Të parat e Anadollit – Liqeni i Saldës, rojë i sekreteve për të kuptuar Marsin

Tema jonë e sotme është liqeni i Saldës, i njohur gjerësisht si Maldivet e Turqisë, i cili është i vetmi vend në Tokë që ka ngjashmëri me kraterin “Jezero” në Mars.

1819337
Të parat e Anadollit – Liqeni i Saldës, rojë i sekreteve për të kuptuar Marsin

Të parat e Anadollit – Liqeni i Saldës, rojë i sekreteve për të kuptuar Marsin

ielli i intrigon njerëzit prej mijëra vjetësh. Në të shumtën e rasteve është e lehtë t’i vështrosh yjet në një natë pa re, të zhytesh në zbrazëtinë e hapësirës dhe të ëndërrosh a të mendosh për botë të tjera. Ne kridhemi në errësirën qiellore mbase nën efektin e ndjenjave romantike apo të historive fantastike. Por shkencëtarët merren me qiellin prej një kohe shumë të gjatë për të hulumtuar botë të ndryshme dhe për të zbuluar nëse ekziston një formë jete ndryshe jashtë botës sonë.

Gara hapësinore, e cila filloi pas Luftës II Botërore, fitoi një dimension tjetër me zbarkimin e njerëzve në Hënë. Krahas satelitit të Tokës, në ato vite kërkime u kryen edhe në planetë të tjerë. Në krye të këtyre planetëve renditet Marsi, sepse ai është gjithashtu një planet tokësor si bota jonë dhe nuk është shumë afër Diellit. Dhe që në ato vite është hulumtuar nëse ka apo jo jetë në Mars. Por me ndryshimin e klimës, rrezikimin e burimeve ujore dhe shkallën në rritje të shkrirjes së akullnajave, eksplorimi i Marsit është përshpejtuar që prej fillimit të viteve 1990. Sot këto hulumtime kanë lënë pas një çerek shekulli. Sonda të shumta janë dërguar për qëllime të ndryshme dhe në kohë të ndryshme për të parë nëse “Planeti i Kuq” do të na jepte një shans për të jetuar. Kështu u bë i mundur grumbullimi i një sasie të madhe të dhënash për Marsin. Përpara se të dërgonte në vitin 2020 një mjet eksplorimi në kraterin “Jezero” të Marsit, ku janë përqendruar studimet aktualisht, Administrata Kombëtare e Aeronautikës dhe Hapësirës (NASA) në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ​​postoi një mesazh në një prej llogarive të saj në rrjetet sociale.

“Edhe pse janë në botë të ndryshme, liqeni i Saldës në Turqi ka ngjashmëri gjeologjike me kraterin «Jezero» në Mars. Studiuesit madje bënë edhe punë në terren në këtë zonë si përgatitje për Marsin”, komentoi NASA në median sociale dhe kjo mjaftoi që e gjithë vëmendja të përqendrohej mbi liqenin unik të Saldës në Turqi.

Liqeni i Saldës në Burdur, provincë jugperëndimore turke, konsiderohet si “Maldivet e Turqisë” me rërën e bardhë dhe ujin me tone bluje. Në fakt, kur sheh fotografitë e liqenit të Saldës dhe Maldiveve pranë njëra-tjetrës është shumë e vështirë t'i dallosh! Salda është një liqen krateri në vargmalin Taurus. Me fjalë të tjera, ai u formua si rezultat i tërmeteve dy milionë vjet më parë. Duke qenë një liqen vullkanik, ujërat e tij janë gjithashtu të pasura me sodë e magnez. Dhe është pikërisht magnezi ai që kontribuon në formimin e atyre rërave të bardha, nga të cilat njerëzit nuk mund t'i heqin sytë. Kurse bakteret e liqenit thithin magnezin dhe krijojnë një shtresë të ndryshme. Në liqenin e Saldës ka baktere që prodhojnë oksigjen 24 orë në ditë. Këto baktere, të cilat furnizojnë liqenin me gazin jetik, konsiderohen si gjallesat e para në botën tonë. Këto shtresa të formuara nga bakteret shpërbëhen me kalimin e kohës për të formuar këto rëra të bardha jashtëzakonisht të rralla e magjepsëse. Janë këta shkëmbinj të bardhë me origjinë bakteriale ata që i japin liqenit ngjyrën e tij madhështore të bruztë. Dihet që këta shkëmbinj filluan të formoheshin 3,5 miliardë vjet më parë. Këtu zbulohet edhe tipari më i rëndësishëm që e dallon Saldën nga liqenet e tjerë. Ekspertët thonë se këto formacione kanë informacione për format më të vjetra dhe më avangardë të jetës mbi Tokë. Thënë ndryshe, këta shkëmbinj të bardhë jo vetëm që ofrojnë një festival pamor, por gjithashtu përmbajnë informacione jashtëzakonisht të çmuara për botën shkencore. Sepse ato janë formacionet më të vjetra fosile në Tokë dhe hasen vetëm në dy vende të botës: në liqenin e Saldës në Turqi dhe në lagunën e Alçiçikës në Meksikë. Kjo është arsyeja pse NASA njoftoi që ekipi hulumtues kishte mbërritur në Saldë për përgatitje përpara ekspeditës në kraterin “Jezero” të Marsit.

