Të parat e Anadollit – Kulmi i arkitekturës osmane: Xhamia dhe Kompleksi “Selimije”

Tema jonë e sotme është Xhamia dhe Kompleksi “Selimije”, e para faltore myslimane e përfshirë në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s dhe e cilësuar si kryevepër e gjenisë humane falë përmasave e vlerave të saj estetike.

1825621
Të parat e Anadollit – Kulmi i arkitekturës osmane: Xhamia dhe Kompleksi “Selimije”

Të parat e Anadollit – Kulmi i arkitekturës osmane: Xhamia dhe Kompleksi “Selimije”

𝔸nadolli është dëshmitar i qytetërimeve, luftërave e paqes që në fazat e hershme të historisë; është historia e përbashkët e dhjetëra kulturave, besimeve dhe gjuhëve të ndryshme që strehon në gjirin e tij. Ai zbulon papritmas historinë e fshehur ndonjëherë në natyrën e tij dhe hera-herës në strukturat e tij unike që sfidojnë shekujt... Dhe gjurmët historike ndiqen më tepër në kryeqytetet e shteteve të themeluara në këtë hapësirë gjeografike... Edhe pse kulturat dhe kushtet gjeografike të tyre janë të ndryshme, nga hititët te qytetërimi urartu dhe nga bizantinët te osmanët, të gjitha këto civilizime i kushtojnë rëndësi të veçantë kryeqyteteve të tyre, të cilat i pajisin me vepra arkitekturore unike për të demonstruar fuqinë e shtetit. Kur në fakt përpiqemi t'i kuptojmë, ne i përshkruajmë këto qytetërime, shtete e perandori nëpërmjet kryeqyteteve të tyre. Sot, në rubrikën “Të parat e Anadollit”, do të flasim për Edrenenë, një prej kryeqyteteve të Perandorisë Osmane, e cila sundoi për më shumë se 600 vjet, duke u ndalur veçanërisht mbi Xhaminë “Selimije” dhe kompleksin e saj, një vepër arkitektonike madhështore.

Njerëzit janë vendosur në Edrene në të gjitha periudhat historike duke filluar që nga antikiteti. Rol me peshë në përzgjedhjen e Edrenesë si vendbanim kanë luajtur sidomos dy lumenj të rëndësishëm si Meriçi dhe Tunxha (respektivisht Marica dhe Tonsos në lashtësi). Gjatë periudhës romake, Perandori Adrian e kuptoi shumë shpejt rëndësinë strategjike të qytetit dhe e quajti atë Adrianapojë, që do të thotë “Qyteti i Adrianit”. Ky emër ndryshoi me kalimin e kohës dhe pas ngadhënjimit mbi të nga osmanët, qyteti mori emrin Edirne apo Edrene. Pa kaluar shumë, kryeqyteti otoman u zhvendos këtu meqenëse ishte një pikënisje e rëndësishme për fushatën ngadhënjimtare në Evropë. Edreneja ishte kryeqyteti i Perandorisë Osmane për 88 vjet deri në marrjen e Stambollit.

Edreneja u zhvillua vrullshëm me ndërtimin e haneve, hamameve, urave, medreseve dhe xhamive, siç i ka hije kryeqytetit. Kultura dhe arkitektura osmane u pasqyruan anekënd qytetit, rëndësia e të cilit nuk u shuajt thuajse aspak edhe pasi Stambolli u bë kryeqytet i Perandorisë Osmane. Pasi Sulltan Selimi II ngadhënjeu mbi Qipron, ai donte që një xhami e madhe të ndërtohej në Edrene dhe këtë mision ia dha Mimar Sinan Agës, kryearkitekt i Portës së Lartë dhe një prej më të njohurve jo vetëm në trevat otomane, por edhe në historinë botërore... Sepse ai ishte një gjeni që shkrinte me mjeshtëri teknikën, estetikën dhe elementet kulturore në veprat e tij. Njohuritë e Sinanit për inxhinierinë dhe arkitekturën ishin shumë përpara kohës në të cilën jetonte. Gjenia e tij është pasqyruar natyrshëm në të gjitha veprat që ai ka prodhuar. Një vend të veçantë ndër veprat e tij zë Xhamia dhe Kompleksi “Selimije” në Edrene. “Selimija është kryevepra ime”, thoshte mjeshtri vetë. Sinan Agai gërshetoi me përsosmëri eksperiencën e tij 80-vjeçare me fuqinë magjike të artit të tij duke e zbuluar atë me finesë dhe detaje të jashtëzakonshme në Xhaminë “Selimije”.

Ekspertët thonë se Xhamia “Selimije” apo Xhamia e Selimit II përfaqëson majën, pikën kulmuese të arkitekturës osmane. Për herë të parë në vitin 2011, UNESCO-ja përfshiu një xhami në Listën e Trashëgimisë Botërore me motivin se “Selimija është një kryevepër me cilësi unike/origjinale dhe përfaqëson një ose më shumë periudha të rëndësishme të historisë së njerëzimit”.

