Të parat e Anadollit –Kisha e Shën Pjetrit (Pierre) në Antakya: Kisha e parë shpellë në botë

Për shkak të vendndodhjes së saj, Antakya ka qenë një udhëkryq shumë i rëndësishëm gjatë gjithë shekujve.

1735314
Të parat e Anadollit –Kisha e Shën Pjetrit (Pierre) në Antakya: Kisha e parë shpellë në botë

Të parat e Anadollit –Kisha e Shën Pjetrit (Pierre) në Antakya: Kisha e parë shpellë në botë

Njerëzit, që në fillim, kanë jetuar në vende shumë të ndryshme. Streha dhe vendstrehimi i tyre i parë ishin shpellat. Sepse shpellat i mbronin njerëzit si nga kushtet klimatike ashtu edhe nga kafshët e egra. Njeriu, pasi mësoi gjuetinë, brendësinë e errët dhe të ftohtë të shpellave, e përdori për ruajtjen e mishit.

Në fakt, disa shpella përdoreshin vetëm për këtë qëllim, pothuajse si një dhomë frigorifer... Njerëzit i përdorin shpellat edhe për varrosjen e të vdekurve, për t'u fshehur apo për adhurim (rituale fetare)... Në disa prej këtyre shpellave është hasur në stoli, në disa prej tyre piktura mbi mur, disa prej të cilave shumë të përkryera... Në hapësirën gjeografike të Anadollit mund të hasim shembuj të ngjashëm.

Shpellat, të cilat fillimisht siguruan strehim dhe mbrojtje, me kalimin e kohës, dëshmojnë gjurmët e para të zhvillimit kulturor. Për shembull, në shpellën Uçagizli (Üçağızlı) në lagjen Samandag të Hatayit, gjenden mbetjet e njeriut të parë 200 mijë vjet më parë dhe të njerëzve të parë modernë 40 mijë vjet më parë. Në shpellë ka shumë materiale të bëra me rruaza dhe nga guri. Ekspertët thonë se shpella do të bëjë dritë mbi historinë e njerëzimit dhe ka një vend shumë të rëndësishëm në botë për sa i përket antropologjisë dhe arkeologjisë.

Historia e pikturave të shpellave në Anadoll përkon me Epokën e Vjetër të Gurit. Motivet e vizatuara në mure me metoda të ndryshme në shpellat në Mersin, Kahramanmaras dhe Balikesir zbulojnë edhe një herë se Anadolli ka qenë dëshmitar i historisë së gjatë të njerëzimit.

Kjo gjeografi dëshmon etapat e rëndësishme, formësimin dhe pikat kthesë të një feje të re. Të krishterët e parë që u arratisën nga Jerusalemi, ku u persekutuan, u vendosën në shpellat në luginën Ihlara. Atëherë shpellat morën një funksion tjetër. Në Kapadokya, të krishterët e parë fshiheshin në shpellat në qytetet nëntokësore dhe përpiqeshin të përhapnin fenë e re. Pranë nënprefekturës Antakya të Hatayit, ndodhet kisha e parë shpellore në botë, Kisha e Shën Pjetrit (Pierre)...

Për shkak të vendndodhjes së saj, Antakya ka qenë një udhëkryq shumë i rëndësishëm gjatë gjithë shekujve. Ata që duan të kalojnë nga Mesopotamia në Perëndim përdorin Antakyan; Rruga e erëzave dhe Rruga e mëndafshit kalon pikërisht këtu. Antakya, një nga vendbanimet më të vjetra në Anadoll, u bë një nga qendrat kryesore kulturore të botës si në periudhën helenistike, ashtu edhe gjatë Perandorisë Romake.

Shën Pjetri, një nga 12 apostujt e Jezusit, i njohur gjithashtu si Shën Pierre, erdhi në Antakya duke menduar se do të ishte e lehtë të përhapej krishterimi. Sepse qyteti ishte afër Jerusalemit dhe kulturat e ndryshme jetonin së bashku në paqe. Në atë kohë, Antakya ishte qyteti i tretë më i madh i Perandorisë Romake dhe metropoli më i rëndësishëm në lindje me pasurinë, prosperitetin dhe strukturën e saj intelektuale.

Shën Pjetri, i ardhur në Antakya, përdori një shpellë natyrore në "Stauris", pra në "Malin e Kryqit", si kishë dhe filloi të bënte predikime. Kjo kishë shpellore luajti një rol të rëndësishëm në përhapjen e fesë në periudhën e hershme të krishterë. Kisha e Shën Pjetrit njihet si kisha e parë e krishterimit përpara se të ndahej në sekte. Shpella konsiderohet të jetë vendi ku komuniteti mori për herë të parë emrin 'i krishterë' dhe ku u hodhën themelet e ritualeve fetare. Shën Pjetri hyn në histori si prifti i parë i komunitetit të krishterë dhe gjithashtu Papa i parë i botës. Shpella në vitet e mëpasshme shpallet si qendër pelegrinazhi, pasi ajo dëshmoi të krishterët e parë dhe takimet e tyre të para.

Kjo kishë shpellore e gdhendur në shkëmbinj është 13 metra e thellë dhe 7 metra e lartë. Pasi Perandoria Romake pranoi krishterimin si fe zyrtare, me shtesat e bëra, shpella mori formën e një kishe. Në shpellë ndodhet statuja e Shën Pjetrit, mbetjet e mozaikut të dëmtuar dhe uji i shenjtë.

Vizitorët për shumë vite pinë ujin, i cili konsiderohet shërues dhe ua çojnë atë të sëmurëve të tyre. Edhe pse ky ujë është pakësuar me kalimin e viteve për shkak të tërmeteve, ai ende sot rrjedh nga shkëmbinjtë. Kisha gjithashtu ka një tunel sekret që të çon në mal. Mendohet se tuneli përdorej nga personat e brendshëm, në rast se do të bastiseshin.

Përveç kësaj, mendohet se shumë shpella të vogla natyrore dhe vende të gdhendura në shkëmbinj pranë kishës janë përdorur si dhoma izolimi (dhoma ku tërhiqeshin për qetësi shpirtërore). Kisha e Shën Pjetrit në Antakya është përfshirë në listën e përkohshme të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s të Turqisë. Ajo vizitohet nga mijëra të krishterë çdo vit dhe mbahet ceremoni fetare në një datë të caktuar.

Në fund të shtegut që shtrihet në pjesën e sipërme duke u nisur nga kisha, vizitorët i pret edhe një surprizë. Kjo rrugë sfiduese i shpërblen ata që nuk ndalojnë (nuk heqin dorë) së ngjituri me një bust gjigant reliev të gdhendur në shkëmbinj.

Ky reliev është një portret 4 metra i lartë i një njeriu, koka e të cilit është e mbuluar me një qefin, i njohur si Varkëtari i Ferrit, Karonti (Haron) në mitologjinë greke. Kur shumë njerëz vdiqën gjatë epidemisë së murtajës në Antakya, njerëzit e qytetit konsultuan një orakull (parashikues i së ardhmes). Ky reliev u gdhend për të mbrojtur qytetin nga sëmundjet dhe vdekja, me këshillën e dhënë nga orakulli.

Një vend tjetër i shenjtë, që tërheq po aq vëmendje sa kisha e parë shpellore në botë, është vendi mirëpritës, Antakya. Në këtë qytet ndodhet edhe xhamia e parë e Anadollit, Xhamia Habib-i Neccar. Habib-i Neccar ishte një marangoz që jeton në Antakya...

Apostujt e Jezusit, Gjoni dhe Pavli, erdhën në Antakya për të shpjeguar fenë e re dhe se ka vetëm një zot. Habib-i Neccar bëhet një nga të parët që do t'i besonte. Populli reagoi ashpër ndaj apostujve që i ftuan nga besimi pagan në monoteizëm dhe planifikoi t'i vriste ata. Habib-i Neccar qëndron kundër njerëzve dhe vritet duke u përpjekur të mbronte apostujt. Burimet islame shkruajnë se kjo ngjarje është përshkruar në Kuran. Xhamia Habib-i Neccar, xhamia e parë e Anadollit, përbëhet nga dy tyrbe, qelitë e medresesë dhe një shatërvan. Në të djathtë të derës hyrëse të oborrit të xhamisë, gjenden varre dedikuar Shën Gjonit dhe Shën Pavlit.

Antakya është një qytet i lashtë që ua ka përcjellë urtësinë e tij, momentet historike që dëshmoi dhe kujtimet e tyre brezave të rinj për shekuj. Historia buron nën çdo gur në Antakya. Kongregacioni i kishës të shpellës më të vjetër në botë në këtë qytet e quajti veten "të krishterë" për herë të parë. Për këtë arsye, Antakya konsiderohet si qyteti më i shenjtë i krishterimit pas Jerusalemit dhe është shpallur si qendër pelegrinazhi i shkallës së parë.



Lajme të ngjashme