Kuzhina turke - Imambajalldi

Një nga harxhet e domosdoshëm që përdoret në kuzhinën turke është patëllxhani. Megjithëse kjo perime ngjyrë vjollce, me prejardhje nga India, në kuzhinën turke hyri më vonë, ajo gjithnjë ka zënë një vend të veçantë.

Kuzhina turke - Imambajalldi

Kuzhina turke - Imambajalldi

Një nga harxhet e domosdoshëm që përdoret në kuzhinën turke është patëllxhani. Megjithëse kjo perime ngjyrë vjollce, me prejardhje nga India, në kuzhinën turke hyri më vonë, ajo gjithnjë ka zënë një vend të veçantë. Nuk do të jetë fare gabim nëse themi se ka qindra receta të gjellëve që gatuhen me patëllxhan në kuzhinën turke. Patëllxhani është përbërësi kryesor i një numri të madh të gjellëve, duke filluar prej sallatave e deri tek qebapët, prej turshive e deri tek dollmatë. Siç kuptohet sot do të ndajmë me ju një recetë të një gjelle që gatuhet me patëllxhan. Kjo gjellë që hahet e ftohtë dhe që gatuhet pa mish quhet “imambajalldi”. Është një gjellë që zakonisht preferohet gjatë ditëve të ngrohta të verës dhe të cilën mund ta konsumojnë edhe vegjetarianët dhe veganët. Edhe emrin e ka të çuditshëm; nëse e përkthejmë në gjuhën shqipe “Imambajalldi” do të thotë “imami u alivanos”. Ka shumë gojëdhëna në lidhje me prejardhjen e emrit, por më e njohura është ajo që imami e pëlqeu shumë këtë gjellë aq sa i ka rënë të fikët nga shija pasi e ka ngrënë. 

Fillimisht le të numërojmë përbërësit e nevojshëm:

  • 4 patëllxhanë
  • 2 gota uji me vaj ulliri
  • 2 kokrra qepë (për të kaurdisur patëllxhanët)
  • 12 thelpinj hudhre
  • 3 speca
  • 3 kokrra domate
  • pak kripë
  • pak piper të zi
  • 1 lugë e vogël me sheqer
  • gjysmë tufe majdanoz
  • 1 lugë gjelle me vaj ulliri

Tani të kalojmë në gatimin e gjellës. Fillimisht i lajmë mirë patëllxhanët dhe i qërojmë duke lënë nga një shirit në mes. Patëllxhanët e qëruara i skuqim në të dyja anët në vaj ulliri të ngrohur mirë deri sa të zbuten. Pasi të skuqen i vendosim në peshqirë letre për të thithur vajin e tepërt.

Qepët i grijmë në formë gjysmërrethi, ndërsa hudhrat dhe specat i grijmë imët. Të gjitha këto i kaurdisim për disa minuta në një tavë me një lugë vaj ulliri deri sa të zbuten. Sipër hedhim domatet e qëruara, të pastruara nga farat dhe të grira. Vazhdojmë ta kaurdisim harxhin deri sa të zbuten domatet. Më pas shtojmë kripën, piperin e zi, sheqerin dhe majdanozin dhe e ndalim zjarrin.

I renditim patëllxhanët në tenxhere dhe me një thikë i hapim në mes, ndërsa me një lugë formojmë një hapësirë në formë barke. I mbushim me harxhin e përgatitur me domate, ndërsa lëngun e domateve të mbetur në tavë e hedhim në fund të tenxheres. Sipër hedhim pak vaj ulliri dhe e ziejmë gjellën me kapak të mbyllur për 20-25 minuta. Gjellën e gatuar e shërbejmë të vakët në temperaturë të dhomës ose të ftohtë, ju bëftë mirë.    

 


Lajme të ngjashme