Erkan Gunduz, arti i bizhuterive artizanale

Shqiptarët vlerësojnë shumë simbolikën dhe për këtë arsye, shumica e bizhuterive që bëhen me porosi kanë një simbolikë të caktuar.

Erkan Gunduz, arti i bizhuterive artizanale

Shqipëria është parë gjithmonë si një vend që mund të ndërtosh diçka të re, apo të ripërtërish të vjetrën, duke sjellë me vete eksperiencë nga vendi që vjen. Në Shqipëri kanë ardhur shumë turq nga Turqia, të cilët kanë sjellë me vete edhe zanatin që kanë ushtruar në vendin tyre më parë. Një nga këta është edhe Erkan Gunduz. Ai vendosi të vinte nga Ankaraja për në Tiranë, sepse mendonte se me punën e tij atë të artizanit përpunues të metalit të çmuar, siç është ari apo argjendi dhe gurët e çmuar, ai mund të kënaqte të gjithë pritshmëritë e klientëve.

Ftesa për të ardhur në Shqipëri i erdhi nga një mik, i cili i sugjeroi që për punën që ai bën, në Shqipëri ka shumë nevojë, sepse nuk është ushtruar shumë zeja të bërit të bizhuterive me dore.

Në fillim ka ardhur sepse më bëri ftesë një miku im, ai më tha eja në Shqipëri se nuk ka usta si ti”, -pohon Erkani.

Këtë Zanat ai e ka të trashëguar ndër breza, madje ata si familje njihen si përpunues të arit dhe argjendit, apo punime të ndryshme me gur te çmuar.Erkan Gunduz

Kam edhe shumë kushërinj që punojnë kështu, ky është një zanat i trashëguar”, -shton Erkani.

Ardhja në fillim në Shqipëri, për të ka qenë disi e befasishme, sepse shihte mungesa që nuk mund t’i mendonte në vendin e tij, por me kalimin e kohës erdhi dhe u përshtat, sa që mendon se vitet e fundit ka njëfarë përmirësimi të dukshëm.

Ka shumë ndryshim, më duket më mirë tani, edhe pse kaq një krizë ekonomike, shpresojmë të kalojë sa më shpejt”, -thekson Erkani.

Vjen nga Ankaraja, sigurisht që këtu vë re ndryshime që i duken herë -herë edhe të çuditshme krahasuar me vendin nga vjen, por gjithsesi ka më shumë të përbashkëta se sa dallime te theksuara.

“Si qytet ka shumë ndryshim, por zakonet janë njësoj. Ne jetojmë këtu por nuk ndihemi si në vend të huaj. Unë kam qenë në të gjithë Evropën dhe kam shëtitur andej jam ndier i huaj, kurse këtu jo, -thotë Erkani.

Mendonte se do te kishte shumë sukses këtu, dhe këtë deri diku e ka arritur. Ai mundohet që punës t’i shërbejë sa më shumë, sepse nëse klientët janë të kënaqur automatikisht aktiviteti përhapet vetë mjafton të punosh me korrektësi.

Kjo është si shkalla, nëse punon mirë dhe pastër, pa hile, sigurisht qëe do kemi sukses. Ne turqit jemi një popull punëtor. Këtu është një vend i vogël, emri i mirë përhapet shumë shpejt, ndërsa emri i keq të prek direkt në mosbesim”, -thekson Erkani.

Nuk mund të na shpëtonte pamja e duarve të tij, ato duket se kishin punuar shumë gjatë në përpunimin e metalit të çmuar, sepse shenjat ishin të dukshme. Në fund të fundit një zanatçi Ii atij kalibri, këtë ka edhe si shenjë dalluese, punën konkrete që e ka bërë me duart e tij.

erkan gunduzNe punojmë këtu pa kufij, në kuptimin nga riparimet tek pordhimet. Me argjend flori dhe me gur të çmuar, jo me makineri por me dorë. Me pak fjalë ne bëjmë nje lloj arti. Edhe në Shqipëri ka ustallarë të mirë, por nuk ka shumë konkurrencë si në Turqi”, -pohon Erkani.

