Koray Zeytinoğlu, të këmbëngulësh drejt suksesit

Gjithmonë kam pasur bindjen se komunikimi është çelësi i suksesit, prandaj kur erdha këtu bëra të pamundurën të mësoja gjuhën shqipe.

Koray Zeytinoğlu, të këmbëngulësh drejt suksesit

Edhe pse ka përfunduar studimet e larta për inxhinieri ndërtimi, fokusi i tij do të ishte diku tjetër, në çështjet e administrimit të kompanive prodhuese. Koray Zeytinoğlu punoi për pak kohë në profesionin e inxhinierit të ndërtimit, por më pas ai do të shpërngulej në Shqipëri, ku do merrte besimin e drejtuesve të kompanisë KÜRÜM International për të drejtuar këtë kompani në Shqipëri. Në fillim erdhi në pozicionin e drejtuesit të tregtisë dhe marketingut, për t’u bërë më pas administrator i kësaj kompanie në Shqipëri. Ai nuk do të ndalte së përvetësuari dije në drejtim të administrimit, kështu përfundoi studimet master në administrim biznes. Përkushtimi i tij është maksimal në punë.koray zeytinoglu

I ardhur në Shqipëri në pozicionin e drejtorit të marketingut dhe shitjes, Koray Zeytinoğlu do të ambientohej shpejt në Shqipëri, edhe pse mbresat e para se si iu duk Shqipëria nuk i harron lehtë. Për të ka ndryshime me kalimin e viteve, sepse ai atëherë ishte shume i ri dhe ca gjëra nguliten më mirë në një moshë të caktuar.

Unë kam ardhur në Shqipëri në 18 prill 2002, nuk më bëri ndjonjë përshtypje të madhe, isha i ri por edhe kisha parë shumë vende edhe në Turqi. Pas 13 vjet qëndrimi këtu, kam vënë re se ka pasur shumë ndryshime”, -shton Koray.

Për Shqipërinë kishte dëgjuar kohë më parë, sepse në Turqi ka shumë shqiptarë që jetojnë aty prej kohësh. Por rasti i tij është disi edhe më i veçantë, sepse një nga të afërmit e tij është martuar me një vajzë me prejardhje shqiptare.

Po kam dëgjuar sidomos për shqiptarët, se në Turqi ka shumë shqiptarë, madje nusen e dajës tim e kam shqiptare. Dija shumë për Shqipërinë, por për të ardhur këtu kam ardhur në 2002”, -pohon Koray.

E kishte menduar edhe më parë që të punonte jashtë Turqisë dhe momenti i erdhi. Bindja që ai do të ishte i suksesshëm në përvojën e tij jashtë vendit, nuk iu nda për asnjë çast dhe koha i dha të drejtë. Ai do të vinte në Shqipëri në pozicionin e njeriut kyç, që do të bënte marketingun dhe shitjen e produktit të një kompanie që ishte në zgjerim e sipër.

Mbas disa vitesh që kisha punuar në kompani ndërtimesh në Turqi, kam aplikuar në kompaninë Kürüm. Kjo kompani ishte vendosur në Shqipëri, gjë që unë isha duke kërkuar një punë jashtë Turqisë. Në fillim kam ardhur në pozicionin e drejtorit të shitjes në këtë kompani, më pas mora pozicione drejtuese”, -shprehet ai.koray zeytinoglu

Kompania “KURUM International”, ka një përvojë të gjatë në fushën e prodhimit të hekurit. Ajo e ka nisur aktivitetin e saj në Turqi dhe më pas është shtrirë edhe në vende të tjera. Në Vitin 1998 ajo hapi aktivitetin e saj edhe në Shqipëri, duke marrë fabrikën metalurgjike dhe duke i dhënë një dimension tjetër prodhimit të hekurit. Por aktiviteti i KÜRÜM do të vinte duke u zgjeruar, aq sa sot numëron disa aktivitete në Shqipëri.

Ka një histori shumë të gjatë, fusha kryesore e kompanisë është prodhimi i hekurit. Në vitin 1998 ka ardhur në Shqipëri, ka marrë fabrikën e hekurit në Elbasan më pas ka bërë investime të vazhdueshme në përmirësim të teknologjisë. Në vitin 2009 sërish ka bërë një investim në kuadër të përmirësimit të teknologjisë”, -thotë Koray.

koray zeytinogluKompania ka zhvilluar shumë aktivitete të tjera, siç janë në fushën e bujqësisë, në miniera, në shëndetësi, prodhime të materialeve të ndërtimit. Këto aktivitete janë të shtrira jo vetëm në Turqi, por edhe në shtete të tjera. Në Gjeorgji ka investime në fushën e transportit etj. Në Shqipëri në fillim u nis me hekurin, më pas investimet erdhën duke u shtuar, në 2013 privatizuam 4 hidrocentrale për nevojat e kompanisë, pasi shpenzojmë shumë energji”, -nënvizon Koray.

Në sajë të aktivitetit që kryen në Shqipëri, KÜRÜM ka të punësuar direkt dhe indirekt rreth dy mijë punonjës. Ky mund të konsiderohet një kontribut në shoqërinë shqiptare, por edhe perspektiva duket optimiste në këtë drejtim, sepse me shtimin e aktiviteteve të saj, kompania do të kërkojë të rrisë edhe numrin e punonjësve. Kjo ka qenë një ndihmesë e madhe në Shqipëri në drejtim të shtimit të vendeve të punës në vite.

“Për momentin, siç ju thashë edhe më lart, ne kemi disa aktivitete. Si personel shqiptar kemi rreth 1000 punonjës, gjatë këtyre viteve që punojmë këtu, nuk kemi pasur asnjë problem midis nesh dhe punonjësve shqiptarë. Me shtimin e aktivitetit, ne do të shtojmë sërish forcën punëtore. Gjithashtu ne kemi edhe kompani nënkontraktore, të cilat e çojnë numrin e të punësuarve në 2000. Të gjithë punonjësve ju paguhen pagat e rregullta dhe sigurimet shoqërore”, -pohon Koray.

Koray deri në 2011 ka jetuar i vetëm këtu, kurse pas martesës, ai jeton së bashku me bashkëshorten e tij dhe fëmijët. Madje së fundmi është bekuar me fëmijën e dytë dhe na gostit për këtë. Ai ndihet shumë i lumtur me jetën e tij të re.

koray zeytinogluUnë kur kam ardhur në fillim isha beqar, jam martuar në vitin 2011, më pas erdhi edhe nusja në Shqipëri dhe jetojmë bashkë këtu. Më pas na erdhi në jetë fëmija i parë, i cili tani është në kopsht. Ndërsa dy javët e fundit na ka ardhur në jetë edhe fëmija i dytë, lindje e cila është bërë në Turqi, ku edhe ndodhet bashkëshortja momentalisht. Bashkëshortja do vijë pas një muaji sërish në Shqipëri. Bashkëshortja ime është turke, ne jemi njohur së bashku që kur kemi qenë në fakultet”, -thotë Koray.

Të jesh drejtues i një kompanie me shumë aktivitete, është një ngarkesë shumë e madhe, aq sa nuk mund të kesh luksin ta quash veten se po pushon plotësisht, pa të rënë telefoni. Pozicioni drejtues i Koray Zeytinoğlu bën që të jetë përgjegjës për gjithçka ndodh në kompaninë KÜRÜM, duke filluar nga problemet madhore deri tek ato më pak të rëndësishmet. Prandaj për Korayin shpesh herë koha e lirë mund të tingëllojë edhe si një nocion abstrakt.

Është e vërtetë, nëse kemi ardhur në Shqipëri për të bërë diçka, sigurisht që duhet të punojmë shumë. Aq më shumë kur je drejtues, që përgjegjësia është më e madhe, duke pasur parasysh edhe aktivitetin e madh të kompanisë Kurum International, duke pasur parasysh prodhimin e hekurit, prodhimin e energjisë, etj. Prandaj drejtuesi duhet të jetë i përfshirë në punë”, -thekson Koray.blloku ne tirane

Vitet e shumta që ka kaluar këtu Koray, e kanë familjarizuar shumë me Shqipërinë. Ai madje ka arritur që gjatë këtyre viteve të ndërtojë raporte miqësore me shumë njerëz, aq sa edhe takimet me ta i ka të shpeshta. Të përbashkëtat e dukshme midis shqiptarëve dhe turqve, bëjnë që miqësia mes njerëzve të jetë diçka krejt e natyrshme.

