Angli – Mbretëresha Elizabeth II feston 93-vjetorin e lindjes

Elizabeth II e Mbretërisë së Bashkuar feston të dielën ditëlindjen e saj të 93-të duke ruajtur edhe titullin e sovranes britanike më të vjetër në pushtet.

Angli – Mbretëresha Elizabeth II feston 93-vjetorin e lindjes

Në kohën e sundimit të saj, nga 6 shkurti i vitit 1952 e këtej, janë ndërruar 13 kryeministra të Britanisë së Madhe.

Ajo është aktualisht mbretëreshë e disa shteteve, në mesin e të cilave janë Britania e Madhe, Kanadaja, Australia, Zelanda e Re, Xhamajka dhe Papua Guinea e Re. Po të marrim parasysh të gjitha vendet në sundimin e saj, Elizabeth II ka punuar me gjithsej 150 kryeministra.

Në vitin 2015, kur ishte 89 vjeçe, Elizabeth II u bë mbretëresha britanike më jetëgjatë në fron duke lënë pas edhe paraardhësen e saj, Victoria.

Duke qenë se ajo është mbretëresha më jetëgjatë, djali i saj dhe princi i Uellsit, Charles (70), është trashëgimtari që ka pritur më gjatë fronin e Mbretërisë së Bashkuar.

Prania e saj gjithnjë e më rrallë në ceremoni dhe programe të ndryshme, nxjerr spekulime rreth shëndetit të mbretëreshës. Në tre vitet e fundit mbretëresha është ballafaquar me disa probleme shëndetësore. Fakti që ajo ua ka transferuar disa kompetenca anëtarëve të tjerë të familjes mbretërore, është bërë shkas edhe për spekulime se mbretëresha mund të tërhiqet nga froni.

Në rast se Elizabeth II tërhiqet nga froni i Mbretërisë së Bashkuar, ajo do të pasohet nga princi Charles, i cili njëherësh do të jetë mbreti më i vjetër që merr fronin.

Në radhë pas princit Charles vjen djali i tij i madh, William dhe nipi George.

Mbretëresha Elizabeth II ka lindur më 21 prill 1926 dhe çdo vit feston dy ditëlindje: Një në gjirin e familjes dhe tjetrën me ceremoni në qershor. Ceremonia e festimit të ditëlindjes ka filluar në kohën e Mbretit Edward VII, i cili sundoi nga viti 1901 deri 1910. Mbreti kishte lindur në nëntor, kur kushtet e motit nuk janë aq të përshtatshme për ceremoni në ambiente të hapura, për çka qe propozuar që festimet të bëheshin në maj ose qershor.



Lajme të ngjashme