“Ne s'jemi izraelitë”: Aktorët palestinezë bojkotojnë Festivalin e Filmit në Kanë

Aktorët palestinezë vendosën të bojkotojnë Festivalin 74. të Filmit në Kanë pasi filmi “Let There Be Morning” u përkufizua si një “film izraelit” nga organizatorët e këtij evenimenti shumë të rëndësishëm kinematografik.

1673987
“Ne s'jemi izraelitë”: Aktorët palestinezë bojkotojnë Festivalin e Filmit në Kanë

Sipas lajmit të gazetës “Jerusalem Post” që botohet në Izrael, aktorët palestinezë të filmit “Let There Be Morning” u dërguan një letër organizatorëve të Festivalit të Filmit në Kanë.

Duke reaguar ndaj përshkrimit të filmit si një “film izraelit” për faktin se regjisori i filmit është izraelit, aktorët vendosën të bojkotojnë festivalin.

Në letrën rreth arsyes së vendimit për të bojkotuar festivalin zënë vend këto fjalë: “Ne jemi krenarë dhe qëndrojmë prapa pjesëmarrjes sonë në filmin e mikut dhe aleatit tonë, Eran Kolirin, i cili bazohet në librin e Sayed Kashua, «Let There Be Morning». E megjithatë ne s'mund të injorojmë kontradiktën e klasifikimit të filmit në Kanë si një «film izraelit».”

Aktorët dënuan politikat e vazhdueshme izraelite në territoret e okupuara duke përfshirë “mohimin e të drejtave, aparteidin, kontrollin ushtarak, dhunën kundër palestinezëve dhe fshirjen e identitetit”.

Duke theksuar kundërshtinë ndaj përmendjes së filmit me emrin e “shtetit të Izraelit”, i cili ushtron dhunë kundër popullit palestinez, letra e aktorëve palestinezë vë në pah se qëndrimi i heshtur përpara krimeve të kryera do të thotë të pranosh praktikat e aparteidit dhe të justifikosh dhunën ndaj popullit palestinez.

“Vendimi ynë për të bojkotuar Kanën për shkak të vendimit burokratik për ta kategorizuar filmin si izraelit nuk është thjesht simbolik për ne. Ne qëndrojmë së bashku dhe i bëjmë thirrje komunitetit artistik dhe ndërkombëtar për të amplifikuar zërin e artistëve palestinezë. Ne kundërshtojmë të gjitha format e shtypjes nga regjimi izraelit të së drejtës së popullit palestinez për të jetuar, për të ekzistuar dhe për të krijuar”, thuhet mes të tjerash në letrën e aktorëve palestinezë.

Regjisori izraelit, Eran Kolirin, gjithashtu bëri një deklaratë nga llogaria e tij në rrjetin social “Facebook”, ku tha se pavarësisht dëshirës së tij për shkuar në festival bashkë me aktorët bojkotues, ai e respekton vendimin e tyre. Kolirin shtoi se ky ishte më tepër një akt politik sesa një bojkot.

Filmi me skenar dhe regji të Kolirin, përshtatur nga libri me të njëjtin titull të autorit palestinez, Sayed Kashua, tregon historinë e një palestinezi izraelit që kërkon të zbulojë identitetin dhe përkatësinë e tij kombëtare pasi gjen fshatin ku është rritur.

Mes aktorëve që vendosën të bojkotojnë Festivalin 74. të Filmit në Kanë spikasin emrat e yjeve si Alex Bakri, Juna Suleiman dhe Salim Dau.



Lajme të ngjashme