Unë prandaj jam akoma në Shqipëri, ndihem shumë mirë këtu. Nuk e kam ndjerë asnjëherë se jam jashtë Turqisë, sepse pas shumë vitesh kam bërë shumë shoqëri këtu. Gjithashtu duhet theksuar se nuk kemi shumë dallime me Shqipërinë, madje mund të them se kemi shumë të përbashkëta, disa zakone siç janë dasmat, mortet etj.”, -shprehet Koray.

Edhe ushqimi nuk ka ndryshim të madh, ai pothuaj është i njëjtë, madje shekujt e bashkëudhëtimit historik e kanë lënë gjurmën e tyre edhe në kulinari. Ka dallime të vogla me gatime specifike, por sërish, ndryshimi nuk është shumë i madh.ushqime shqiptare

Jemi përshtatur menjëherë, pasi ndërmjet dy kuzhinave nuk ka ndonjë dallim të madh. Edhe kur kam ardhur në fillim në Shqipëri nuk kisha asnjë vështirësi, pasi edhe emrat janë njëlloj”, -shton ai .

Ngjashmëritë e qyteteve shqiptare, me vendin nga vjen Koray janë të dukshme. Ato kanë pothuajse mendësi njerëzore të njëjtë, por edhe arkitekturë të përafërt. Ai ka jetuar në Elbasan për një periudhë të gjatë dhe ky qytet ngjanë shumë me Adananë. Elbasani ka edhe pjesën e kalasë, si shenjë identifikuese e të kaluarës së përbashkët historike.

adanaQyteti që kam lindur dhe jam rritur, është Adanaja, ka një popullsi prej më shumë se një milion banorësh. Është qyteti i 4 në Turqi. Por edhe Tirana ka një popullsi mjaft të madhe, madje me një jetë të lëvizshme. Nëse je drejtues nuk ke kohë për të të mbytur rutina. Kam shumë miq këtu dhe nuk më lënë të mërzitem”, -thekson Koray.

Jo të gjithë turqit që kanë ardhur këtu, kanë arritur të mësojnë gjuhën shqipe, por një pjesë kanë arritur t’ia dalin mbanë falë dëshirës për të komunikuar me vendasit. Të tillë dëshirë të fortë ka pasur edhe Koray, i cili, në sajë të këmbënguljes dhe qëllimit që i kishte vënë vetes, arrin të flasë sot shumë mirë shqip.

Unë kur erdha në fillim, isha vetëm 24 vjeç, isha shumë idealist. Unë kisha dëshirë të punoja shumë dhe pashë se një nga mjetet më të rëndësishme ishte gjuha. Fillova të mësoj shqip, fillova të komunikoj vetëm me personel shqiptar, edhe në shtëpi nuk mora paketë satelitore për të parë kanalet turke, por ndiqja me vëmendje kanalet shqiptare, me qëllim të mësoja shqip. Kur isha me makinë dëgjoja radio shqiptare. Mundohesha të përfitoja nga çdo bisedë me ndonjë punonjës shqiptar që të përfitoja edhe një fjalë shqipe. Më pas mora edhe disa libra, që të mësoja të lexoja dhe gjithë kohën, kam bërë praktikë. Nuk kisha kohë të shkoja në kurs”, -pohon Koray.

elbasanElbasani është qyteti, i cili ndodhet në qendër të Shqipërisë, dhe për këtë arsye ai merr një rëndësi në vend. Krahasuar me Tiranën, Elbasani është disi më ndryshe, sepse qyteti është më i vogël, por në këtë drejtim Koray nuk ka pasur kohë të mërzitej se kishte një ngarkesë më të madhe në punë. Ishte me hapat e para këtu dhe i duhej të punonte shumë, që të merrte drejtim puna e kompanisë.

Po është e vërtetë, unë kur erdha në fillim në 2002, erdha në Elbasan, kam jetuar aty për 9 vjet. Edhe pse kam ardhur në Tiranë, unë sërish ndihem si Elbasanas, pasi janë vitet e para në Shqipëri dhe aty arrita të përshtatem shumë mirë. Ka edhe diçka që nuk harrohet, kur erdha në fillim, teknologjia ishte disi më e vjetër, çka i shtonte shumë orët e punës për drejtuesit, pasi herë pas here kishte probleme. Ndërsa me ardhjen në Tiranë nuk është se ka ndryshuar ndonjë gjë e madhe, edhe pse kemi vënë në punë teknologjinë e fundit, sërish ka shumë punë, sepse aktivitet e KÜRÜM janë shtuar edhe në fusha të tjera”,- rrëfen Koray.elbasani

Koha e lirë nuk është aq e mjaftueshme, që të mendosh se si ta shpenzosh. Ajo zakonisht ndahet me njerëzit që ke më shumë për zemër, që kohët e fundit, për Koray-in i bie të jetë familja. Por edhe miqtë shqiptarë nuk ngelen pas dore, edhe ata kanë vendin e tyre. Mundohet që gjithsecilit t’i japë vëmendjen e duhur.

