Të parat e Anadollit – Shtatë Kishat e Zbulesës

Shtatë Kishat e Zbulesës, të cilat përmenden në librin e shenjtë të Krishterimit, janë vende pelegrinazhi dhe kanë një rëndësi esenciale për Krishterimin.

1715898
Të parat e Anadollit – Shtatë Kishat e Zbulesës

Të parat e Anadollit – Shtatë Kishat e Zbulesës

Vendi më i vjetër në historinë e njerëzimit mbi tokat e Anadollit është Gobeklitepeja 12.000-vjeçare, e cila konsiderohet si pika zero e historisë. Tani për tani, Gobeklitepeja pranohet si një vend grumbullimi, por gjithashtu thuhet se zbulimet e atjeshme lidhen me besimet e njerëzve të asaj periudhe. Ndoshta paraardhësit tanë më të vjetër mbanin ceremoni fetare atje, mbase bënin edhe fli. Ky vend, sekreti i të cilit mbetet ende për t'u zgjidhur, ishte ndoshta vendadhurimi më i vjetër i njerëzimit.

Kjo hapësirë gjeografike është gjithashtu shtëpi e perëndive dhe perëndeshave. Besimi te Kibela apo perëndesha nënë lulëzon pikërisht në këto treva. Zotat e mitologjisë greke u krijuan nga Homeri, detyrat dhe emrat e tyre u caktuan gjithashtu nga ky poet epik i famshëm. Dhe mos ngrini njërën vetull përpjetë në shenjë mosbesimi, pasi këto nuk janë fjalët tona, por të Platonit, mendimtar i famshëm i kohëve të lashta.

Anadolli është shtëpi jo vetëm e feve politeiste, por edhe e atyre monoteiste. Ai është një hapësirë gjeografike, të cilën s'mund ta anashkalojë asnjë specialist i historisë së besimeve fetare. Anadolli është vendi ku qytetërimet, kulturat, historia dhe fetë ndjekin njëra-tjetrën dhe ndërthuren bashkë. Prandaj ai quhet “djepi i feve”. Njerëzit befasohen kur mësojnë se sa i madh është numri i objekteve të kultit dhe vendeve të shenjta të hebrenjve, të krishterëve dhe myslimanëve në këtë pjesë të botës. Ai ofron itinerare të qenësishme për besimtarët e këtyre tri feve monoteiste. Anadolli është qendra e dytë e rëndësishme për Krishterimin pas Jerusalemit. Apostujt dhe njerëzit e tjerë të rëndësishëm të këtij besimi, të cilët shpëtuan nga persekutimi, emigruan në Anadoll dhe u vendosën në rajone të përshtatshme, nga ku mund të përhapnin fenë e tyre. Sidoqoftë, feja e re nuk u mirëprit në Anadollin e atëhershëm të sunduar nga Perandoria Romake, e cila vriste çdo njeri nëse zbulonte identitetin e tij të krishterë. Shën-Gjoni, apostulli që solli Shën-Mërinë në Efes pas kryqëzimit të djalit të saj dhe profetit Jezu (Isa), përpjekjet për të përhapur Krishterimin i bëri këtu. Për këtë arsye Shën-Gjoni, apostull shumë i rëndësishëm dhe autor i ungjillit të emërtuar sipas tij, u internua në një nga ishujt grekë. Sikurse besohet, ndërsa ishte në mërgim, Shën-Gjoni merrte njoftime të posaçme nga Krishti dhe u shkruante letra shtatë kongregacioneve të krishtere. Të gjitha vendet ku janë dërguar këto letra, të cilat janë shumë të veçanta dhe të shenjta për të krishterët, ndodhen sot në kufijtë administrativë të Izmirit, Manisës dhe Denizlisë, në Anadollin Perëndimor.

Sot do të flasim pikërisht për “Shtatë Kishat”, të njohura edhe si “Shtatë Kishat e Zbulesës” ose “Kishat Apokaliptike”, të cilat besohet se do të mbijetojnë edhe në Ditën e Gjykimit.

Shumica e qendrave më të rëndësishme të pelegrinazhit të besimtarëve të krishterëve gjendet në Anadoll dhe në krye të tyre renditen Shtatë Kishat. Sidoqoftë, në kohën kur Shën-Gjoni i dërgoi këto letra, kishat nuk ekzistonin në Anadollin Perëndimor. Letrat me lavde e paralajmërime nuk i dërgohen një ndërtese fizike të kishës, por kongregacioneve të fesë së re në Anadoll, edhe pse fjala “kishë” përmendet në to. Strukturat e vizituara sot janë kishat monumentale që u ndërtuan në mënyrë simbolike më vonë, gjatë periudhës bizantine.