Për gjithkënd që ndërmerr nismën për një sipërmarrje në vend të huaj, është disi e vështirë, shtoji kësaj edhe mosnjohjen e realitetit apo gjuhës që e dyfishon këtë vështirësi. Gjithashtu hapat e parë hidhen me shumë ngadalësi, pasi klientela nuk të njeh dhe deri sa të fitojë besimin të shohë se çfarë di të bësh, nuk afrohet lehtë.

Nuk e kishim aspak të vështirë përjashto gjuhën, nëse e di këtë të fundit nuk është aspak e vështirë. Ish-ortaku im është nga Tropoja, unë di shqip, por atë ende nuk e kuptoj sepse dialekti është shumë i trashë, nëse e krahasojmë me gjuhën standarde”, -nënvizon Erkani.

Bizhuteritë e tij të prodhuara me dorë, kanë një shtrirje në të gjithë Shqipërinë, këtë e ka arritur në sajë të cilësisë së shërbimeve që arrin të nxjerrë nga duart e tij. Të rinjtë përbëjnë edhe shumicën e atyre që bëjnë porosi të ndryshme. Është një lloj mode që nuk duan të jenë të gjithë uniformë për të pasur të njëjtat gjëra, prandaj shkojnë në argjendarinë e Erkanit dhe bëjnë porosi nga më të ndryshmet sipas simbolikës që ata duan t’i japin një aksesori.

Unë punoj me dy kategori, unë punoj me kolegë, argjendarë të tjerë, jo vetëm Tirana por nga e gjithë Shqipëria, nga Bajram Curri deri në Sarandë unë kam kolegë dhe bëj gati porositë që më japin ata. Më shumë unë punoj për kolegë. Ne punojmë edhe në bazë të porosive, klientët e kërkojnë në një model të caktuar ne e realizojmë, -pohon Erkani.

Shqiptarët harxhojnë kur vjen puna tek e dukshmja, ata nuk hezitojnë që të skalisin qoftë edhe nëpërmjet bizhuterive diçka që ka lidhje me përditshmërinë e tyre, apo personat që i kanë më të dashur.

Mirë janë çmimet të përballueshme, sepse në fund të fundit është diçka qejfi, nuk është diçka që blihet për hall”, -shton ai.

Për turqit kultura e punës jua do që të punojnë nga mëngjesi deri në mbrëmje, madje çuditen se si ne shqiptarët ia dalim që të punojmë vetëm 8 orë. Për ta është shumë e rëndësishme që çdo klient të marrë shërbimin e kërkuar, nuk ka rëndësi është paradite apo pasdite.

Unë punoj 12 orë, nga ora 9 e mëngjesit deri në orën 9 të darkës. Punojmë non-stop, pushimë bëjmë, por nuk jemi si shqiptarë punojmë më shumë”, -thekson Erkani.erkan gunduz

Gjithsecili që vjen nga Turqia dëshmon se ka një zell të theksuar për punë,ata nuk e durojnë dot faktin që koha të rrëshqasë pa bërë asgjë. Për ta koha është shumë e vlefshme dhe kushton nëse rri kot, por edhe të shpërblen nëse punon.

Është kulturë pune, ne akoma në Turqi, përveç zyrtarëve të tjerët punojnë me orar të zgjatur”, -shton ai.

Familja e Erkanit banon në Shqipëri, ai është shumë i lidhur me të dhe nuk mund të qendronte larg tyre.

Familja ime është këtu, kam 3 djem dhe një vajzë”, -pohon Erkani.

Për t’i dhënë një kulturë që ndërthur shkollimin së bashku me besimin, Erkani fëmijët i ka dërguar në Medrese, një shkollë që administrohet nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë dhe ka një disiplinë të fortë në mësimdhënie.

Medreseja është një shkollë që përfaqësohet nga Komuniteti Mysliman, është një shkollë me një profesionalizëm të lartë”, -thotë Erkani.

erkan gunduzShqipëria për çdo të huaj që vjen këtu, duket shumë tërheqëse, sepse ka vende shumë të bukura, që do të tundonte gjithkënd ta vizitonte, ata shkojnë kryesisht në zonat turistike, por edhe ato që kanë vlera historike.

Po, 80 %, vetëm ka dy –tre qytete që nuk kam qenë. Është një vend i vogël, dhe ka ngelur disi mbrapa nëse e krahason me vende të tjera përreth. Për mua Shqipëria është zemra e Ballkanit. Ama duhet shumë investim dhe shumë punë që të arrijë atje ku duhet në nivel me fqinjët e saj të Europës”,-thotë Erkani.

