Në Shqipëri mbyllet Java e Filmit Turk

Në kryeqytetin shqiptar, Tiranë është mbajtur një bashkëbisedim me aktorin e njohur turk Ercan Kesal dhe gjithashtu është promovuar libri i tij “Kandidati për kryetar”…

1740672
Në Shqipëri mbyllet Java e Filmit Turk
Tiran-Türk Filmi Haftası_2.jpg
Tiran-Türk Filmi Haftası_3.jpg
Tiran-Türk Filmi Haftası_4.jpg
Tiran-Türk Filmi Haftası_7.jpg
Tiran-Türk Filmi Haftası_8.jpg
Tiran-Türk Filmi Haftası_9.jpg
Tiran-Türk Filmi Haftası_10.jpg
Tiran-Türk Filmi Haftası_12.jpg

Në Shqipëri mbyllet Java e Kinematografisë Turke

Në kryeqytetin shqiptar, Tiranë është mbajtur një bashkëbisedim me aktorin e njohur turk, Ercan Kesal dhe gjithashtu është promovuar libri i tij “Kandidati për kryetar” që është përkthyer edhe në gjuhën shqipe, ndërsa për artdashësit u shfaq edhe filmi me të njëjtin emër, në kuadër të Javës së Filmit Turk.

 

Në aktivitetin e organizuar nga instituti turk "Yunus Emre" në Tiranë në bashkëpunim me Shtëpinë Botuese "Fan Noli" ishin të pranishëm përfaqësues të institucioneve turke në Shqipëri, studiues, shkrimtarë, artdashës, nxënës dhe studentë.

Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, duke folur për aktorin Kesal tha se ai është një njeri shumë i madh i artit dhe kulturës turke, duke shtuar se “ishte personi i duhur për të bërë mbylljen madhështore të këtij aktiviteti.

"Jam shumë i nderuar që sot kemi mes nesh aktorin e njohur turk Ercan Kesal i cili është njëkohësisht një nga penat më të fuqishme të letërsisë turke bashkëkohore dhe të kulturës turke në përgjithësi. Sigurisht që këtu ka një ekip shumë të mirë që punon fort për të nxjerrë në pah vlerat e mëdha që ka kultura turke dhe Turqia", tha Yörük.

Të pranishmit i përshëndeti edhe drejtori i institutit "Yunus Emre" në Tiranë, Ömer Osman Demirbaş, i cili tha se "Kemi realizuar gjatë kësaj jave shfaqjen e filmave turq dhe jemi munduar që të përzgjedhim filmat që kanë ngjallur interes. Sot me filmin ‘Kandidati për kryetar’, mbyllim Javën e Filmit Turk".

Prof. Asoc. Dr Lindita Xhanari Latifi, studiuesja e gjuhës dhe letërsisë turke, që është edhe përkthyesja në shqip e romanit të Ercan Kesalit, tha se romani “Kandidati për kryetar” me subjektin e vet është ndër romanet më realistë e më aktualë për shumë vende. "Për shumë shqiptarë, Ercan Kesal është një figurë mjaft e njohur dhe tepër e dashur si aktor filmash, që janë shfaqur e vazhdojnë të shfaqen në stacionet televizive shqiptare", theksoi ajo.

Drejtori i Shtëpisë Botuese “Fan Noli” nga Shqipëria, Rexhep Hida, ndër të tjera tha se shtëpia botuese që ai drejton ka përkthyer dhe botuar vepra të autoreve turq.

Pas fjalëve përshëndetëse, skenaristi dhe aktori i njohur turk, Ercan Kesal, realizoi një bashkëbisedim me të pranishmit, ku ndër të tjera theksoi se nëpërmjet librit dhe filmit “Kandidati për kryetar”, është munduar të tregojë jetën e një personi i cili është i dhënë pas pushtetit dhe lojës për pushtet.

“Besoj që misioni i shkrimtarit dhe personave që janë pjesë e kinematografisë është i njëjtë. Besoj që kinematografia është arti i cili na mundëson që të fitojmë kohën e humbur. Sigurisht nëpërmjet kinemasë ne kemi mundësi që ta rijetojmë kohën e humbur. Me filmat që shfaqen, dramat dhe komeditë ne arrijmë të nxjerrim mësimet tona rreth jetës", tha Kesal.

Aktiviteti u organizua në kuadër të mbylljes së Javës së Filmit Turk, e cila filloi më 22 nëntor, ku për disa ditë me radhë në Tiranë u shfaqën për artdashësit shqiptarë filma të kinematografisë turke.

Kujtojmë se në aktivitetin e hapjes i pranishëm përveç autoriteteve të larta të ambasadës turke në Shqipëri ishte edhe aktori Julian Deda, i cili gjatë fjalës së tij ka cituar se uron që ky aktivitet të jetë një ogur i mirë që të zhvillohen urat e bashkëpunimit në këtë fushë. Ai shtoi se kinematografia shqiptare ka shumë nevojë për mbështetje dhe sipas tij ka nevojë për profesionistë.

"Serialet turke dhe filmat turq sot këtu në Shqipëri, si i themi në gjuhën tonë zhargon po bëjnë namin, po ndiqen shumë, po pëlqehen shumë dhe janë bërë pjesë e familjes. Ky është një investim që i ka kaluar kufijtë e Turqisë dhe ka ardhur edhe në Shqipëri", është shprehur Deda.

-Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri -



Lajme të ngjashme