Enes Karaçoban, ndërlidhësi i kulturës

Turqit vrapojnë pas punës, kurse shqiptarët janë më të ngadaltë.

Enes Karaçoban, ndërlidhësi i kulturës

Ai nuk është vetëm një profesor, është një ambasador kulturor i dy shteteve, përdor biçikletën në fundjavë me alpinistët shqiptarë, shkon në kamp dhe jeton jetën me dashuri dhe është dëgjues i mirë i muzikës rock. Për të muzika rock në Shqipëri, sidomos ajo në Kosovë është shumë e bukur. Ai quhet Enes Karaçoban, ka lindur në Konya dhe ka kryer studimet e larta në Qipro, më pas ka punuar si mësues në Turqi. Në Shqipëri ka ardhur tre vite më parë, një dëshirë e hershme tij për të punuar në një nga vendet e Ballkanit.

Gjërat që i kanë bërë më shumë përshtypje:enes karaçoban

Është ndjerë si ambasador kulturor, qetësia shqiptare për të zgjidhur punët është një tjetër karakteristikë që vihet re në Shqipëri. Jeta sociale në Shqipëri, është ndryshe nga vendet e tjera të botës, këtu njerëzit sipas Enesit kalojnë shumë kohë duke biseduar. Muzika shqiptare është unike në llojin e saj.

Ai ka ardhur në Shqipëri me statusin e profesorit të gjuhës turke, por për Enes Karaçoban ka qenë një befasi e vërtetë ardhja këtu, sepse ai nuk e kishte menduar se do të gjente një ambient shumë të ngrohtë njerëzor. Gjithçka në fillim i dukej e ngjashme me vendin nga vinte, prandaj shumë shpejt Shqipëria për të u bë shumë familjare.

-“Unë kam ardhur në Shqipëri në 2012, si fillim ishte disi e vështirë për mua, por me kalimin e kohës fillova të ambientohesha. Kur vjen për herë të parë në vend të huaj është përpjekja për ta njohur atë vend, të flasësh me njerëzit, të krijosh njohje të reja, të mësosh gjuhën dhe vendet etj”, -shprehet Enesi.

Gjithkujt që vjen për herë në Shqipëri, i bën përshtypje ky vend, aq sa mbresat e para nuk harrohen lehtë. Por shkujdesja e njerëzve me mënyrën se si i bëjnë punët, është emblematike. Ndryshe nga vendi që vjen Enesi, Turqia, ku të gjithë vrapojnë pas punës, këtu në Shqipëri janë disi më të avashtë në këtë drejtim.

-“Më kanë pëlqyer shumë gjëra në Shqipëri, por në mënyrë të veçantë lehtësia me të cilat i marrin gjërat, jo me nxitim sikur koha po ikën. Njerëzit janë disi më të relaksuar, nuk e bëjnë qejfin qeder se koha po ju ikën, ata thjesht kanë një mënyrë të tyre të jetesës. Ndërsa në Turqi është ndryshe, njerëzit vrapojnë më shumë në bërjen e punës. E thashë edhe më lart, që nuk mund të them se është diçka negative, por gjithsesi është mënyrë të jetuari, që mua më ka rënë në sy”, -pohon Enesi.

Të marrësh jetën në mënyrë të shkujdesur, për Enesin është një mënyrë të jetuari dhe nuk e gjykon aspak, por thjesht e vë re si dukuri, e cila i bën përshtypje.enes karaçoban

-“Siç e thashë edhe në fillim, shqiptarët i marrin gjërat shumë lehtë, madje edhe bisedat e rëndësishme të punës i bëjnë në kafe. Por kjo nuk është diçka që mund të kritikohet, thjesht është mënyrë të jetuari. Ndoshta një socializim kaq i madh, është diçka shumë e mirë për t’i bërë njerëzit bashkë”, -shton Enesi.

Pas Shqipërisë ka qenë i tërhequr që kur ka qenë në Turqi, sepse simboli i shqiponjës që gjendet në flamurin shqiptar ka qenë shumë intrigues për të. Turqia ka pasur një komunitet të madh shqiptarësh të ngulur aty prej vitesh, nuk kishte se si të mos përbënte objekt bisede në familjet turke për këtë komunitet, ku Enesi i ka dëgjuar me kërshëri, që i kujtohen sot e kësaj dite.

-“Më përpara më ishte fiksuar në mendje që kur kam qenë fëmijë, më ishte fiksuar figura e shqiponjës. Madje mund të them me plot gojën se jam një tifoz i këtij shpendi shumë të fuqishëm. Kur isha i vogël edhe gjyshërit tregoni për histori shqiptare, madje unë i dëgjoja me vëmendje të madhe. Unë jetoj midis dy shteteve dhe prandaj dua të tregoj disa të veçanta. Tre karakteristikat kryesore me të cilat ne jemi rritur, inati i shqiptarit, gatimet me mëlçi , dhe e treta konsiderohet kalldrëmi i shqiptarëve. Madje ka edhe një këngë romantike që lidhet me kalldrëmin e shqiptarëve”, -rrëfen Enesi.