Silueta e Selimijes shfaqet me 2 prej gjithsej 4 minareve të saj në të hyrë të Edrenesë. Arkitekt Sinani e ka vendosur këtë objekt kulti mbi një kodrinë që dominon pamjen e qytetit, në mënyrë që ajo të shihet nga çdo skaj i tij. Teksa i afrohesh, vepra zbulon gjithë shkëlqimin e saj me pamjen monumentale dhe arkitekturën unike. Me kupolën e saj madhështore dhe 4 minaret elegante, Xhamia “Selimije” pozicionohet mu në qendër të kompleksit që formohet nga medresetë, biblioteka dhe pazari.

Tipari më i rëndësishëm që e dallon Selimijen nga xhamitë e tjera, është kubeja e saj. Kjo për faktin se bëhet fjalë për një kupolë shumë të madhe që është ndërtuar pa asnjë mbështetje nga ndonjë tjetër element arkitektonik. Teknikisht, është jashtëzakonisht e vështirë të mbulosh hapësira të mëdha me një kube të vetme kaq të madhe. Në historinë e arkitekturës, shumë pak struktura formojnë të gjithë perceptimin e brendshëm dhe të jashtëm të një objekti me një kupolë të vetme kolosale. Aq sa shembujt e vetëm që mund të paraqesim në këtë aspekt, nuk shkojnë përtej 4 veprave: Panteoni i Romës, Shën-Sofia e epokës biznatine, Katedralja e Firences (Shën-Mëria e Lules) që filloi të ndërtohej në shekullin XIII, si dhe Xhamia “Selimije” në periudhën osmane.

Shën-Sofia ka qenë gjithmonë ndër elementet më të mrekullueshme dhe më të rëndësishme të Stambollit, po ashtu kryeqytet i Romës Lindore apo Bizantit përpara se të sundohej nga osmanët. Përtej rëndësisë së saj fetare, ajo shquhet gjithashtu për arkitekturën dhe veçanërisht për dimensionin gjigant të kupolës së saj. I magjepsur dhe njëherësh i frymëzuar nga kupola e Shën-Sofisë, Mimar Sinani ëndërronte që prej rinisë së tij të ndërtonte një kube më të madhe sesa ajo e “Urtësisë së Shenjtë”. Dhe këtë ëndërr ai e realizoi në Xhaminë “Selimiye”. Duke ndërtuar për Selimijen një kube 43 metra të lartë dhe me diametër 32 metra, Sinani la pas Shën-Sofinë dhe nxori në pah një vepër monumentale. Nëse marrim parasysh njohuritë teknike të asaj kohe, kuptohet qartë se Sinani kishte arritur të pamundurën. Nëpërmjet 4 minareve shumë elegante, kryearkitekti i famshëm theksoi edhe efektin e kubesë gjigante në ambientin e jashtëm. Minaret që ngrihen në qiell me një shije të hollë e me mjeshtëri nga 4 pika të baraslarguara të kupolës, dallohen si minaret e dyta më të larta në botë.

Efekti kryesor i kupolës gjigante të Selimijes nuhatet e shijohet brenda objektit të kultit: interieri i xhamisë është shumë i madh dhe i gjerë, sepse nuk ndahet me elemente arkitektonike të tilla si kolonat, duke mundësuar që xhemati të mblidhet njëherësh në një hapësirë të vetme. Fjalori ynë, por edhe hapësira në dispozicionin tonë, nuk mjaftojnë për ta përshkruar saktësisht efektin dhe ndjenjat që ngjall ajo tek njerëzit... Gjëja më e mirë që mund të bëni, është ta vizitoni Selimijen dhe të qëndroni nën kubenë e saj për ta konceptuar përnjëmend atë efekt...

Sinani projektoi qindra dritare të vogla në muret dhe kupolën e xhamisë për ta ndriçuar mjaftueshëm objektin me përmasa madhore të Selimijes. Dekorimi i brendshëm i xhamisë është të paktën po aq mbresëlënës sa edhe arkitektura e saj. Interieri i xhamisë paraqet veçmas një festival pamor të rrallë me shembujt më të mirë të ekselencës mjeshtërore më të lartë jo vetëm në punimet e drurit, sedefit dhe mermerit, por gjithashtu në motivet e fajancave dhe qeramikave të tjera. Minberi dhe mihrabi i xhamisë janë ndër kryeveprat e mermerta të Selimijes.

Xhamia dhe Kompleksi “Selimije” formojnë një ansambël arkitektural të mrekullueshëm me ndërtesa të integruara harmonishëm me Edrenenë, të cilat ndoshta e lënë në hije të gjithë pjesën tjetër të qytetit. Falë përsosmërisë teknike, ajo vazhdon të sfidojë vitet duke mos u prekur aspak nga tërmetet dhe fatkeqësitë e tjera natyrore deri më sot… Selimija është vepra më madhështore e arkitekt Sinanit dhe konsiderohet si maja e arkitekturës osmane për nga zhvillimi i xhamive.

 

Autore: Neslihan Degirmencioglu – Producente, TRT, Ankara

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti – Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara



Lajme të ngjashme