Të parat e Anadollit – Efesi dhe Biblioteka e Celsit

Efesi, kryeqytet i Provincës Aziatike të Perandorisë Romake, ishte një prej metropoleve më të mëdhenj të kohës së tij, me një popullsi mbi 200 mijë banorë. Ndër objektet më të rëndësishme të qytetit është Biblioteka e Celsit, e treta më e madhe asokohe.

1719846
Të parat e Anadollit – Efesi dhe Biblioteka e Celsit

Njerëzit e pasionuar pas librave dhe hulumtuesit i përkufizojnë bibliotekat si tempuj. Dhe, realisht, është e pamundur të thuhet se ata gabohen, sepse në biblioteka mbisundon paqja dhe qetësia e një vendi të shenjtë. Në fakt, edhe libri i lexuar ose lënda e studiuar ndihmon për të siguruar një lloj kënaqësie shpirtërore. Ndoshta kjo është arsyeja pse shkrimtari i famshëm argjentinas, Jorge Luis Borges, thoshte: “Unë gjithmonë e kam imagjinuar parajsën jo si një kopsht, por si një lloj biblioteke.”

Historia e bibliotekave është pothuajse aq e vjetër sa vetë historia e shkrimit. Me tekstet e para të shkruara në pllaka argjile (balte) e pastaj me fillimin e përdorimit të papirusit, lindi edhe nevoja për t'i ruajtur këto dokumente. Artikujt historikë dhe kulturorë që deri atëherë përcilleshin gojarisht, në këtë mënyrë filluan të ruheshin të sigurt dhe bibliotekat u bënë kujtesa e njerëzimit. Dëmtimi i bibliotekave në luftëra është në të vërtetë shkatërrimi i kësaj kujtese. Anadolli është një hapësirë gjeografike që dëshmon bibliotekat e para, të cilat kontribuuan në formimin e kësaj memorieje dhe këtij akumulimi të njohurive. Biblioteka më e famshme dhe më e madhe e periudhës antike është ajo e Pergamit. Kurse e treta më e madhe e asaj periudhe është Biblioteka e Celsit në Efes.

Efesi ishte një qytet-port i rëndësishëm dhe madhështor i botës së lashtë... Ai ishte jo vetëm qendër politike dhe tregtare e Mesdheut, por edhe një nga udhëkryqet më të rëndësishme ndërmjet Azisë e Evropës. Efesi, kryeqytet i Provincës Aziatike të Perandorisë Romake, ishte një prej metropoleve më të mëdhenj të kohës së tij, me një popullsi mbi 200 mijë banorë. Historia e këtij qyteti, i cili gjithmonë ka luajtur një rol të rëndësishëm në shkencë, kulturë dhe art, fillon rreth 6 mijë vjet para Krishtit! Pas epokës romake, njerëzit vazhduan të jetojnë e të tjerë gjithashtu u vendosën në këtë qytet edhe gjatë periudhave bizantine e osmane.

Qyteti antik i Efesit, në rrethin Selçuk të Izmirit të sotëm, ishte një vendbanim madhështor i veçantë. Pasuria arkitektonike e qytetit konkurronte me Romën. Biblioteka e Celsit në qytet ishte ajo e dyta në Anadoll dhe e treta më e madhe në botën e asokohshme. Biblioteka e Celsit u ndërtua nga djali i tij, në emër të senatorit të fuqishëm të Perandorisë Romake. Me dëshirën për të përjetësuar emrin e Celsit, senator romak i famshëm dhe guvernator i Provincës së Azisë, i biri e ndërtoi bibliotekën me pasurinë e tij dhe e vuri në shërbim këtë objekt me libra dhe vepra arti mbresëlënëse. Ai gjithashtu la trashëgimi 25 mijë monedha ari romake për mbrojtjen e bibliotekës dhe pasurimin e saj me libra të rinj.

Biblioteka e Celsit është ndërtuar në rrugën kryesore të qytetit të lashtë të Efesit, pranë qendrës së tij, domethënë në agora. Ajo ndodhet gjithashtu afër auditorit, ku shkencëtarët dhe poetët më të njohur të kohës jepnin leksione. Në projektimin e objektit është bërë një përpjekje e veçantë për t’i dhënë asaj një efekt goditës. Kurse thjeshtësia dhe funksionaliteti i periudhës joniane janë në plan të dytë. Ndërtesa e bibliotekës spikat me figurat dhe skulpturat e saj lëvizëse, relievet dhe dekorimet. Ajo spikat veçanërisht me fasadën e saj të përparme dhe portën madhështore që mban emrin e Augustit. Skulpturat madhështore midis kolonave të mëdha në fasadën e përparme i lënë gojëhapur vizitorët edhe sot e kësaj dite. Katër skulpturat femërore, të cilat përfaqësojnë mençurinë, inteligjencën, njohurinë dhe virtytin, janë ndër shembujt më të spikatur të artit të skulpturës antike.

