Kuzhina turke –Menemen

Përgatitja dhe konsumi i mëngjesit në kuzhinën turke ka një vend të veçantë.

Kuzhina turke –Menemen

Përgatitja dhe konsumi i mëngjesit në kuzhinën turke ka një vend të veçantë. Mëngjesi nuk kalohet vetëm me një copë kek ose me drithëra të përpunuara. Në tryezën e mëngjesit tradicional turk nuk konsumohet kafe por çaj dhe çaji konsumohet jo në filxhan por në gotë të vogël xhami (që njihet ndryshe edhe si gotë belhollë). Kurse kafeja pihet në fund për ti vënë pikën mëngjesit. Në të vërtetë fjala konsum i mëngjesit në turqisht, pra “kahvaltı” do të thotë “nën kafe, pra do të thotë përpara kafes”. Mirëpo çfarë konsumojnë turqit pranë çajit për mëngjes?  Para së gjithash djathë e ullinj. Po, nuk e dëgjuat gabim, ullinj! Ulliri, që në shumë kultura konsumohet si aperitiv ose me diçka të lehtë, është një nga përbërësit më të pazëvendësueshëm të tryezës së mëngjesit. Kurse për sa i përket djathit, në mëngjes mund të konsumohet çdo lloj djathi. Në tryezën e mëngjesit zënë vend të paktën disa lloje djathi, por në krye të saj qëndron gjithmonë “djathi i bardhë”. Faktikisht sofra e mëngjesit turk është shumë e pasur. Krahas ullinjve, djathërave, gjalpit, mjaltit, reçelit ka edhe produkte mishi si suxhuk, sallam, salsiçe, si dhe lloje të ndryshme gatimi të vezëve. Gjithashtu në sofër, ashtu si byrekët dhe gatimet e brumit, zënë vend edhe  perime të skuqura, dollma, domate, kastravecë, speca e barishte.  

Në programin tonë të kësaj jave të “Kuzhinës Turke” do të ndajmë me ju recetën e “menemen”, që është një nga gatimet e pëlqyera të tryezës së mëngjesit.

Si fillim le të radhisim harxhet që na duhen për të gatuar “menemen”;

4 domate

1 qepë

4 speca jeshilë

3 vezë

2 lugë buke vaj vegjetal

1/3 e lugës së çajit me kripë

1/3 e lugës së çajit me piper të zi (sipas dëshirës)

Përpara se të shpjegojmë se si përgatitet “menemen”, duhet të themi se Turqia është e ndarë në dy, kur bëhet fjalë për përdorimin apo jo të qepës në këtë gatim. Grupi i parë thotë se ky gatim nuk bëhet absolutisht me qepë dhe se qepa nuk duhet përdorur në këtë gatim. Kurse grupi tjetër mbron mendimin se nuk mund të gatuhet “menemen” pa qepë. Ne do t’ju përcjellim recetën që bëhet me qepë. Nëse dëshironi ju mund ta gatuani pa qepë dhe ta filloni nga skuqja e specave.

Tani le të kalojmë tek përgatitja e recetës. Si fillim le të qërojmë qepën dhe domatet dhe ti presim imët. Kurse specat ti presim për së gjati dhe ti heqim farat dhe pastaj ti presim për së gjerë ne formë gjysmëhëne. Le të skuqim vajin në tigan. Në fillim skuqim qepën për 4-5 minuta dhe më pas ti shtojmë specat dhe të vazhdojmë procesin e skuqjes. Më pas le ti shtojmë domatet dhe ti gatuajmë deri sa të shterojë lëngu i tyre. Në një tas të vogël rrahim vezët dhe u shtojmë atyre kripën. Harxhin në tas ja shtojmë manzës në tigan dhe duke e trazuar herë pas here le ta skuqim për 3-4 minuta. Sipas dëshirës, së bashku me bukë të thekur mund ta shërbeni menjëherë pa u ftohur. Ju bëftë mirë! 

 


Lajme të ngjashme