Ai është shkolluar për gjuhën turke dhe e jep mësim këtë gjuhë në Shqipëri, ku të rinjtë mësojnë me shumë pasion gjuhën turke, sepse ajo është një mundësi shtesë për tregun e punës.

-“Për tre vjet që unë kam punuar këtu në Shqipëri, kam dhënë mësim të gjuhës turke, për shqiptarët mendoj se janë njerëz shumë të afruar. Çdo shtet ka veçantitë e veta, madje njerëzit që jetojnë në Mesdhe janë më të afruar dhe miqësor” , -pohon Enesi .

enes karaçobanNë Shqipëri ka shumë firma turke që operojnë në tregun ekonomik, ato kanë të punësuar shumë punonjës shqiptarë. Ky është një shembull i mjaftueshëm që çdo i ri shqiptar t’i përkushtohet mësimit të gjuhës turke, e cila mund të jetë një dritare perspektive për të nesërmen.

-“Fillimisht të rinjtë kanë mësuar nga serialet turke, të cilat kohët e fundit janë shumë të shikuara. Gjithashtu duhet thënë se në Shqipëri ka shumë firma turke, të cilat janë hapësirë për të rinjtë për vende pune”, -nënvizon Enesi.

Letërsia turke është një botë më vete, ajo shpalos për të gjithë ata që dëshirojnë ta njohin, një dimension tjetër të fjalës së shkruar. Ka shumë shkrimtarë turq që kanë arritur të pasqyrojnë realitetin e shoqërisë turke nëpërmjet letërsisë që ata shkruajnë. Madje për njohjen e tyre, qendra kulturore turke “Yunus Emre” ka ndërmarrë nismën për t’i bërë të njohur letrarët turk në të gjithë Shqipërinë.

enes karaçoban-“Përveçse i shpjegojmë për shkrimtarët e mëdhenj turq, duke filluar me Sami Frashërin, ne kemi ndërmarrë një nismë prezantuese të cilat i kemi bërë edhe në mënyrë promovuese. Në fillim bëmë një prezantim me “power point” këtu në “Yunus Emre”, dhe fushatën e shtrimë në disa qytete të tjera. Tregojmë shumë për letërsinë turke. Edhe në rrjetet social ne flasim shumë për letërsinë turke, madje është shumë ngazëllues fakti që të rinjtë i ndjekin me shumë dëshirë këto aktivitete dhe flasin për to”, -thotë Enesi.

Nëse i kërkojmë një listë prej 5 autorësh më të lexuar të letërsisë turke, ose një orientim për të rinjtë që duan të lexojnë këtë letërsi. Enesi e ka pak të vështirë të gjejë 5 emra, sepse ai nuk e ka të lehtë përzgjedhjen, duke pasur parasysh që ka një mori shkrimtarësh turq mjaft të spikatur. Gjithsesi mes shumë vështirësive, ai na i rendit disa prej tyre.

-“Unë do them katër turq, Orhan Pamuk, Ouz Atay, Elif Shafak, Nexhip Fazil Kisakurek. Nëse do vini një ditë të shihni prezantimet tona, do ta shihni më me imtësi. Gjithashtu në këtë pesëshe kam dëshirë të vë një shkrimtar shqiptar, mjaft i dashur për mua, Ismail Kadare”, -shton ai.enes karaçoban

Enesi ka parë të përbashkëtat midis dy vendeve, të cilat janë shumë të dukshme, duke filluar nga familjet e mëdha, e deri tek realiteti i përditshëm. Ai është i mendimit se popujt në një mënyrë apo një tjetër ngjajnë shumë me njëri-tjetrin, aq më shumë kjo për Turqinë dhe Shqipërinë, që kanë një të kaluar të përbashkët historike.

-“Ka shumë të përbashkëta madje edhe kur hyn në ndonjë shtëpi shqiptare të duket sikur je në ndonjë shtëpi turke, madje ka një pjesë fjalësh që janë të përbashkëta. Unë nuk shoh ndonjë dallim të madh midis dy popujve, unë jam turk, por ndihem si njeri global”, -shpjegon Enesi.

Të gjithë turqit që kemi takuar këtu në Shqipëri, punën e nisin në orën 9, pasi kanë ngrënë një mëngjes të bollshëm, dhe e vazhdojnë më gjatë se orari zyrtar në Shqipëri. Kjo është një mënyrë e tyre e të punuarit dhe e kanë praktikuar edhe këtu. Edhe Enesi nuk bën përjashtim në këtë drejtim, ai si të gjithë ndjek të njëjtin rit të shkuarit në punë.

