Të parat e Anadollit – Kalaja e Zilesë, ku Jul Cezari tha: “Veni, vidi, vici”

Në pjesën e sotme të rubrikës sonë “Të parat e Anadollit” do t’ju prezantojmë Zilenë, vendi në të cilin mori jetë shprehja historike “Veni, vidi, vici”; si dhe shpellën Ballica të Tokatit, një ndër shpellat më të veçanta në botë.

1765343
Të parat e Anadollit – Kalaja e Zilesë, ku Jul Cezari tha: “Veni, vidi, vici”

𝔸nadolli është dëshmitar i periudhave të ndryshme të historisë dhe mbart gjurmët e tyre… Me kështjellat, muret rrethuese, xhamitë, kishat, urat dhe qytetet e lashta, të parat e Anadollit ia vlen të tregohen... Pothuajse të gjithë e kanë dëgjuar atë thënien proverbiale “Veni, vidi, vici” (Erdha, pashë, pushtova), të Jul Cezarit; por janë vërtet shumë të paktë ata që e dinë se gjenerali dhe burrështetasi i shquar romak i ka thënë këto fjalë në rrethin Zile (Zela në antikitet) të provincës Tokat, në Republikën e Turqisë. E pra, një gjeografi e tillë ka një forcë realisht të madhe për të trajtësuar historinë...

Çdo rajon i Anadollit, pa përjashtim, është preferuar si zonë banimi nga njerëzit ndër shekuj. Sepse të gjithë elementët e nevojshëm për jetën e njeriut janë të pranishme në këtë hapësirë gjeografike. Zileja është gjithashtu një prej qendrave më të vjetra dhe më të rëndësishme të Anadollit. Në Zile, e cila sot është një prej rretheve të provincës Tokat të Turqisë, janë themeluar shumë shtete dhe kanë sunduar shumë perandori. Vendndodhja e bën këtë qytet një udhëkryq gjeopolitik, një nyjë që lidh Detin e Zi dhe Anadollin Qendror. Ndërsa si rezultat i karakteristikave klimatike dhe gjeografike, ai preferohet prej qindra vitesh si zonë banimi. Gërmimet në rajon tregojnë se qyteti ishte një nga vendbanimet e rëndësishme të hititëve. Pas tyre, në Zile shihen qartë edhe gjurmët e frigjianëve. Straboni, gjeograf i famshëm i kohëve të lashta, shkruan se qyteti është themeluar nga perandoresha asiriane, Semiramis. Ndërsa gjatë viteve nën dominimin pers, Zileja arriti një pozitë të rëndësishme edhe në aspektin fetar. Sepse në këtë qytet gjendet tempulli më i madh i perëndeshës persiane të pjellorisë (Anahita). Ceremonitë fetare, të cilat mbaheshin në periudha të caktuara të vitit me praninë e turmave të mëdha, bënë të mundur që Zileja të forcojë ekonominë dhe të rrisë rëndësinë e saj strategjike. Prandaj qyteti ishte në shënjestër të shumë shteteve që donin të vendosin hegjemoninë e tyre mbi të. Konfliktet e rëndësishme që nisën gjatë periudhës së hititëve, vazhduan deri në Perandorinë Bizantine. Aq sa një nga këto konflikte do të rezultonte në luftën midis Perandorisë Romake dhe Mbretërisë së Pontit, për t'u mbajtur mend si vendi ku u shkrua letra më e shkurtër dhe më koncize në histori. Lufta afër Zilesë ndërmjet Jul Cezarit, udhëheqës i famshëm ushtarak dhe politik i Perandorisë Romake, si dhe Farnacit II, sundimtar i Mbretërisë së Pontit, rezultoi me fitoren e romakëve. Kjo ishte një fitore e madhe, por Jul Cezari u mjaftua ta shprehë me tri fjalë të vetme: “Veni, vidi, vici”! Ndonëse mendohet që kjo të jetë një shprehje e modestisë së Cezarit, në fakt kemi të bëjmë me një qëndrim mospërfillës deri në arrogancë. Sepse me këto fjalë, Jul Cezari jo vetëm që shpërfill armikun, por njëherësh thekson se sa e shpejtë ishte fitorja e tij dhe madje shpotit perandorët romakë që nuk arritën ta mposhtin Pontin para tij.

Cezari e informoi Romën mbi rezultatin e luftës përmes një letre që përmbante vetëm këto tri fjalë. Në Romë u organizua një kortezh triumfal i paprecedentë dhe u prenë monedha me mbishkrimin “Veni, vidi, vici”. Këto tri fjalë që tregojnë shumë, nuk gjenden vetëm mbi monedhat antike, por edhe në kalanë e Zilesë, pasi Jul Cezari urdhëroi që fjalët “Erdha, pashë, pushtova”, të cilat përmblidhnin fitoren e tij, të gdhendeshin po ashtu në një monument në kështjellë. Kjo është arsyeja pse kalaja e Zilesë tërheq vëmendjen e shumë turistëve vendas dhe të huaj që duan të shohin letrën më të shkurtër dhe më domethënëse të historisë.

Kalaja e Zilesë, një strukturë mjaft tërheqëse për turistët, është një nga kështjellat e rralla të mbushura me dhe në Anadoll. Po kaq interesante sa kjo, në Tokat, provincë nga e cila varet rrethi Zile, është edhe një kala tjetër. Sepse kjo kështjellë ka lidhje me legjendën e Kontit Drakula. Por si?! Në mesin e shekullit XV, princi i Vllahisë i dha peng djemtë e tij Perandorisë Osmane për të fituar lirinë. Njëri nga vëllezërit, i cili për katër vjet u mbajt peng në kalanë e Tokatit, u konvertua në Islam. Kurse tjetri u kthye në një armik të përbetuar dhe të pamëshirshëm duke marrë famë me epitete si “djalli”, “xhelati” dhe “vojvoda i hunjve”. I njohur për vrasjen e njerëzve me tortura nga më çnjerëzoret, ky person ishte Vladi Tepeshi III (Drakula). Shekuj më vonë, ai do të identifikohej me personazhin kryesor të legjendës së Drakulës apo vampirit të Transilvanisë.

Gjatë punimeve restauruese në kalanë e Tokatit u zbuluan disa galeri sekrete që të çonin në qendër të qytetit dhe qelitë ku mbahej peng Princi Vlad III i Vllahisë. Kureshtarët në rritje të përrallave me vampirë dhe të historisë së Drakulës, të cilat tashmë janë bërë një element i patjetërsueshëm i kulturës popullore, e vizitojnë kalanë e Tokatit gjithnjë e më shumë.

Tokati është gjithashtu vendndodhja e një shpelle sa të vogël në përmasa aq edhe madhështore në shkallë botërore për nga karakteristikat. Shpella Ballica (Mjaltore) në rrethin e Pazarit është pjesë e Listës së Përkohshme të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s falë formacioneve të saj natyrore shumë të veçanta. Ekspertët pohojnë se shpella në fjalë është e pasur me të gjitha formacionet shpellore të zbuluara deri më sot. Kjo karakteristikë e bën shpellën Ballica unike, pasi ajo ka edhe disa formacione mjaft të rralla në botë.

Ballica është një shpellë fosile. Gjatësia e saj e përgjithshme është 68 metra. Seksionet e sipërme janë të përbëra nga mermeri Permian-Triasik dhe gurë gëlqerorë. Ajo ka 2 shtresa mbi hyrje dhe 5 shtresa poshtë duke e bërë atë me gjithsej 7 shtresa. Pesë shtresa të saj u formuan në 3 periudha të ndryshme. Një seksion shtrihet në verilindje dhe jugperëndim, i përbërë nga dy shtresa. Seksioni i dytë, i cili përmban shtresat numër 3 dhe 4, u formua gjatë periudhës së dytë evolucionare; ndërsa shtresa numër 5 u formua në shekullin XX. Galeria, e cila të çon në një hapësirë ​​të hapur me një pellg uji, është seksioni i parë në drejtimin verilindje-jugperëndim. Ajo përbëhet nga Salla e Stalaktiteve dhe Stalagmiteve në nivelin e parë, si dhe Salla e Fosileve dhe Salla e Lakuriqëve në nivelin e dytë. Galeria Madhështore në katin e tretë është formuar nga 3 sallat ngjitur: Kërpudha, Kolona dhe Salla e Re. Kolonitë e lakuriqëve xhuxhë jetojnë në pjesë të ndryshme të shpellës dhe mund të dëgjohen e nuhaten, por shihen rrallëherë. Ngjyrat e shumta në shpellë janë mahnitëse dhe ajri i filtruar është i pasur me oksigjen.

Rreth 45–50 metra nga hyrja ndodhet një sallë e gjerë. E njohur si Salla e Re, ajo përmban mbetje (mure të suvatuara, depo të suvatuara materialesh etj.) të përdorimit të dikurshëm në histori. Brenda sallës në fjalë ka stalaktite, stalagmite, kolona dhe pellgje të shumta uji.

Kjo shpellë 3,5-milionëvjeçare ka 7 salla të hapura për vizitorët. Por ka ende pjesë të saj që presin të zbulohen. Lagështia brenda është mbi 50% dhe përmban oksigjen të pastër shumë më tepër sesa ajri që ne thithim në natyrë. Aq sa pacientët që jetojnë nën asistencën e bombolave të oksigjenit, nuk kanë nevojë për to në këtë shpellë. Ajo vizitohet shpesh për qëllime kurative nga pacientë me sëmundjen pulmonare obstruktive kronike (COPD), por edhe me astmë e bronkit.

 

Autore: Neslihan Degirmencioglu – Producente, TRT, Ankara

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti – Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara

 



Lajme të ngjashme