Rumani – “Metallica” dhuron 250.000 euro për spitalin e parë të onkologjisë pediatrike në vend

“Metallica”, grup legjendar amerikan i muzikës “Rock” dhe “Heavy Metal”, ka dhuruar 250.000 euro për një shoqatë rumune që ndërton spitalin e parë të onkologjisë pediatrike në këtë vend.

Rumani – “Metallica” dhuron 250.000 euro për spitalin e parë të onkologjisë pediatrike në vend

Portali “Emerging Europe” bën të ditur se “Metallica” e konfirmoi vetë këtë lajm më datë 14 gusht, përpara një koncerti në kryeqytetin Bukuresht të Rumanisë.

Donacioni për Shoqatën “Daruieste Viata” (Dhuro Jetë) u bë përmes fondacionit jofitimprurës të grupit, “All Within My Hands”.

Spitali i Onkologjisë dhe Radioterapisë Pediatrike do të jetë spitali i parë i specializuar në onkologjinë pediatrike në Rumani. Pacientët do të kenë qasje në gjithçka që kërkohet për trajtimin holistik të fëmijëve me kancer (kirurgji, ortopedi, kardiologji, neurokirurgji, ENT). Spitali i ri do të jetë në gjendje të trajtojë më shumë se 300 fëmijë me kancer çdo vit, si dhe të kryejë mbi 9.600 operacione onkologjike dhe joonkologjike.

Shoqata “Daruieste Viata” e filloi këtë projekt në vitin 2017 duke u mbështetur tërësisht në fondet private (donacione private dhe të korporatave). Ndërtimi i tij filloi në 2018-n dhe spitali pritet të hapet në vitin 2020.

Në fillim të këtij viti, gjigandi rumun i energjisë “OMV Petrom”, një degë e OMV-së, dhuroi 10 milionë euro për projektin në fjalë.



Lajme të ngjashme