-“Normalisht turqit e nisin ditën me çaj, por pasi erdha në Shqipëri ditën e nis me kafe. Dita nis me një mëngjes turk, më pas dal nga shtëpia për të ardhur në punë, kur dal nga shtëpia përshëndes të gjithë njerëzit e lagjes, pasi i njoh të gjithë. Dhe e nis ditën në punë i qetë. Kam nisur të jem aktiv në jetën sociale, duke u bashkuar me grupe të ndryshme, sidomos biçikleta është ajo që më pëlqen shumë, dhe gjatë fundjavës unë merrem me të”, -pohon Enesi.

enes karaçobanGjithsecili ka një hob të tijin që pret ta ushtrojë sapo t’i jepet mundësia. Edhe Enesi ka hobet e tij, të cilat nuk i lë aspak pas dore, por përkundrazi, i ndjek ato hap pas hapi. Ai kohën e lirë mundohet t’ia përkushtojë tërësisht vetes, pasi mendon se kështu mund të jetohet më shëndetshëm.

-“Që nga koha e universitetit unë kam dëgjuar shumë muzikë rrok dhe kur kam ardhur në Shqipëri i kam frekuentuar vendet, ku ka muzikë të tillë. Madje kam edhe këngëtarët e mi të pëlqyer siç janë: Eugent Bushpepa, Elton Deda etj. Unë do veçoja Kosovën në drejtim të muzikës, dhe mund të them pa frikë se janë fabrikë prodhuese në muzikë, nëse mund të shprehem kështu”, -shprehet ai.

Të gjithë e pohojnë njëzëri kur janë larg atdheut të tyre se gjëja për të cilën i merr më shumë malli është familja. Edhe Enesi në këtë drejtim shpërfaq të njëjtën ndjesi. I mungojnë edhe kohët e bukura të kaluara në Turqi, por gjithsesi këto i kompenson se kalon mirë edhe këtu.enes karaçoban

-“Më e rëndësishme është familja, në Turqi ne kemi pasur vende që i thoshim bahçe dhe ishte me lule dhe gjelbërim, ku pihej çaj dhe bëhej muhabet, këtu nuk ka mjedise të tilla. Gjithashtu ka edhe disa ushqime siç është qebapi turk, që çuditërisht nuk bëhet këtu”, -thotë Enesi.

Ushqimi në Shqipëri është i ngjashëm me atë turk, madje disa emërtesa gatimesh kanë edhe emrat e njëjtë. Por ka disa gatime që janë të famshme si ushqime shqiptare, siç është byreku shqiptar apo trileçja, që të gjithë turqit e lavdërojnë shumë.

-“Kemi shumë ushqime të përbashkëta, madje ka disa gjëra që këtu i bëjnë shumë të mira. Kështu dua të përmend byrekun shqiptar dhe trileçen. Ndërsa për ushqime të tjera mendoj se janë të njëjta”, pohon Enesi.

Vetvetiu duke qëndruar për njëfarë kohe në një vend, sigurisht që do zësh edhe miqësi. Kështu ka ndodhur edhe me Enesin, ai ka arritur të ketë shumë miq shqiptarë të profesioneve nga më të ndryshmet.

enes karaçoban-“Unë këtu kam më shumë miq shqiptarë se sa turq, ndërsa për sa i përket profesioneve, unë përpiqem të kem miq në të gjitha profesionet. Unë kam miq kuzhinier, policë në aeroport , mjekë etj.”, -nënvizon ai .

Enesi na e shuan kureshtinë tonë, se ç’ishte ajo këngë që kishte në përmbajtje teksti “kalldrëmin i shqiptarëve”. Ajo është një këngë shumë e bukur si vetë dashuria, të cilës i këndohet.

-“Unë kam qenë i vogël kur ka dalë ajo këngë, ka qenë viti 1995. Historia e këngës është e tillë që një fëmijë i vogël me kalimin e kohës rritet dhe dashurohet me një vajzë dhe kënga vazhdon me ëndrrën e këtij të riut që vajza i shfaqet në ëndërr duke kaluar në “kalldrëmin shqiptar”, sepse kështu njihen këto rrugë në Turqi”, -shprehet Enesi.

Askush nuk e ka menduar se ku do të jetojë në të ardhmen e tij, në këtë drejtim nuk bën përjashtim as Enesi, i cili tregon se projekti i tij në një vend zgjat maksimumi deri ne 5 vjet, më pas nuk dihet se ç’bëhet.

-“Dëshira është e madhe, por puna jonë na e do që ne të lëvizim në vende të tjera, se maksimumi i kontratës është 3-5 vjet. Por në një të ardhme unë do ju flas fëmijëve të mi për një vend të bukur që quhet Shqipëri. Kam edhe një mesazh për të gjithë njerëzit që të tregojnë kulturën e tyre se jeta bëhet më bukur”,- përfundon Enesi.

- Realizoi për TRT Shqip, Urim TUSKU -


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme