Pakistani i mëshon zhvillimit të bashkëpunimit mediatik me Malajzinë dhe Turqinë

Ministri Federal i Informacionit dhe Transmetimit të Pakistanit, Chaudhry Fawad Hussain, shprehu të enjten nevojën e zhvillimit të bashkëpunimit mediatik midis vendit të tij, Malajzisë dhe Turqisë.

1754875
Pakistani i mëshon zhvillimit të bashkëpunimit mediatik me Malajzinë dhe Turqinë

Ky vlerësim i Fawad Hussain erdhi gjatë një daljeje publike në lidhje me kanalin televiziv të përbashkët që planifikohet të themelohet mes 3 vendeve, zhvillimin e bashkëpunimit mediatik dhe projektet e përbashkëta për telenovela mes Pakistanit dhe Turqisë.

Ai rikujtoi se ideja e krijimit të një kanali televiziv të përbashkët ndërmjet Pakistanit, Turqisë e Malajzisë u ngrit në rend të ditë fillimisht kur liderët u takuan disa vite më parë.

Hussain bëri me dije se është takuar me ministrin e Punëve të Jashtme të Malajzisë, Saifuddin Abdullah, në kuadër të takimit të Organizatës së Bashkëpunimit Islam në Islamabad, dhe se bashkë kanë biseduar për ritakimin e 3 vendeve në lidhje me partneritetin mediatik.

Pasi theksoi se shpreson që brenda 3 muajve të fillojnë punën për të formuar kornizën e platformës digjitale, ministri pakistanez i Informacionit dhe Transmetimit vuri në pah se pas kësaj ata do ta kthejnë platformën në fjalë në një kanal televiziv me kohë të plotë.

“Ne mund ta bëjmë këtë nismë realitet brenda 3 muajve, pasi të jetë vendosur korniza (e platformës digjitale)”, saktësoi ai.

Chaudhry Fawad Hussain foli gjithashtu në lidhje me projektet e përbashkëta për telenovela mes Pakistanit dhe Turqisë duke i përshkruar ato “një zhvillim i mrekullueshëm”.

Ai tërhoqi vëmendjen se në këto projekte duhet të përfshihet edhe Malajzia.

“Pakistani, Turqia dhe Malajzia duhet të bashkohen për të prodhuar më shumë seriale televizive dhe filma”, shtoi Hussain.

Duke nënvizuar se turqit kanë ndikim të madh në rajon, ministri pakistanez vijoi me këto fjalë: “Historia turke është shumë e pasur dhe meqenëse jemi myslimanë, ne e ndiejmë veten si pjesë e saj. Myslimanët e nënkontinentit (Indian) kanë lidhje shumë të veçanta me turqit.”

Sipas tij, bashkëpunimi mes 3 vendeve do të hapë më shumë horizonte dhe do të jetë i rëndësishëm jo vetëm për Turqinë, Pakistanin e Malajzinë, por edhe për pjesën tjetër të botës.



Lajme të ngjashme