Risi televizive në Turqi, opera “Aida” për herë të parë direkt në kanalin “TRT 2”

Kanali "TRT 2" realizoi një risi në historinë e televizionit. Një vepër operistike u transmetua për herë të parë direkt në kanalet televizive turke me gjithë emocionet e saj në skenë dhe prapa skenës.

Risi televizive në Turqi, opera “Aida” për herë të parë direkt në kanalin “TRT 2”

Në transmetimin e realizuar nën titullin "Koha për Koncert - Ekskluzivisht Aida", u angazhua një ekip gjigant.

Pas procesit të gjatë përgatitor, një punë e kujdesshme u realizua edhe në teatrin antik. Të gjitha detajet teknike u rishikuan disa herë.

"Ne do ta realizojmë këtë transmetim me një mjet të madh transmetimi direkt, të pajisur me 9 kamera. Jemi këtu me një ekip prej 40 vetash, të cilët qëndrojnë pas këtij mjeti. Me lejen e Zotit, çdo gjë do të shkojë për bukuri", deklaroi një regjisor i TRT-së.

Në festivalin e organizuar nga Opera dhe Baleti Shtetëror i Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, kontributi i TRT-së u vlerësua lart.

"Kjo është shumë emocionuese për ne. Është një ditë speciale. Ne kemi bashkëpunuar shumë herë me «TRT 2» deri më sot. Na është gjendur pranë gjithnjë, qoftë për «Trojën», qoftë edhe për veprat tona të tjera. Tani po e avancojmë më tej bashkëpunimin tonë duke nisur transmetimet e drejtpërdrejta. Kjo do të ketë vazhdimësi patjetër edhe këtej e tutje", u shpreh një zyrtar i Operës dhe Baletit Shtetëror të Turqisë.

Ndërsa artdashësit patën gëzimin që të ndjekin një vepër madhështore të tillë në një atmosferë të magjishme.

Transmetimi direkt nga ekrani i "TRT 2" vijoi edhe gjatë pauzave ndërmjet pjesëve të veprës, e cila u vu në skenë nga Opera dhe Baleti Shtetëror i Antalies.

Teleshikuesit patën rastin të ndjekin në "TRT 2" gjithashtu intervistat me artistët prapa skenës, si dhe komentet e të ftuarve specialë.

Festivali do të vazhdojë më 16 shtator me operën epike "Troja" dhe do të përfundojë më 18 shtator me koncertin mbyllës.



Lajme të ngjashme