Në Shqipëri jeton një komunitet i madh turk, por ata janë në marrëdhënie të mirë me njëri-tjetrin, por jo të tubuar në shoqata. Erkani thotë se këtë gjë nuk e kanë bërë pasi nuk ka qenë shumë e nevojshme, sepse këtu ndihen si në vendin e tyre.

Po kemi shoqëri, në Shqipëri siç ju thashë në fillim, këtu jemi si në në vendin tonë, nuk është si në vendet të tjera Gjermani apo Francë, që krijohen shoqata turke. Kurse këtu nuk ka nevojë pasi ne ndihemi si në vendin tonë këtu. Ne jemi të shkrirë pothuaj me komunitetin shqiptar kur pimë kafe”, -thekson Erkani .erkan gunduz

Të jetosh në Shqipëri, normalisht që do të krijosh marrëdhënie edhe me ata që ke pranë, pra fqinjët, ne lagjen që banon. Duke qenë ballkanasit janë disi më të ngrohtë kjo ka bërë që komunikimi të jetë i afërt duke uruar njëri-tjetrin për festa të ndryshme.

Po, kemi shumë marrëdhënie të mira edhe me fqinjët e punës edhe ata të lagjes. Kemi komunikim të mirë, shihemi për festa festojmë së bashku", shton ai.

Duke qëndruar ndër shekuj së bashku ne dhe turqit kemi marrë e dhënë shumë me njëri-tjetrin, gjë e cila vihet re lehtësisht nëse i sheh me kujdes sjelljen e të dy popujve.

E para është kuzhina, gjithashtu është mënyra e jetesës si turke. Këtu një ndryshim sepse komunikimi është më i madh, sepse vendi është shumë i vogël. Kurse unë edhe pse jam turk, kur shkoj në Stamboll vetja më duket si i huaj, pasi është një qytet 20 milion banorësh. Shqiptarët janë një popull shumë pozitiv”, -thekson Erkani.

Në krahasim me Ankaranë nga vjen Erkani, këtu jeta është disi më e lirë, nëse i krahason çmimet, por edhe të ardhurat janë më të pakta.

erkan gunduzNjësoj është pak a shumë, por atje jeta është pak më e vështirë, sepse çmimet janë më të shtrenjta”, -thotë ai .

Konsumimi i kafes në kafenetë e shumta është kthyer në një mënyrë jetese në Shqipëri, po për Erkanin kjo është e tepërt që të shpenzosh kohë në kafe.

Po, edhe kjo është problem shqiptar, sepse rrinë shumë në kafe dhe e harxhojnë kohën në kafe. Një shoku im erdhi dikur në dyqan dhe tha kam një muhabet me ty, me pas sa u ulëm nxori dy unaza se donte t’i rregullonte. Shqiptarët bëjnë tregti në tavolinë. Ne turqve na bën përshtypje, sepse koha është flori nuk duhet humbur asnjë moment”, -pohon Erkani.

Tirana i duket shumë e ngushtë, kjo në drejtim të mungesës së rrugëve, të cilat janë shumë të vogla për të përballuar kapacitetet lëvizëse.

Problem i Tiranës është se mungojnë rrugët për kapacitetet lëvizëse, qyteti është shumë i bukur, ama infrastruktura mungon. Për popullin duhen nënkalime,ura sepse këto duhen. Më parë kishte një ajër të ndotur, ndërsa vitet e fundit është përmirësuar disi. Shpresojmë që në të ardhmen të bëhet më mirë”, -shprehet Erkani.

Në vendlindje nuk shkon shpesh, vetëm kur i duhet të shkojë të marrë mall për aktivitetin e tij.

Shkoj njëherë në 8 muaj, ose njëherë në vit. Nuk shkojmë shumë vetëm për tregti shkojmë. Kemi mall shumë për Ankaranë, por na ndodh diçka e çuditshme, sepse kur shkojmë në Ankara na merr malli për Shqipërinë”, -shton ai.

Në Shqipëri ka dëshirë të jetojë përherë.

Po, unë dhe familja ime do jetojmë gjithmonë këtu, nëse puna që bëj ecën me këto ritme”, -pohon Erkani.

- Realizoi për TRT Shqip, Urim TUSKU -


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme