Të parat e Anadollit – Një nga shkollat më të vjetra në botë: Harrani

Sot do të flasim për shkollën e Harranit - një prej më të vjetrave në botë sot, tumën e Harranit - far që ndriçon të kaluarën e qytetit, si dhe për shtëpitë me kube e Harranit - arkitekturë unike që të lë gojëhapur.

1759154
Të parat e Anadollit – Një nga shkollat më të vjetra në botë: Harrani

𝕄esopotamia... Një hapësirë gjeografike që ka pritur shumë shtete dhe qytetërime. Aq shumë civilizime kanë lulëzuar në këtë rajon sa që as lumi Nil, aorta e Egjiptit, s'ka arritur t'i mbledhë bashkë. Me zbulimet dhe shpikjet e tyre, qytetërimet e themeluara në Mesopotami (greq. Μεσοποταμία: μεσο, meso – mes, midis; ποταμός, potamos – lumë; pra, Veɳɗi ɱes Lʋɱeɳjνe) i kanë dhënë një shtysë të fortë të gjithë historisë duke ndikuar mbarë njerëzimin. E konsideruar si “djepi i qytetërimit” nga aspekti i themelimit të civilizimeve të njëpasnjëshme dhe vazhdimësisë së tyre, por edhe si “Gjysmëhëna Pjellore” duke qenë se tokat e saj janë shumë të begata, Mesopotamia është gjithashtu burimi i tri feve hyjnore (Judaizmi, Krishterimi dhe Islami). Një pjesë e rëndësishme e këtij rajoni shtrihet edhe në gjeografinë e Anadollit.

Tigri dhe Eufrati janë dy lumenjtë që i dhurojnë jetë Gjysmëhënës Pjellore. Dhe pikërisht në vendin ku rajoni lidhet me Azinë e Vogël apo me Anadollin, besohet se ndodhet një nga shkollat më të vjetra në botë: Harrani...

Me historinë e tij 7.000-vjeçare dhe vendndodhjen e tij në kryqëzimin e rrugëve tregtare, Harrani është një vend strategjik. Asirianët, babilonasit dhe umajadët zgjodhën Harranin si kryeqytet të tyre. Emri Harran do të thotë “udhëtim”, “kryqëzim rrugësh” ose “vapë e madhe” në sumerisht dhe akadisht. Disa studiues thonë se “Harrani është vendlindja e Sinit”, zot i mistershëm i hënës në mitologjinë asiriane e babilonase; ndërsa të tjerë argumentojnë se ai është rajoni i përmendur si “Haran” në Torah apo Teurat. Madje shumë historianë pretendojnë se ai është një nga qytetet e para të krijuara pas Përmbytjes së Nuhut apo Noes. Sidoqoftë, një realitet i pakundërshtueshëm dhe fort i bazuar në historinë e tri feve hyjnore është se Profeti Ibrahim ose Abraham është lindur dhe ka jetuar në këto troje.

Asirianët dhe babilonasit i konsideronin Diellin, hënën dhe planetët si të shenjtë dhe secilin prej tyre e konsideronin si një perëndi. Këto qytetërime politeiste i kushtonin rëndësi të veçantë studimit të trupave dhe fenomeneve qiellore. Harrani është një nga qendrat e shquara të këtij besimi politeist. Falë kësaj, qyteti përparon edhe në astronomi. Qyteti ishte një qendër shkencore dhe këtë veçori e ka ruajtur me ngulm për shekuj me radhë. Kjo është arsyeja pse mendohet që në Harran është themeluar një nga shkollat e para në botë. Edhe pse nuk ka burime të mjaftueshme për themelimin e shkollës së Harranit, dihet se ajo ka ekzistuar qysh në antikitetin e hershëm. Po ashtu dihet se shkenca e astronomisë ishte një lëndë që mësohej sistematikisht në një shkollë që prej kohës së asirianëve dhe babilonasve. Studiuesit janë të mendimit që shkolla, e cila mundësoi transferimin e këtyre njohurive në brezat dhe periudhat e mëvonshme, ishte pikërisht shkolla e Harranit.

Vitet rrodhën për t’ia lënë vendin antikitetit klasik, një prej epokave më të ndritura të njerëzimit. Në këtë periudhë, Aleksandria dhe Athina konsideroheshin qendrat arsimore të botës. Me përhapjen e Krishterimit, Perandoria Romake vendosi të mbyllë akademitë dhe shkollat filozofike. Kur shkollat e Athinës dhe më pas të Aleksandrisë u mbyllën, disa prej dijetarëve e njerëzve të asokohshëm të shkencës u strehuan në Harran dhe filluan të japin mësim në shkollën Harran. Veprat e filozofëve të lashtë u përkthyen në arabisht dhe disa vepra arabe u përkthyen në greqisht. Shkolla e Harranit mundësoi transferimin e dorëshkrimeve greke në një kulturë tjetër, ndoshta duke parandaluar zhdukjen e plotë të tyre. Kjo shkollë i udhëzoi dijetarët islamë të thellohen në shkencën, filozofinë, mjekësinë dhe artin e antikitetit klasik. Kështu, mes Lindjes dhe Perëndimit fillon një ndërveprim e komunikim me orientim shkencor. Harrani shfaqet si qendër shkencore edhe në periudhat e hershme të Islamit. Universiteti i parë islam është themeluar pikërisht në Harran.

Harrani është një qytet që spikat jo vetëm për një nga shkollat më të vjetra në botë, por edhe për kulturën dhe strukturat e tij. Sot Harrani është një rreth i provincës Sanliurfa, në rajonin e Anadollit Juglindor të Turqisë. Strukturat më interesante të Harranit janë shtëpitë e tij me kube. Harrani është një nga vendet e pakta ku mund të shihet tradita më e vjetër e shtëpive me kube në botë. Aktualisht shtëpi të ngjashme me ato të Harranit hasen gjithashtu në Itali, Skoci, Afganistan, Peru dhe Kinë.

Shtëpitë e Harranit, historia e të cilave daton 4.000 vjet p.e.s., janë ndërtuar me tulla rreth një oborri me planimetri katrore. Dritaret e tyre janë pa xham, ndërsa muret janë të trasha dhe të suvatuara me argjilë nga brenda e jashtë. Të larta deri në 5 metra, këto shtëpi janë ndërtuar me arkitekturë gati konike që ngushtohet lart për të përftuar pamjen e një kupole. Pjesa e sipërme e kupolës lihet e hapur për të luajtur rolin e oxhakut dhe për të mundësuar hyrjen e dritës. Këto shtëpi i japin zgjidhje vapës së padurueshme të fushës së Harranit. Tiparet e tyre arkitekturore i bëjnë shtëpitë e Harranit të freskëta në verë dhe të ngrohta në dimër. Shtëpitë mund të zgjerohen duke shtuar kupola të reja nëse është e nevojshme. Numri i kupolave të shtëpive tregon edhe gjendjen financiare të familjeve që jetojnë në to. Harrani dhe shtëpitë e tij nën mbrojtje janë sot pjesë e Listës së Përkohshme të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Në qendër të Harranit ndodhet një tumë 22 metra e lartë, e cila na mundëson të kuptojmë të kaluarën e qytetit. Po të ngjiteni në kodërvarr dhe të hidhni një vështrim rreth e përqark, ka shumë gjasa që në mendje t'ju vijë menjëherë pyetja se cilat periudha mund të ketë dëshmuar ky qytet. Tuma shtrihet mbi një sipërfaqe shumë të madhe dhe është në fakt një tregues i përdorimit mijëravjeçar të kësaj hapësire si një zonë banimi. Sepse figurat e para të zbuluara gjatë gërmimeve arkeologjike datojnë në epokën e bronzit të hershëm (3.000-2.000 p.e.s.). Kurse në shtresat vijuese janë gjetur pllaka argjile dhe epigrafe (mbishkrime) rreth tempullit të Sinit, të shkruara me alfabetin kuneiform (kunjor). Tuma ka gjurmë të qytetërimeve e shteteve mjaft të rëndësishme si hititët, asirianët, babilonasit, romakët, umajadët, abasidët dhe selxhukët.

Edhe pse në gërmime janë gjetur shumë informacione e dokumente të rëndësishme, mbetjet e tempullit të Sinit dhe Shkollës së Harranit ende nuk janë zbuluar dot. Tempulli kushtuar perëndisë asiriane e babilonase të hënës, i cili përmendet gjithashtu në pllakat e argjilës që janë zbuluar në Kultepe (Kodra e Hirit) apo Kanesh, njihet si vepra monumentale më e vjetër në Harran. Arkeologët janë të mendimit që tempulli i Sinit dhe shkolla e Harranit mund të kenë qenë ndërtuar mbi hapësirën e kapluar nga kodërvarri.

Në këmbët e tumës ndodhet edhe një prej faltoreve myslimane më të vjetra në Anadoll: Xhamia e Madhe e Harranit (Harran Ulu Camii), e para me oborr me portik dhe shatërvan në Anadoll. Xhamia e Madhe e Harranit spikat po ashtu me dekorimet mahnitëse të skalitura në gurë, të cilat duket fare qartë se janë produkt i gurlatuesve mjeshtërorë.

Shumë pranë Harranit janë edhe dy vende të tjera që meritojnë të vizitohen. I pari është qyteti antik i Shuabit, i cili spikat me struktura të periudhës romake të ndërtuara mbi varre shkëmbore dhe besohet të jetë vendbanimi i Profetit Shuaib. I dyti është qyteti i lashtë i Sogmatarit, i cili konsiderohet qendra e kultit të Sinit. Gradishta e Sogmatarit pranohet gjerësisht si një tempull dhe altar në natyrë, ku i bëheshin lutje dhe flijime perëndisë asiriane e babilonase të hënës.

Harrani është vendi i hyjnizimit të trupave qiellore dhe zhvillimit të astronomisë. Ai ndërmjetëson transferimin e qasjes së mendimit shkencor të antikitetit në një fe dhe kulturë të ndryshme. Ky qytet i lashtë, në të cilin ndërthuren besimi, filozofia dhe shkenca, i fton meraklinjtë në një udhëtim drejt thellësive të historisë… Harrani tregon një përrallë gati-gati të një bote tjetër!

 

Autore: Neslihan Degirmencioglu – Producente, TRT, Ankara

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti – Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara

 



Lajme të ngjashme