Shqipëri – Artistët nga Turqia fitojnë çmime në Festivalin Ndërkombëtar Operistik “Marie Kraja”

Festivali Ndërkombëtar Operistik “Marie Kraja” ka mbyllur në Tiranë edicionin e tij të 17-të, ndërsa artistët nga Turqia kanë fituar çmimin e dytë dhe të tretë.

Shqipëri – Artistët nga Turqia fitojnë çmime në Festivalin Ndërkombëtar Operistik “Marie Kraja”

Artisti nga Koreja e Jugut, Dongo Kim, ka fituar çmimin e parë “Marie Kraja”, ndërsa artistja turke Ezgi Karakaya fitoi çmimin e dytë.

Çmimin e tretë e fituan artisti turk Faik Mansuroglu së bashku me artisten nga Shqipëria Nina Muho. Ndërkohë nga Turqia pjesë e festivalit ishte edhe artistja Hatice Zeliha Kokçek.

Drejtori i Përgjithshëm i Operës dhe Baletit të Ankarasë, tenori Murat Karahan, ishte anëtar i jurisë së këtij festivali si i ftuar nderi, ndërsa pjesë e jurisë ishin gjithashtu personalitete të njohura të artit dhe drejtues të institucioneve kulturore nga Shqipëria dhe vende të tjera.

“Unë kam organizuar në Tiranë koncerte dhe për mua është kënaqësi e veçantë që ndodhem sërish në kryeqytetin e Shqipërisë. Si turk, unë e ndiej veten si në shtëpi këtu në Tiranë. E shikoj cilësinë e konkursit. Ne kemi biseduar me Zanën për një bashkëpunim midis operave të Turqisë dhe Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Shqipëri”, tha Karahan në fjalën e tij përshëndetëse.

Në fjalën e saj përshëndetëse, themeluesja e Festivalit Ndërkombëtar Operistik “Marie Kraja”, Zana Çela, njëkohësisht drejtoreshë e përgjithshme e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit të Shqipërisë, tha se së bashku me një grup artistësh menduan të themelojnë Festivalin e Vokalit Operistik të Shqipërisë në vitin 1999.

“Fillimi i këtij festivali ngrohu sallën e mpirë të Teatrit të Operës me vokalet e artistëve dhe këngëtarëve të rinj”, u shpreh Çela.

Në natën finale të evenimentit ishin të pranishëm gjithashtu ministrja e Kulturës së Shqipërisë, Elva Margariti, ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yoruk dhe bashkëshortja e tij, Aysegul Erdal Yoruk, si dhe artistë të shumtë.

Në festivalin dyditor, që u organizua në mjediset e Qendrës Kulturore të Katedrales Ortodokse në Tiranë, konkurruan 15 artistë të përzgjedhur mes 270 artistëve nga vende të ndryshme të botës.

Festivali bashkoi artistë nga Shqipëria, Turqia, Italia, Greqia, Koreja e Jugut, Spanja, Franca, Rusia, Kina dhe Ukraina.

Sipas organizatorëve, Festivali Ndërkombëtar Operistik “Marie Kraja” ka për qëllim të promovojë talentet e muzikës operistike nga vende të ndryshme të botës.

Evenimenti kulturor u organizua nga Shoqata “Culture-Media-Arts” dhe Radio Televizioni Shqiptar (RTSH), me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë, Delegacionit të Bashkimi Evropian në Tiranë dhe institucioneve të tjera.



Lajme të ngjashme