Për shkak të depozitave të deltës në kraterin “Jezero”, studiuesit besojnë se një liqen dikur ekzistonte këtu. Ata besojnë se në këtë liqen janë gjetur edhe mineralet kripore që gjenden në krater. Liqeni i Saldës hyn në lojë saktësisht në këtë pikë. Sepse Salda është liqeni i vetëm në botë që përmban bikarbonate të ngjashme me deltën në krater. Meqenëse kripërat bllokojnë gjithçka në mjedis, përfshirë mikroorganizmat, ato gjithashtu ofrojnë dëshmi për format e jetës që ekzistonin dikur. Për më tepër, vija e bardhë mahnitëse e brigjeve të Saldës dhe struktura gjeologjike e liqenit janë të ngjashme me ato të kraterit “Jezero”. Kjo është arsyeja pse ekipi hulumtues që erdhi në Salda, deklaroi se i dukej sikur po shikonte kraterin në Mars dhe sugjeroi që kureshtarët e Marsit të shkojnë në Saldë.

Liqeni i Saldës na kujton Marsin me strukturën e tij gjeologjike dhe Maldivet me rërën e bardhë dhe ujërat e bruzta. Megjithatë liqeni i Saldës nuk mbaron me kaq. Ky liqen mbresëlënës, i cili është ndër liqenet më të thellë në Turqi, ka statusin e “Zonës së Rëndësishme Natyrore” për shkak të specieve endemike që përmban. Ai është gjithashtu shtëpi e specieve që janë në rrezik të zhdukjes në mbarë botën. Salda është një ligatinë me vlerë globale, e cila plotëson të gjitha kriteret për t’u quajtur Zonë e Rëndësishme Bimore dhe Zonë e Rëndësishme Shpezore, së bashku me rrethinat e saj.

Salda karakterizohet si një laborator natyror për studimet e Marsit si rezultat i formacioneve që përmban. Liqeni kërkon përgjigjen e pyetjes: “A ka jetë në Mars?”, e cila i mundon njerëzit prej një kohë të gjatë. Studiuesit mendojnë se nëse rëra e bardhë, e cila na ofron një festival vizual, do të strehonte baktere prej miliona vjetësh dhe nëse vazhdon të bëjë kështu, diçka e ngjashme mund të ketë ndodhur ose do të ndodhë në Mars. Si përfundim i hulumtimeve të kryera deri më sot, është zbuluar se Marsi ka burime ujore, vullkane dhe një klimë të nxehtë. Duket se ka një rreze shprese në Mars, edhe pse aktualisht nuk ofron kushte të përshtatshme për të jetuar. Dhe shumica dërrmuese e njerëzve mezi presin ditën kur do të zbulohet lajmi i mirë se ka jetë ose një vend për të jetuar në Mars. Po, ndoshta një ditë njerëzit do të gjejnë një mënyrë për të jetuar në Planetin e Kuq. Por deri sa të vijë ajo ditë, ne duhet të vazhdojmë të mbrojmë në maksimum atë që kemi aktualisht.

Në liqenin e Saldës ju mund të qëndroni në bregun e tij, të kundroni shkëmbinjtë dhe rërën e bardhë, të dëshmoni të kaluarën e miliona viteve dhe të mendoni për qindra-mijëra vjet më parë. Sot folëm për liqenin e Saldës, i njohur gjerësisht si Maldivet e Turqisë, i cili është i vetmi vend në Tokë që ka ngjashmëri me kraterin “Jezero” në Mars.

 

Autore: Neslihan Degirmencioglu – Producente, TRT, Ankara

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti – Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara

 



Lajme të ngjashme