Shuhet Keith Flint, lideri i grupit të muzikës elektronike “The Prodigy”

Këngëtari britanik, Keith Flint, lider i grupit të muzikës elektronike “The Prodigy” u gjet i vdekur të hënën nga Policia e Eseksit, në juglindje të Anglisë.

Shuhet Keith Flint, lideri i grupit të muzikës elektronike “The Prodigy”

“Me trishtim dhe tronditje të thellë ju konfirmojmë vdekjen e vëllait dhe mikut tonë të mrekullueshëm Keith Flint. Një pionier i vërtetë, një novator, një legjendë. Ai do të na mungojë përgjithmonë”, thuhej në një komunikatë të grupit, cituar nga agjencia britanike e lajmeve “PA”.

Ndërsa autoritetet policore të Eseksit njoftoi se vdekja e 49-vjeçarit nuk konsiderohet si e dyshimtë.

Vdekja e Flint njoftohet ndërsa “The Prodigy” do të kryente një turne ndërkombëtar për të promovuar albumin e shtatë, “No Tourists”, me ndalesa në Kolumbi dhe Austri në fillim të prillit, disa ditë në SHBA në muajin maj dhe në Francë gjatë verës.

Keith Flint, personazhi karizmatik me pamje të frikshme, me një model të çuditshëm flokësh, me “piercing” dhe tatuazhe që i fuste frikën fëmijëve, spikati në interpretimin e këngës “Firestarter” në vitin 1996.

Me një ndërthurje të elementëve “punk” dhe muzikës “dance”, ai kontribuoi për ta renditur “The Prodigy” në mesin e grupeve më me ndikim të skenës “rave underground” pas publikimit të albumit “The Fat Of The Land”, në 1997, pjesë e së cilit është edhe hiti i diskutueshëm “Smack My Bitch Up”.



Lajme të ngjashme