Ndërron jetë bilbili i muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarusha në moshën 86-vjeçare

Artistja e mirënjohur Nexhmije Pagarusha ishte dhe do te mbetet ikona e muzikës shqiptare.

Ndërron jetë bilbili i muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarusha në moshën 86-vjeçare

Familjarët e këngëtares kanë njoftuar nëpërmjet rrjeteve sociale për vdekjen e saj.

Nexhmije Pagarusha ishte dhe do te mbetet ikona e muzikës shqiptare.

Ajo i ka shërbyer me nder dhe dashuri atdheut të saj përmes artit dhe me zërin e saj ka bashkuar shqiptarët anë e mbanë botës.

Nexhmie Pagarusha ka përfunduar shkollën e muzikës në Beograd, dhe gjatë gjithë karrierës së saj artistike ka performuar në koncerte në vende të ndryshme të botës, duke e bërë kështu Kosovën të njohur kudo që ka hedhur hap.

Ndërkaq në një postim të bërë në median sociale Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi shkroi: “Të pikëlluar me vdekjen e artistes së madhe, Nexhmije Pagarushës, e cila me zërin e saj e përjetësoi muzikën shqipe, duke i dhënë vlera të përjetshme, me të cilat krenohet krejt bota shqiptare. Ndarja nga jeta e Nexhmije Pagarushës është një humbje e madhe për kulturën dhe artin tonë kombëtar. Zëri i saj karakteristik e shndërroi në një ikonë të papërsëritshme, bazuar në dhuntitë dhe talentin e saj të pakufishëm. I përjetshëm do të mbetet emri dhe zëri i Bilbilit të Kosovës!”

Një postim në median sociale për ndarjen nga jeta të artistes së mirënjohur ka postuar edhe Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta.

“Me shumë dhimbje e hidhërim të thellë mora lajmin tragjik të ndarjes nga jeta të Mbretëreshës së këngës shqiptare, artistes sonë të madhe e të papërsëritshme, Nexhmije Pagarusha.E dashur dhe e admiruar nga të gjitha brezat për vokalin e jashtëzakonshëm, emocionet dhe krenarinë që i dhuroi kombit në dekada, kjo humbje e pazëvendësueshme i ka prekur sot të gjithë shqiptarët dhe admiruesit e saj kudo.Si artiste që bëri histori në momente të vështira, falë talentit artistik, personalitetit fisnik e të spikatur, Nexhmije Pagarusha, do jetë përherë një model referimi për brezat e rinj të artistëve, një yll i pashuar i muzikës shqiptare, këngët e së cilës do të këndohen përjetë.Unë isha fatlum ta njihja nga afër dhe të ndaja me të shumë momente të bukura dhe të paharrueshme. Ajo nuk ishte magjike, vetëm në skenë dhe ekran, por në çdo moment të jetës së saj.Duke ndarë dhimbjen e thellë për këtë humbje të madhe, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve, bashkëpunëtorëve dhe të gjithë artdashësve shqiptarë.Si një nga përfaqësueset më të mëdhaja të artit e muzikës, e nderuar dhe vlerësuar ndërkombëtarisht, me trashëgiminë e vyer që la pas, Nexhmije Pagarusha do të mbetet e paharruar për të gjithë ne”, shkroi Meta.



Lajme të ngjashme