Rusia përdor sërish "Kartën e Gazit"

Rusia përdor sërish "Kartën e Gazit"

Që nga aneksimi i Krimesë nga qeverisja e Moskës duke shpallur pavarësinë nga Ukraina dhe me nxitjen edhe të Rusisë gjakrat në rajon nuk janë qetësuar ende.
Filorusët në pjesën lindore të vendit i shprehin me tone të larta retorikat për pavarësi, kurse rajonet e policisë dhe godinat shtetërore i pushtojnë dhe ngrenë në shtizë flamurin rus.
Humbja e jetëve të njerëzve në këto trazira jo vetëm nga radhët e manifestuesve, por edhe të njësive ukrainase të sigurisë e përshkallëzoi edhe më shumë tensionin. Presidenti i Përkohshëm dhe Kryetari i Parlamentit Aleksandr Turçinov, të martën dha urdhër për “fillimin e një operacioni antiterror” në këtë krahinë të vendit.
Ka shqetësime për shtimin e numrit të të vdekurve në këtë operacion, që siç është deklaruar do të jetë disa-fazësh dhe ku sipas përcaktimeve të para kanë humbur jetën mbi 10 vetë.
Tensioni në qytetet Donjec’k , Lugans’k dhe Kramators’k vazhdon të jetë i lartë që nga fillimi i prillit e këtej. Për shembull, në Donejc’k pro-rusët duke u nisur nga shembulli i Krimesë, shpallën pavarësinë dhe bën të ditur publikisht se çështja e bashkimit me Rusinë do të miratohet me referendum popullor, që pritet të mbahet më 11 maj.

Ndërsa udhëheqja e Moskës, e cila ka mobilizuar dhe pozicionuar në kufirin e Ukrainës 40-50 mijë forca ushtarake, vazhdon të hedhë hapa në drejtim të përshkallëzimit të tensionit, duke mos i marrë në konsideratë të gjitha reagimet ndërkombëtare, që vazhdojnë të vijnë nga jashtë.
Presidenti Vladimir Putin firmosi një dekret, që anulon marrëveshjen e mëparshme, që parashikonte shitjen Ukrainës gaz natyror me çmim të lirë kundrejt lejimit të ankorimit të Flotës ruse të Detit të Zi në ujërat territoriale të Krimesë.
Po këtë javë, në Gjenevë, në mes të tensioneve në pjesën lindore të Ukrainës, ku përleshjet, që kanë shkaktuar edhe të vdekur, kanë vazhduar gjatë javës mes kryengritësve pro-rusë dhe forcave besnike të pushtetit pro-evropian të Kievit, nisën bisedimet ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Rusisë, Ukrainës dhe Bashkimit Evropian për krizën në ish-republikën sovjetike. Tre shtetet u përfaqësuan nga ministrat e tyre të Jashtëm, respektivisht nga John Kerry, Sergei Lavrov dhe Andri Deshtshica, ndërkohë që Bashkimin Evropian u përfaqësua nga shefja e politikës së Jashtme, Catherine Ashton.
Kryeministri ukrainas, Arseni Jaceniuk theksoi se nuk kishte shpresa për sa i përket negociatave të para ndërkombëtare për krizën ukrainase në Gjenevë.
“Rusia ka bërë gjithçka për të rritur tensionin, pushtuar territoret ukrainase dhe përhapur provokimet”, shtoi ai.


Siç edhe dihet tashmë Krimeja ishte bërë një pjesë e territorit rusë!