Biblioteka e Celsit është 17 metra e lartë. Për ta imagjinuar këtë lartësi, ju mund të sillni në mendje një ndërtesë gjashtëkatëshe. Edhe pse duket si me dy kate nga përpara, ajo ka 3 kate brenda. Hapësirat mbi portën hyrëse pengonin shiun të depërtonte në sallën kryesore nga njëra anë dhe mundësonin ndriçim me dritën e Diellit nga ana tjetër. Një hapësirë prej rreth 1 metër është lënë midis mureve të jashtme dhe të brendshme për të mbrojtur nga lagështia dhe temperaturat e larta dorëshkrimet në papiruse, të cilat mendohet të ishin gati 12 mijë.

Kjo bibliotekë e jashtëzakonshme ka një tipar që pak njerëz e dinë dhe e bën atë të ndryshme nga të tjerat. Ju mund të habiteni, por biblioteka është gjithashtu një mauzole! Teksa ndërtonte një bibliotekë për të mbajtur gjallë kujtimin e babait të tij, djali i Celsit vendosi brenda saj edhe varrin e të atit. Ky zbulim, i mbështetur nga mbishkrimet, i jep ndërtesës cilësinë e një “biblioteke nderi”. Gjatë epokës romake, një qytetar i respektuar nderohej edhe pas vdekjes si hero duke u varrosur në objektet e rëndësishme të qytetit. Edhe pse mauzoleu në Bibliotekën e Celsit është një shembull i mirë për këtë, prania e varrit në një objekt publik na duket shumë e çuditshme sot!

Qyteti i lashtë i Efesit, strehë e qytetërimeve të ndryshme, tani është në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Ai paraqet me gjithë lavdinë e tij epokat dhe përvojat që dëshmoi, për njerëzit që e vizitojnë qindra vjet më vonë... Ne ju dhamë disa informacione bazë për Bibliotekën e Celsit, ndër më të rëndësishmet e antikitetit pas atyre të Aleksandrisë dhe Pergamit; por qyteti të magjeps edhe me shumë struktura të tjera. Objekti më i famshëm i qytetit është tempulli i Artemisës, i konsideruar si një prej 7 mrekullive të botës antike. Fatkeqësisht, sot ka mbetur vetëm një kolonë mermeri në vendin e tempullit... Një tjetër strukturë mbresëlënëse dhe e rëndësishme është po ashtu teatri antik i Efesit. Ai veçohet nga të tjerët duke qenë se është teatri më i madh i hapur i periudhës antike, me një kapacitet prej 25 mijë spektatorësh. Tempulli i Hadrianit, Rruga e Kureteve, Shatërvani i Trajanit, Odeoni, banjat, ujësjellësi, objekti komunal i qytetit... Ka kaq shumë gjëra për t'u parë e vizituar në qytetin e lashtë të Efesit! Ne vetëm sa mund t'i përmendim emrat e tyre këtu, ju takon juve t'i vizitoni dhe shihni!

Efesi antik ka edhe një karakteristikë tjetër. Qyteti njihet si qendër pelegrinazhi që nga kohërat e lashta. Ka dëshmi se qyteti i ka shërbyer fesë edhe 1.100 vjet para Krishtit! Tempulli i Artemisës ishte në të vërtetë një qendër pelegrinazhi gjatë periudhës pagane. Pasi Roma pranoi Krishterimin, parimet e fesë së re u përcaktuan në Efes, në Kishën e Shën-Mërisë së Virgjër, e para kushtuar nënës së profetit Jezu (Isa). Kjo është arsyeja pse Efesi konsiderohet qendër pelegrinazhi e Krishterimit. Në Efes, rëndësi të madhe për të krishterët kanë gjithashtu “Djelmoshat e Shpellës” dhe Bazilika e Shën-Gjonit.

Qyteti legjendar i Efesit dhe strukturat e tij madhështore është e pamundur të trajtohen në një program të vetëm. Prandaj dhe ne zgjodhëm të flasim sot për Bibliotekën e Celsit, një nga strukturat më mbresëlënëse të qytetit, e cila ka arritur të mbijetojë deri më sot nga bota e lashtë. Biblioteka, informacionet rreth të cilës i gjejmë në mbishkrimet në strukturën e saj, është shembulli i vetëm në hapësirën gjeografike të Anadollit për nga arkitektura mbresëlënëse dhe ornamentet në cilësinë e veprave unike të artit, por edhe me veçorinë e mauzoleut. Relievi, skulpturat, kolonat dhe kapitelet e kolonave të Bibliotekës së Celsit, fatkeqësisht, sot ekspozohen në Muzeun e Vjenës. Me këtë rast, ne apelojmë edhe një tjetër herë që pjesët e pandashme të kësaj biblioteke të kthehen në atdheun e tyre, në vendin të cilit i përkasin, sa më parë të jetë e mundur!

 

Autore: Neslihan Degirmencioglu – Producente, TRT, Ankara

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti – Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara

 



Lajme të ngjashme