Letra e parë e Shën-Gjonit u dërgua në Efes, qyteti port i rëndësishëm dhe madhështor i botës antike, kryeqytet i provincës aziatike të Perandorisë Romake. Me letrën që shkroi, ai përpiqej të promovonte Krishterimin dhe t'i udhëzonte njerëzit drejt Krishterimit. Efesi ishte një nga metropolet më të mëdhenj të kohës së tij dhe shumica e banorëve të tij ishin paganë. Qyteti është i rëndësishëm në shumë aspekte. Është vendi ku u mbajt Këshilli i Tretë, në të cilin u përcaktuan parimet e Krishterimit. Shtëpia në malin e Bilbilit, ku besohet se Shën-Mëria e Virgjër kaloi vitet e fundit të jetës së saj, ndodhet gjithashtu afër qytetit antik të Efesit, pjesë e Listës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Përveç kësaj, “Djelmoshat e Shpellës” dhe varri monumental i Shën-Gjonit, të cilat përmenden si në Krishterim ashtu edhe në Islam, gjithashtu presin vizitorët e tyre në këtë rajon.

Letra e dytë shkon në Smirnë apo në Izmirin e sotëm. I konsideruar si pionier i shkencës së gjeografisë, Straboni e përkufizon atë si “më i bukuri nga të gjitha qytetet”. Në monumentet e ambienteve publike dhe në monedha, banorët e Smirnës shkruanin “I pari i provincës së Azisë” dhe “Stolia e Jonisë”. Ai ka qenë gjithmonë në qendër të vëmendjes me teatrin, gjimnazin, banjat dhe portet. Përgjatë historisë, Izmiri nuk e ka humbur kurrë rëndësinë e tij politike dhe tregtare.

Pergami apo Bergama e sotme është vendi ku u dërgua letra e tretë. Ai ishte një nga qendrat kryesore kulturore dhe artistike të botës antike. Teatri më i pjerrët i lashtësisë është gjithashtu këtu, sikurse dhe tempulli i Asklepit, i cili konsiderohet si spitali i parë dhe më gjithëpërfshirës i Anadollit, me mbishkrimin “vdekja nuk mund të hyjë këtu” në portën hyrëse... Struktura e tij më e rëndësishme është altari i Zeusit... Shprehja “froni i djallit”, e cila zë vend në letrën e tretë, supozohet se i referohet pikërisht altarit të Zeusit. Oborri i Kuq, i ndërtuar me tulla për perënditë egjiptiane gjatë periudhën romake, filloi të përdoret si kishë në epokën bizantine duke iu kushtuar “Shtatë Kishave”.

Shën-Gjoni i dërgon Tiatirës, sot në rrethin Akhisar të provincës Manisa, më të gjatën nga shtatë letrat. Qyteti ishte një qendër tekstili e famshme për pëlhurat e purpurta që prodhonte në antikitet. Ky qytet i lashtë gjithashtu spikaste me shfaqjet luftarake të gladiatorëve. Në letrën e tij, Shën-Gjoni i paralajmëronte banorët e qytetit në lidhje me një grua të vetëshpallur profete, e cila i orientonte njerëzit në imoralitet.

Letra tjetër shkon në Sardë, kryeqytet i Mbretërisë Lidiane, ku u krijua banka e parë në botë. Në letrën e tij, apostulli i kërkonte komunitetit besimtar të Sardës që të korrigjohej, të rigjallërohej dhe të zgjohej nga gjumi.

Kisha e Filadelfiës, të cilës iu dërgua letra e gjashtë, është një tjetër qendër e rëndësishme tregtare midis Anadollit Perëndimor dhe Anadollit Qendror. Ky qytet i lashtë, i famshëm për rrushin, tekstilet dhe produktet e lëkurës, ndodhet sot në rrethin Alasehir të provincës Manisa. Smirna dhe Filadelfia janë kishat për të cilat nuk përmendet asnjë fjalë negative.

Ndërsa Laodicea, e cila ndodhet sot brenda kufijve të provincës Denizli dhe ku u dërgua letra e fundit, është pjesë e listës provuese të Turqisë në pritje që të kualifikohet për t'u përfshirë në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Kisha e Laodicesë është i vetmi komunitet i ofenduar në letra. Duke iu referuar banorëve të Laodicesë, Shën-Gjoni shkruante se të jetosh pa e ditur se cilës feje i përket, është një jetë e humbur.

Anadolli njihet si “atdheu i perëndive” që prej epokës arkaike. Nga periudhat e feve politeiste e deri në ditët e arta të feve monoteiste, ai bart vende të shenjta të panumërta si për myslimanët ashtu dhe për të krishterët e hebrenjtë. Shumë turistë i vizitojnë këto vende për qëllime fetare dhe kulturore. “Shtatë Kishat” e përmendura në librin e shenjtë të Krishterimit marrin një rëndësi madhore për ndjekësit e kësaj feje duke qenë se janë vende pelegrinazhi. Shën-Gjon Ungjillori u dërgoi letra të krishterëve të fshehur në qytetet më të pasura dhe më të populluara të periudhës romake. Ai bëri përpjekje për të përhapur fenë e re përmes letrave, në të cilat paralajmëronte njerëzit në rrugë të gabuar dhe njoftonte se Zoti do të shpërblente ata që këmbëngulnin përballë persekutimit dhe vështirësive. Qytetet antike pritës të këtyre komuniteteve, të gjitha në Anadoll, ndajnë me vizitorët e tyre shekuj më vonë periudhat, zhvillimet dhe përvojat që ata dëshmuan ndër mijëra vite.

 

Autore: Neslihan Degirmencioglu – Producente, TRT, Ankara

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti – Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara

 



Lajme të ngjashme