Ndërkohë, që nga koha e aneksimit të Krimesë nga Federata e Rusise, si Kombet e Bashkuara ashtu edhe NATO reagimet e tyre i shprehën me një gjuhë të ashpër duke nënvizuar se një gjë e tillë është e pamundur nga ana juridike; referendumi i mbajtur në Krime ishte në kundërshtim me kushtetutën e Ukrainës. Perëndimi nuk mjaftohet me kaq, po pezullon të gjitha format e bashkëpunimit me administratën e Moskës, si në planin civil, ashtu edhe në atë ushtarak.
Vetëm se Putini, me thënë të drejtën, di ta luajë shumë mirë kartën e gazit natyror, që ka në dorë:
“Borxhi që kompania e hidrokarbureve të Ukrainës, NAK Naftogaz, i ka Moskës për gazin, që blen nga kjo e fundit vazhdon të rritet nga muaji në muaj. Në muajt nëntor-dhjetor të vitit 2013 ky borxh ishte 1,45 miliardë dollarë, kurse në muajt shkurt dhe mars të këtij viti është rritur me respektivisht 260,3 dhe 526,1 milionë dollarë.
Kompania ruse furnizuese e gazit Gazprom, e cila në këto kushte është detyruar të vërë në funksionim mekanizmin e parapagimit, në rast se Kievi vazhdon të shkelë kushtet e pagesës do të ndërpresë pjesërisht ose plotësisht furnizimin e gazit. E shprehur ndryshe, Ukraina do të furnizohet me gaz natyror vetëm në sasinë e pagesës që është bërë një muaj më parë”.
Këto fjalë zënë vend në letrën, që lideri rus u ka dërguar homologëve të tij në 18 vende të Evropës, që furnizohen me gaz përmes Ukrainës. Pra siç shihet qartë, 18 vende, në mesin e të cilave bën pjesë edhe Turqia, që furnizohen me gaz nga tubacioni që kalon transit në Ukrainë, kërcënohen të mbeten gaz. Në mesin e këtyre vendeve bëjnë pjesë edhe Bullgaria me Sllovakinë, të cilat janë 100% të varura nga gazi rus.
President i i Federatës së Rusisë, Vladimir Putin, gjatë një seance pyetje-përgjigjeve televizive tha se zgjidhja e krizës, që po kalon Ukraina, varet nga garancitë që do të jepen me synimin që të drejtat e rusofonëve të respektohen në lindje të vendit.
Putin i dha një muaj kohë Ukrainës për zgjidhjen e mosmarrëveshjes me Moskën në lidhje me çështjen e gazit duke kërcënuar se do të vendosë një sistem parapagimi për livrimet e gazit.
Presidenti rus, Vladimir Putin, e kishte përmendur këtë kërcënim edhe në parë, por pa vendosur një afat kohor.
Kievi ka akumuluar rreth 2,2 miliardë dollarë nga faturat e gazit rus të papaguara dhe refuzon rritjen me 80 për qind të tarifës së vendosur në fillim të muajit prill nga Moska.
Si konkluzion, marrëdhëniet e tensionuara me Rusinë që nga ndryshimi i pushtetit në Ukrainë, në shkurt të këtij viti, e këtej nuk përbëjnë më vetëm një problem rajonal; çështja ka nisur të shndërrohet në “një luftë energjetike”, e cila fillon në pjesën më lindore të Evropës dhe zgjatet deri në skajin më perëndimor të këtij kontinenti.
Shpresojmë që një situatë e tillë të sigurojë që BE-ja, ashtu siç ka vepruar edhe në shumë fusha të tjera, me në krye bujqësinë, të përcaktojë edhe në sektorin e energjisë një politikë, që e redukton në minimum varësinë e jashtme, të paktën nga Rusia. Ndoshta një dritë shprese në këtë drejtim del nga samiti i kësaj jave i ministrave të jashtëm të Unionit, të cilët që nga fillimi i krizës janë mbledhur shumë herë.
Sepse administrata ruse, për ta detyruar Perëndimin të pranojë politikat e saj ekspansioniste, mund të mbyllë pjesërisht/plotësisht “rubinetet e Ukrainës”, që përballojnë 40% të nevojave që ka Evropa për gaz natyror, gjë të cilën e ka bërë shumë herë edhe në të kaluarën (vitet 2006, 2009).
Rikujtojmë këtu se marrja e një luksi të tillë nga duart Rusisë është e mundur duke vënë në jetë një projekt si NABUCCO, që synon të transmetojë përmes Turqisë gazin e Kaspikut në Evropë.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme