Turqi – Zbulohet sëpata e dytë më e vjetër në botë

Në ditën e fundit të gërmimeve, arkeologët në Turqi kanë zbuluar një sëpatë 350.000-vjeçare me dy tehe, e dyta më e vjetër në botë, në shpellën “Karain” të Antalies.

Turqi – Zbulohet sëpata e dytë më e vjetër në botë

Harun Taskiran, profesor në Departamentin e Arkeologjisë së Universitetit të Ankarasë, bëri me dije se grupi i arkeologëve të drejtuar prej tij gjeti një sëpatë me dy tehe të mprehta, e madhe pak a shumë sa dora e një burri, në shtresat e epokës së paleolitit të mesëm të shpellës në fjalë.

Ai tha se sëpata duhet të jetë përdorur për gjueti.

Kjo zonë arkeologjike e paleolitit ndodhet në fshatin Yagca, 27 kilometra në veriperëndim të qytetit të Antalies, në rajonin mesdhetar të Turqisë.

Gjatë gërmimeve të së njëjtës shpelle në vitin 2007, arkeologët kanë zbuluar edhe sëpatën më të vjetër në botë deri më tani, e cila daton 400.000 vite më parë.

Zona besohet të ketë një histori 500.000-vjeçare. Gërmimet në shpellën “Karain” filluan në vitin 1946.

Taskiran nënvizoi se në shpellë janë zbuluar gjithashtu mbetje të hipopotameve, rinoqerontëve, elefantëve dhe neandertalëve (njerëz arkaikë).



Lajme të ngjashme