Kohët e fundit në Tiranë, kur kemi kohë, rri me shoqëri pimë kafe. Gjithashtu kam edhe shtëpi në Durrës dhe shkoj aty çdo fundjavë bashkë me familjen. Shqipëria ka vende shumë të bukura dhe të virgjëra për sa i përket plazheve apo vendeve të ndryshme turistike. Unë kur kam qenë drejtor i shitjes, më është dhënë mundësia të shkoj në shumë vende në Shqipëri. Qytete të pa vizituar ka ngelur vetëm Tropoja dhe Përmeti. Kemi shkuar për punë por kemi shfrytëzuar udhëtimin edhe për të parë vende të ndryshme. Shqipëria është një vend shumë i bukur, pasi ndodhet në një nyje strategjike, përballë detit ka Italinë, ka vende të tjera të rajonit etj, që mund të shkosh lehtësisht me makinë”, -pohon Koray.

Turqit dhe shqiptarët janë popull shumë i afruar, aq sa mund të themi se ngjajnë si dy pika uji në këtë drejtim. Por ajo që të bie në sy këtej pari është njerëz që rrinë shkujdesur në kafene, duke i dhënë tiparet e një institucioni kafenesë.koray zeytinoglu

Në fakt, turqit dhe shqiptarët ngjajnë shumë, sepse këtu pihet kafe, ndërsa në kafenetë turke, se kështu i themi ne, pihet çaj. Nuk ka shumë ndryshim, por në Shqipëri ka diçka tjetër, se për të krijuar marrëdhënie, kur kanë ndonjë çështje pune, ulen në lokal dhe konsumojnë kafe. Për ne është më mirë, pasi stresohemi gjatë punës dhe kjo vajtje në kafe është një moment çlodhje.

Për të qenë drejtues i një kompanie të rëndësishme siç është KÜRÜM, duhen disa cilësi, të cilat janë të domosdoshme. Përveçse të qenit profesionist kërkohet edhe diçka më tepër, dhuntia për të drejtuar, veti të cilat Koray i ka të dukshme në çdo fjalë që nxjerr nga goja.

Për një drejtues, kryesore për mua, është komunikimi, prandaj edhe kam mësuar gjuhën shqipe. Gjithçka varet nga një komunikim i mirë, pasi punonjësit kuptojnë se çfarë kërkon drejtuesi dhe kompania”, -thekson ai.

koray zeytinogluPër momentin nuk e ka menduar asnjëherë të largohet nga Shqipëria, gjithsesi i qëndron besnik fjalës që, “kurrë mos thuaj kurrë”. Gjatë 13 viteve të qëndrimit të tij këtu, ka arritur të ambientohet më së miri. Aq sa edhe nëse do të largohej një ditë, do i mungonte shumë ky vend.

Unë deri tani, nuk kam pasur një program për të ikur në Turqi apo në ndonjë vend tjetër. Deri tani ka ecur mirë gjithçka, si puna edhe jeta. Unë jetoj këtu dhe nuk kam asnjë problem, dhe shpresoj që edhe e ardhmja të jetë akoma më e mirë”, -shton Koray.

Lidhjet me Turqinë i ka shumë të forta, pasi atje ka prindërit për të cilët shprehet se e merr shumë malli. Në fund të fundit është vendi ku ka lindur dhe është rritur, i cili, për çdokënd bën të ndihet i përmalluar.

Në Turqi kam shkuar në vit një ose dy herë, për arsye personale. Kurse 7 vite më parë, unë e kam vizituar Turqinë vetëm 6 herë, gjithsej. Unë shkoj në përgjithësi, çdo bajram. Ndërsa në kohën që unë do martohesha kam shkuar më shpesh, pasi m’u desh të organizoja ceremoninë e dasmës. Shkoj edhe për arsye personale, që kanë të bëjnë me vizita mjekësore. Gjëja që më merr më shumë malli janë prindërit e mi”, -përfundon Koray.

- Realizoi për TRT Shqip, Urim TUSKU -


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme