategorinë e vendeve të cilat i janë bashkëngjitur qëndrimeve të qarta të SHBA-së dhe BE-së, qoftë në planin bilateral ashtu dhe në suazën e organizmave ndërkombëtare dhe vendeve të tjera të rajonit të cilat për fat të keq kanë adoptuar ose një qasje neutrale ose një qasje abstenuese ndaj sanksioneve që Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë ndërmarrë ndaj Rusisë. Kjo ka sjellë edhe një herë në pikëpyetje për perimetrin e sigurisë të NATO-s në zonat rreth e përqark saj, të cilat, sidomos kur bëhet fjalë për Ballkanin, konsideroheshin zona nën një lloj mbikëqyrjeje perëndimore. Gjithashtu, këtë periudhë, kemi vënë re me shqetësim edhe disa paralele totalisht të pavërteta ndërmjet situatës në Ukrainë – përkatësisht Krimesë – dhe Kosovës, apo modelit federativ në Bosnje dhe një modeli të mundshëm federativ në Ukrainë. Të gjitha këto çështje kanë qenë pjesë e diskutimeve të konferencës tonë, ku me kënaqësi është riktheksuar nevoja për të riforcuar lidhjen transatlantike dhe nevoja për të vazhduar më tej, në mënyrë konkrete, me projektet e sigurisë në Evropë”.

Lidhur me vendimin e Kosovës për krijimin e një gjykate të posaçme për krimet e luftës, ministri Bushati tha se, “Ky është një vendim i autoriteteve legjitime të Kosovës për t’i dhënë dritën e gjelbër krijimit të një tribunali “ad hoc” i cili do të gjykojë krimet e pretenduara në një periudhë të caktuar kohore që mund të kenë ndodhur në Kosovë. Është një vendim kurajoz i autoriteteve të Kosovës të cilat duan të garantojnë një nivel sa më të lartë të mundshëm të respektimit të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, çka nuk ka qenë rasti për fat të keq për vende të tjera që dolën nga suaza e ish-Jugosllavisë. Por është gjithashtu jashtëzakonisht e rëndësishme të theksohet që pastrimi i qiellit të Kosovës nga çdo re i hap rrugën perspektivës më të qartë euro-atlantike të Kosovës dhe nga ana tjetër besoj se e lartëson edhe më tej luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe gjakun e derdhur për liri, pasi askush nuk do të mund të jetë në pozitë për të baltosur idealet e luftës dhe vlerat e saj”.

Ndërsa lidhur me situatën në Maqedoni, Bushati u shpreh se, “si përfaqësues i qeverisë shqiptare, si ministër i Jashtëm unë jam në kontakt të vazhdueshëm me faktorin politik shqiptar në Maqedoni, përveçse me faktorin shtetëror dhe politik maqedonas. Gjithmonë kam bërë thirrje duke nxitur një kohezion më të madh mes faktorit politik shqiptar, si për sa i përket zgjedhjeve presidenciale ashtu dhe atyre parlamentare. Është e rëndësishme të theksohet që e ardhmja e Maqedonisë, stabiliteti i saj demokratik, projektimi i saj në rajon dhe ankorimi në rrjedhat euro-atlantike do të varen shumë nga mënyra se si zbatohet Marrëveshja e Ohrit. Kjo marrëveshje është themeli për modernizimin e shtetit maqedonas dhe ky modernizim nuk mund të konceptohet pa një bashkëpunim të qartë ndërmjet dy komuniteteve kryesore shtet-formuese në Maqedoni. Uroj që nga këto zgjedhje të ketë nxjerrë mësimet e duhura faktori politik shqiptar. Gjithashtu, nuk do të doja kurrë të besoja që dikush do të mund të mendonte se mund të qeveriste Maqedoninë pa pjesëmarrjen solide e kontributin e qartë të faktorit politik shqiptar, sepse më shumë se zgjidhja e çështjes së emrit të Maqedonisë, apo mosmarrëveshjet dypalëshe që Maqedonia mund të ketë me shtete të ndryshme në rajon, është i rëndësishëm stabiliteti dhe ankorimi i saj në rrjedhat euro-atlantike, i cili do të vijë vetëm përmes një bashkëpunimi jashtëzakonisht të qartë dhe respektimit në frymë dhe në germë të Marrëveshjes së Ohrit. Në këtë kuadër, ne do të vazhdojmë të inkurajojmë dhe të punojmë ngushtësisht me të gjithë faktorin politik shqiptar për të pasur një qëndrim sa më të sinkronizuar, në mënyrë që jo vetëm faktori politik shqiptar të mund të jetë i mirëpërfaqësuar në jetën publike dhe institucionale në Maqedoni, por dhe që Maqedonia të mund të bëjë hapa përpara në mënyrën e duhur”.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme